Zero vullnet për të luftuar krimin e organizuar në vend

  • 08 April 2019 - 07:47
Zero vullnet për të luftuar krimin e organizuar në vend

 Burjani: Të gjithë ata që kanë bërë krime korruptive, punësim familjar etj., duhet të ndëshkohen

 “Se në Kosovë nuk ka rezultate kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se mafia politike e Kosovës sundon Kosovën me sistem të korruptuar dhe me organe shtetërore dhe politike të kapura nga krimi i organizuar, nuk është fare sekret.

Kritikat ndërkombëtare, sidomos britanike, nuk do ta ndëshkojnë apo dëmtojnë krimin e organizuar politik në Kosovë nëse nuk do të shkohet përtej që vetëm të kritikojnë, por duhet të kërkojnë zyrtarisht nga Kosova që të pastrojë gjykatat, prokuroritë dhe policinë me një VETTING të fuqishëm dhe neutral, të përkrahur nga SHBA-ja, Britania dhe Gjermania”, thotë analisti Naim Miftari për gazetën “Kosova Sot”

Ambasadori britanik ka hedhur akuza të forta kundër politikanëve dhe sistemit të drejtësisë, duke thënë se Kosova është pa rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit: “Në Kosovë nuk ka rezultat sa i përket luftimit të këtyre dy dukurive – korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne e kemi financuar një raport për hetimin e korrupsionit në sistemin gjyqësor dhe rezultatet i kemi ilustruar me ngjyrat e semaforit – ngjyrë të kuqe, portokalli dhe të gjelbër kur gjithçka është mirë – kur e hap raportin është sikur të shohësh fotografi domatesh, vetëm ngjyrë të kuqe. Në Angli nëse një gjykatës dënohet për krim ose korrupsion do të dënohet rëndë, sepse besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë është shumë i rëndësishëm dhe humb lehtë. Nëse dikush në një pozitë që ka përgjegjësi e keqpërdor pozitën e tij, dënohet rëndë. Është shumë e rëndësishme që në një rast dikush të marrë dënim që mund të pengojë të tjerët ta kopjojnë metodën”, është shprehur ai. Por, sipas analistëve, gjuha e ambasadorëve po ashpërsohet më në fund kundër sistemit të dështuar e të tejdegraduar e të kapur të drejtësisë nga politikanët. Sipas tyre, ambasadorët po flasin më zëshëm se nuk ka kurrfarë lufte, por ka vullnet zero për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në Kosovë.

Image
Riza Smaka

Legjislativi përgjegjës

Profesori i së drejtës, Riza Smaka, theksoi për gazetën “Kosova Sot” se është indikative, madje alarmuese, kur ambasadorët e shteteve mike e të mëdha që pushtetarëve të vendit tonë u adresojnë kritika e qortime serioze për format e ndryshme të korrupsioneve edhe ato në sfera dhe nivele të ndryshme.

“Ekzistimin e korrupsionit intensiv në vendin tonë e dinë edhe zogjtë në degë, por kur për atë dukuri tejet negative ngrenë tone ironike përfaqësues eminentë të shteteve relevante, rezulton se ndër të tjera dështime edhe kjo trajtë perverse e degjenerike është tejet serioze. Për ta luftuar këtë epidemi morale, pushtetare e politike, pritet të mobilizohet seriozisht pushteti legjislativ, duke kërkuar përgjegjësi konkrete kundër të gjitha institucioneve që ai i emëron apo i zgjedh, e rrjedhimisht ekzekutivi nga komponentët që e përbejnë dhe i japin apo duhet t'i japin llogari! Gjithsesi aty hyjnë edhe institucionet e sistemit të drejtësisë, të cilat, edhe pse vlerësohet të jenë të "pavarura" në këtë apo atë mënyrë legjislativi mbetet përgjegjës!

Image
Blerim Burjani

Burjani: Krimi nuk po ndëshkohet

Analisti Blerim Burjani theksoi për gazetën “Kosova Sot” se nuk priten rezultate në luftimin e dukurive si korrupsioni, nepotizmi, duke pasur parasysh se politika shtetërore me këto parti politike, me njerëz të varfër, e tash janë bërë milionerë përmes korrupsionit dhe zhvatjes së parasë publike dhe privatizimit të ndërmarrjeve, ka pasur çdo gjë, madje edhe drejtësinë.“Të gjithë keqbërësit duhet ndëshkuar, të konfiskohet pasuria e fituar pa bazë ligjore. Krimi duhet të ndëshkohet dhe të gjithë ata që kanë bërë krime korruptive, punësim familjar në cilindo institucion, duhet të ndëshkohen penalisht në mënyrë që këto fenomene të ndalen dhe të mos përsëriten më”, është shprehur analisti Burjani për gazetën.

Image
Naim Miftari

Miftari: Pa një Vetting nuk mjaftojnë kritikat e ambasadorëve

“Deklaratat dhe kritikat e ambasadorit britanik në Kosovë nuk kanë munguar edhe më përpara, por tani janë më të shpeshta dhe më të drejtpërdrejta. Çdo kritikë është e arsyeshme dhe ambasadori me plot të drejtë është lider i kritikave shumë me vend ndaj politikanëve, pushtetarëve dhe gjyqësisë dhe prokurorisë së korruptuar të Kosovës. Se në Kosovë nuk ka rezultate kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se mafia politike e Kosovës sundon Kosovën me sistem të korruptuar dhe me organe shtetërore dhe politike të kapura nga krimi i organizuar, nuk është fare sekret.

Kritikat ndërkombëtare, sidomos britanike, nuk do ta ndëshkojnë apo dëmtojnë krimin e organizuar politik në Kosovë nëse nuk do të shkohet përtej që vetëm të kritikojnë, por duhet të kërkojnë zyrtarisht nga Kosova që ta pastrojë gjykatat, prokuroritë dhe policinë me një VETTING të fuqishëm dhe neutral, të përkrahur nga SHBA-ja, Britania dhe Gjermania”, theksoi analisti Naim Miftari për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)