Krimi dhe korrupsioni nuk po ndëshkohen, qytetarët pa liberalizim vizash

  • 08 April 2019 - 07:54
Krimi dhe korrupsioni nuk po ndëshkohen, qytetarët pa liberalizim vizash

 Ademi: Populli të ngritët në protesta për të bllokuar institucionet me njerëz të korruptuar

 “Pas votimit në Parlamentin Evropian skandalet po vazhdojnë, krimi dhe korrupsioni jo vetëm që nuk po ndëshkohen, por sikur po stimulohen. Drejtësia e politizuar nuk po vepron për rastet e nivelit të lartë, që jemi mësuar t’i quajmë raste të jakave të bardha. Pra, tani kur secili shtet do të vendosë veç e veç në mënyrë individuale dhe vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave do të merret nga ministrat e Brendshëm, nga Këshill i Evropës, gjërat shihen krejtësisht në detaje dhe nën thjerrëz. Këtu qëndron problemi që, megjithatë, BE-ja nuk po mashtrohet, por po kërkon që zotimi i premtuar edhe të realizohet, krimi dhe korrupsioni të luftohen”, thotë për gazetën “Kosova Sot”, qytetari Islam Visoka

Duke parë së fundi edhe qëndrimin e luhatshëm të shtetit gjerman sa i takon dhënies së dritës së gjelbër procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, qytetarët akoma më shumë po binden se bllokimi i procesit të liberalizimit të vizave po vjen pikërisht për shkak që kemi një klasë të tërë politike të korruptuar dhe të kriminalizuar, në të dyja nivelet e pushtetit në vend.

Kjo gjendje, sipas qytetarëve të anketuar nga gazeta, bëri që të hamendet edhe Qeveria gjermane e kancelares Angela Merkel, shtetit më me ndikim në BE, për t’i dhënë shtytje këtij procesi përpara për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës në instancat vendimmarrëse të Bashkimit Evropian. Pikërisht, pasi ata vlerësojnë se Republika e Kosovës çalon rëndë sa i përket arritjes së rezultateve pozitive në parandalimin dhe ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Madje, gjermanët vazhdojnë ta shohin si problem edhe çështjen e ikjes së madhe nga vendi dhe migrimit të pafund, për shkak të pasigurisë dhe paperspektivës ekonomike në vend. Këtë fakt e ka bërë të ditur së fundi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Stefan Ruvve- Glösenkamp, sipas të cilit Qeveria e kancelares Angela Merkel ende nuk kanë rënë dakord se çfarë veprime do të marrin në të ardhmen sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e pafat të Republikës së Kosovës!

Vonesa e liberalizimit të vizave nga mospuna e Qeverisë

Sipas Mentor Ademit, derisa populli nuk ngritët në protesta për të bllokuar institucionet me njerëz të korruptuar, edhe BE-ja do të vazhdojë ta mbajë Kosovën si shtetin e vetëm të izoluar dhe pa i dhënë të drejtën e lëvizjes së lirë, liberalizimin e vizave.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte sikur të tubohen nja 500 mijë vetë para Parlamentit, ta bllokojnë Parlamentin dhe Qeverinë, pastaj këta e shohin më mirë se ku janë e çka po na thonë. Unë mendoj se zgjidhje tjetër këtu nuk ka derisa këta janë në pushtet. Përndryshe, ne kështu do të vazhdojmë të jemi akoma të izoluar, nëse qytetari nuk vetëdijesohet për të vepruar në një kohë sa më të shpejtë për ta ndryshuar qeverisjen e korruptuar”, theksoi qytetari Mentor Ademi.

Qytetari Qamil Ismaili tha për “Kosova Sot”, se për dallim nga Kosova, shteti gjerman është një shtet me program social që mendon për të gjitha shtresat dhe për të gjitha etnitetet, është shtet i së drejtës dhe sundimit të ligjit, kurse ne në Kosovë nuk bëjmë asnjë veprim në këtë drejtim, prandaj edhe po e vuajmë izolimin me mosheqjen e vizave. Ismaili beson që liberalizimi i vizave një ditë mund të jetë vetëm dhuratë për qytetarët e përvuajtur të Kosovës, por jo për punën që bëjnë politikanët e korruptuar në krye të shtetit. “Qeveria e Kosovës nuk mendon për qytetarët e vet, e lëre më për qytetarët e tjerë dhe për etnitetet e tjera. Vonesa e liberalizimit të vizave po vjen kryekëput nga mospuna e Qeverisë së Kosovës, sepse Qeveria jonë nuk ka punuar asgjë në atë drejtim, madje edhe sot nuk është duke punuar asgjë. Qëllimet e tyre janë krejtësisht interesa private e personale, sepse vetëm bizneset e tyre po u interesojnë. Pra, qëllimi i politikës së tyre është vetëm se si të arrijnë dhe ta zënë atje lart karrigen derisa për popullin nuk mendojnë fare. Vendet e BE-së kanë asi niveli që të gjitha punojnë dhe kanë programet e veta sociale edhe për qytetarët e të gjitha shtresave, janë shtete të së drejtës, që punojnë seriozisht për shtet, kurse politikanët kosovarë deri më tash nuk kanë punuar për shtet”, është shprehur ai.

Procesi, peng i mosmarrëveshjeve në BE

Sipas Taulant Maxharrajt, Bashkimi Evropian, duke përfshirë këtu edhe Gjermaninë dhe shumicën e vendeve të BE-së, përjashto ato vende që akoma nuk e kanë njohur Kosovën, me shumicë votash ka vlerësuar që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, madje më shumë se vendet e tjera, prandaj ku proces mendon se mbetet peng i mosmarrëveshjeve që kanë disa vende brenda BE-së.”Gjermania është vendi mbështetës kryesor brenda BE-së për Kosovën, edhe në fushën e integrimeve për Kosovën, por kur jemi te liberalizimi i vizave, kjo nuk ka të bëjë krejtësisht me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për mospërmbushjen e kritereve nga pala kosovare, por është më shumë papajtueshmëria e shteteve të BE-së mes veti.

