Akuza e rënë për pushtetarët: Kështu po e realizojnë planin famëkeq të Cubrilloviqit

  • 09 April 2019 - 13:19
Akuza e rënë për pushtetarët: Kështu po e realizojnë planin famëkeq të Cubrilloviqit

Kosova po rrezikon të ballafaqohet edhe me një valë të re ikjesh nga vendi, ku një numër i madh i qytetarëve të Kosovës kanë filluar të largohen drejt vendeve perëndimore. Analistët thonë se kështu realizohet plani serb për zbrazjen e Kosovës, por tash për fajin e politikanëve kosovarë të inkriminuar.

E lidhur me këtë, analisti politik, Faik Krasniqi, për gazetën “Kosova Sot” thotë se kjo klasë politike e ka vrarë të ardhmen dhe shpresën e te rinjve. Kosovën e kanë bërë vend të pajetueshëm.

Image
Faik Krasniqi

“Një eksod i tillë edhe është pritur. Kjo klasë politike e ka vrarë të ardhmen dhe shpresën e te rinjve. Kosovën e kanë bërë vend të pajetueshëm. Vend të pa perspektivë. Jo vetëm për të rinjtë, por për gjithë qytetarët që nuk janë pjesë e ndonjë partie politike, e sidomos partive në pushtet. Për dy dekada këta politikanë nuk janë gjë të zezë pa i bërë këtij vendi dhe qytetarëve të saj”, u shpreh Krasniqi.

Ai thotë se me veprimet e tyre, politikanët kosovarë po realizojnë planin famëkeq të Cubrilloviqit.

“Me veprimet e tyre ata po e realizojnë planin famëkeq të Cubrilloviqit për dëbimin e shqiptarëve. Dhe ja arritën qëllimit. Është pak vonë që të merren masa për të parandaluar këtë eksod legal që po ndodh drejt shteteve të Bashkimit Evropian me viza pune. Shumica e popullit e kanë ndarë mendjen që te ikin në mënyrë legale nga këtu, sepse s'mund të jetosh në një vend ku nuk të ofron asgjë, as punë, as arsim dhe shëndetësi cilësore”, thotë Faik Krasniqi për “Kosova Sot”

“Prej 1 janarit 2020 eksodi legal do të jetë shumë fish me i madh, sepse në Gjermani futet ligji i punës me procedura të thjeshta. Atëherë do ta shohim eksodin e vërtetë legal. Por nuk është vetëm Gjermania, edhe gati gjysma e Evropës kanë ligjin e punës për shtetet e Ballkanit Perëndimor” është shprehur ai.

Tutje, Krasniqi thotë se Kosovën pas dy ose tri viteve e sheh si një kolaps ekonomik, ngase mungesa e të rinjve që janë fuqi punëtore.

“Edhe ekspertet me të mëdhenj ekonomik e kanë vështirë të analizojnë mbijetesën e këtij shteti pa popull, e sidomos pa rini që janë fuqi punëtore. Si një njohës edhe i çështjeve ekonomike, Kosovën brenda dy-tre viteve e shoh në një kolaps ekonomik. Këta që e sollën Kosovën dhe qytetarët e saj në këtë gjendje, duhet të turpërohen për këtë gjë, por këta nuk kanë turp. Deri sa Qeveria mohon këtë eksod, çfarë pret prej këtyre njerëzve” përfundoi Faik Krasniqi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)