E vranë dhe më pas e djegën, Policia jep detaje të reja për rastin në Skenderaj

  • 09 April 2019 - 12:43
E vranë dhe më pas e djegën, Policia jep detaje të reja për rastin në Skenderaj

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja  për rastin e djeshëm ku një person u gjet i vdekur brenda një veture në Skënderaj.

Por zëdhënësi i policisë për këtë rajon, Avni Zaiti ka dhënë detaje shtesë lidhur me rastin.

Viktima në këtë rast është I.Z, rreth 48 vjeçar, ndërsa vetura e djegur me targa vendore ishte në pronësi të tij.

Tutje është theksuar se nga hetimet e para të kryera nga hetuesit e Krimeve të Rënda është bërë e ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe pesë gëzhoja të armës.

Njoftimi i plotë dhënë për media:

Rreth orës 19:00 të datës 8 prill 2019, Policia ka pranuar informacion se në fshatin Prekaz i Epërm të Skenderajt,  një veturë ishte  kapluar  nga zjarri. Drejtë vendit të ngjarjes me urgjencë kanë reaguar njësitë policore dhe njësia e zjarrfikësve ku pas fikjes së zjarrit brenda në veturën e djegur është gjetur një trup i pajetë. Nga hetimet  e para dyshohet se trupi i pajetë është i viktimës I. Z. rreth 48 vjeçar, ndërsa vetura e djegur me targa vendore ishte në pronësi të viktimës.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe hetimet fillestare të bëra nga hetuesit e Krimeve të Rënda në vendin e ngjarjes janë gjetur pesë gëzhoja të armës.

Marrë parasysh të gjeturat fillestare në vendin e ngjarjes dhe elementet tjera rethanore, sipas prokurorit të rastit  hetimet janë duke u zhvilluar mbi dyshime për vepër penale ‘ vrasje e  rëndë’.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.

E ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka shprehur ngushëllime për personin i cili ndërroi jetë tragjikisht në makinë gjatë natës së mbrëmshme.

“Është tragjik lajmi i vdekjes së Ilir Zeqirit nga Kopiliqi i Poshtëm i Skenderajt. Ai ishte veteran i luftës dhe vëlla dëshmori. Për shumë vite punoi ndershëm për ta siguruar bukën e gojës për familjen e tij, ku edhe vdiq aksidentalisht. Ngushëllimet më të sinqerta nga ana ime për familjen Zeqiri!”, shkruan Lushtaku në Facebook.

(Kosova Sot)