Sot në Moskë takohen presidentët Erdogan dhe Putin

  • 08 April 2019 - 10:35
Sot në Moskë takohen presidentët Erdogan dhe Putin

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, pritet të takohet sot në Moskë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Vizita e tij vjen vetëm disa ditë pas thellimit të mosmarrëveshjes me Uashingtonin për planet ushtarake në Siri dhe blerjes së sistemit raketor rus.

Turqia është anëtare e NATO-s dhe marrëdhëniet e saj me Rusinë kanë qenë historikisht të tensionuara. Sidoqoftë, Moska dhe Ankaraja kanë ndërtuar marrëdhënie të ngushta ekonomike që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe i kanë përmirësuar lidhjet diplomatike në kohën kur Turqia i ka dobësuar marrëdhëniet me Uashingtonin dhe Bashkimin Evropian.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tjera anëtare të NATO-s kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Turqisë për ta blerë sistemin raketor S-400 nga Rusia për shkak se ky armatim vlerësohet si kërcënim për aeroplanët luftarakë amerikanë të tipit F-35.

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, tha javën e kaluar se Turqia duhet të zgjedhë nëse dëshiron të mbetet partner i ngushtë i NATO-s apo ta rrezikojë sigurinë e kësaj miqësie përmes vendimeve që e vënë në rrezik bashkëpunimin mes shteteve.

Për më tepër, zyrtarët e Departamentit të Shtetit e kanë paralajmëruar Turqinë se mund të përballet me sanksione nëse e realizon blerjen e sistemit raketor rus, shkruan “Free Europe”

(Kosova Sot)