Pra, tani mendoj që është çdo gjë politike dhe nuk ka të bëjë me mospërmbushjen e kritereve, sepse vetë vendet e BE-së, Parlamenti Evropian ka vlerësuar që Kosova i ka përmbushur ato kritere, madje më shumë sesa vendet e tjera. Ata e qesin normalisht në rend të parë akoma çështjen e krimit dhe të korrupsionit, sepse BE-ja nuk dëshiron që përgjegjësinë t’ia lërë vetes, por tanimë pas vlerësimit pozitiv të dhënë nga vetë shumica e vendeve të BE-së rreth përmbushjes së kritereve, topi nuk është te Kosova, por te BE-ja. Tani, kur flitet për përmbushjen e këtyre kritereve në masën e kënaqshme maksimale, unë them që në masë kulminante të kënaqshme nuk arrin t’i përmbushë kriteret asnjë shtet i Ballkanit, por kur jemi tek ky rajon, Kosova gjithsesi i ka përmbushur ato kritere në nivelin e vendeve të tjera në Ballkan, edhe pse i janë përcaktuar më shumë kritere sesa vendeve të tjera”, tha për “Kosova Sot”, Taulant Xhafa, jurist.

Mirëpo, ndryshe mendon qytetari Islam Visoka. Sipas Visokës, zyrtarët e institucioneve të Kosovës kanë zhvilluar një fushatë të madhe lobimi e premtimesh gjithandej vendeve të BE-së, se pas dhënies së rekomandimit pozitiv dhe votimit të raportit në Parlamentin Evropian për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, Kosova do të jetë më e përkushtuar në luftimin e krimit dhe korrupsionit, që ishte kriteri kryesor në të cilin ishte vonuar dhe nuk kishte shënuar rezultatin e kërkuar.

“Në këtë aspekt sikur pati një sukses angazhimi lobues i luftës së njerëzve të institucioneve tona, por ja që tani pas votimit në Parlamentin Evropian skandalet po vazhdojnë, krimi dhe korrupsioni jo vetëm që nuk po ndëshkohet, por edhe sikur po stimulohet. Drejtësia e politizuar nuk po vepron për rastet e nivelit të lartë, që jemi mësuar t’i quajmë raste të jakave të bardha. Pra, tani kur secili shtet do të vendosë veç e veç në mënyrë individuale dhe vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave do të merren ministrat e Brendshëm, nga Këshill i Evropës, gjërat shihen krejtësisht në detaje dhe nën thjerrëz. Këtu qëndron problemi që megjithatë BE-ja nuk po mashtrohet, por po kërkon që zotimi i premtuar edhe të realizohet, krimi dhe korrupsioni të luftohet. Përndryshe, janë qytetarët që po e paguajnë këtë çmim të shtrenjtë, siç po e shohim së fundi edhe nëpërmes përpjekjeve të shtuara për të gjetur një rrugë të largimit nga vendi, për një të ardhme më të mirë, për t’u liruar nga këta njerëz të korruptuar që kanë kapur shtetin dhe nuk e lëshojnë pushtetin”, tha Visoka për “Kosova Sot”.

Ismaili: Vazhdojnë të vjedhin, sepse askush nuk i trazon

“ Liberalizimi nuk do të ndodhë për shkak të vlerësimit të punës së Qeverisë së Kosovës, sepse shikuar realisht nga puna e Qeverisë, ata nuk e meritojnë liberalizimin e vizave për punën që po bëjnë, edhe pse jo të gjithë qeveritarët e Kosovës janë të korruptuar, ka shumë njerëz të mirë edhe në mesin e tyre. Nuk janë të gjithë kriminelë, por zëri i atyre që mendojnë dhe punojnë për qytetarin nuk arrin të dëgjohet, sepse numri është i vogël rreth 30-40%, kurse mbi 40-60% janë njerëz që u takojnë kryesisht grupeve kriminale, janë të mirë-organizuar, i kanë bërë klanet e veta, shoqërinë e vet dhe jetën e vet dhe po vazhdojnë kështu, sepse po i lejojmë edhe ne duke mos i trazuar fare”, theksoi qytetari Qamil Ismaili për gazetën “Kosova Sot”.

 Gashi: Çdo ditë dalin skandale të ndryshme në tenderë

“Gjermania, por edhe vendet e tjera në BE, që hezitojnë për t’i thënë po liberalizimit të vizave për kosovarët kanë argumente të mjaftueshme për mosluftimin e krimit e korrupsionit, prandaj ne po vazhdojmë të mbetemi vendi më i izoluar i rajonit. Mendoj që rezultatet janë zero në luftimin e korrupsionit, prandaj edhe çështja e liberalizimit të vizave do të vazhdojë gjatë dhe nuk do të kemi vendim për liberalizimin e shpejtë. Ka çdo ditë edhe skandale politike, edhe skandale të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gati çdo ditë ndodhin skandale të ndryshme edhe me tenderë e me çka jo tjetër.

Për këtë agoni një përgjegjësi e kemi edhe ne qytetarët, sepse të gjitha skandalet po i shohim e po i dimë, por po vazhdojmë të jemi popull i përgjumur që vetëm po flemë dhe nuk reagojmë

. Përndryshe, në shtetet e tjera po të ndodhin këto që po ndodhin tek ne ngritët menjëherë popullata dhe ndërmarrin diçka, qoftë me protesta, qoftë me bllokada demokratike të jetës institucionale, politike e publike”, theksoi i riu Florent Gashi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)