Nga vrasja e shokut tek atentatet e shumta ndaj tij, njihuni me Elvis Gaçajn i arrestuar si pjesëtar i...

  • 08 April 2019 - 18:43
Nga vrasja e shokut tek atentatet e shumta ndaj tij, njihuni me Elvis Gaçajn i arrestuar si pjesëtar i...

Elvis Gaçaj është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Dy herë i dënuar për krime të rënda, vrasje e tentativë vrasje, por i hetuar edhe për trafik drogë brenda e jashtë Shqipërisë.

Gaçaj është dënuar për vrasje në vitin 1992. Ai ishte adoleshent kur vrau me thikë shokun e tij.

Duke e goditur në njërën kofshë, i preu arterien kryesore dhe për pasojë bashkëmoshatari gjeti vdekjen në spital. Për këtë ngjarje ai është dënuar me 14 vjet burg, dënim të cilin e ka përfunduar para disa vitesh. Vetëm pak muaj pasi kishte dalë nga burgu, në vitin 2008 Gaçaj përfundon sërish në pranga.

Më 30 shtator të vitit 2008, Policia e Tiranës njoftonte se, specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kishin arrestuar shtetasin, Elvis Shpëtim Gaçaj, në atë kohë 32 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje. Sipas Policisë, Gaçaj ishte arrestuar si autor i dyshuar për plagosjen për motive të dobëta të shtetasit Sefer M., ngjarje kjo e ndodhur me datë 26 korrik 2008.

Nuk përfundojnë këtu problemet e tij me drejtësinë.

Më 1 tetor të vitit 2015, u organizua një atentat ndaj tij, duke u vrarë gabimisht dy persona të tjerë.

Ndaj Gaçajt ishin organizuar edhe dy atentate të tjera, të kryera me eksplozivë, por që kishte arritur të mbijetonte. Plumbat e nisur për Gaçajn i morën jetën të dashurës së tij dhe 22-vjeçarit që punonte për të.

Ai vetë shpëtoi me dy plagë të lehta në shpatull e në dorë, ndonëse autorët i kanë shkrepur armët plot 29 herë.

Për ngjarjen, policia arrestoi shtetasit Sael Sulaj, 20 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Vasiel Çavo, 23 vjec, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Konflikti midis tyre kishte lindur për shkak se Gaçaj u kishte kërkuar të punonin për të për të shpërndarë lëndë narkotike në zonën e Stadiumit Dinamo në Tiranë, por të rinjtë nuk kishin pranuar. Ata më pas u rrahën nga Gaçaj. Sael Sulajn është dënuar me 35 vite burg dhe Vasel Çavo me 20 vite burg.

(Kosova Sot)