Studentëve të Ekonomikut dhe Juridikut iu dalin notat edhe në Google

  • 09 April 2019 - 15:37
Studentëve të Ekonomikut dhe Juridikut iu dalin notat edhe në Google

Gjithë notat që marrin nëpër provime, studentëve të Fakultetit Ekonomik dhe Juridik iu figurojnë edhe në Google. Ato mund të shihen nga secili. Mjafton që të shkruash emrin e studentit/es dhe të shfaqen notat në pothuajse të gjitha lëndët. Dekanët e këtyre dy fakulteteve e pranojnë se publikimin e notave e praktikojnë ende disa prej profesorëve, por thonë se deri tani nuk kanë pranuar asnjë ankesë nga ana e studentëve për këtë çështje.

Arditi nga Prishtina është nxënës i vitit të III’të në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Hasan Prishtina”. Për rezultatet e tij në provime, më shpejt e kuptojnë familja e tij dhe shoqëria, sesa vetë ai.

Gjithë kjo pasi që notat e secilit prej studentëve të këtij Fakulteti, figurojnë edhe në Google. Mjafton që të shkruash emrin e studentit që të të shfaqen notat që nga fillimi i studimeve.

“Në fakultetin ekonomik, të gjithë i dinë të dhënat e tjetrit. Të gjithë profesorët gjatë studimeve i kanë publiku notat, ose pikët në provime krejtësisht të hapura. Mjafton të shkruhet një emër në Google dhe dalin notat”, tregon Arditi.

Por, nuk janë vetëm studentët e Fakultetit Ekonomik që përballen më një problem të tillë. Ankesa për të njëjtën çështje kanë edhe ata të Juridikut. Edhe notat e tyre janë publike, e mund të shihen nga të gjithë më një kërkim shumë të thjeshtë.

E se notat e studentëve vazhdojnë të publikohen e pranon edhe Dekani i Fakultetit Ekonomik, But Dedaj.

Dedaj i ka thënë se publikimi i listave me nota të studentëve ka qenë traditë, dhe që vazhdon të praktikohet ende nga disa profesorë. 

“Publikimi i listave të notave të studentëve ka qenë traditë që me u ba në tabela të shpalljeve, edhe që vazhdon ende. Nuk e bajnë krejt profesorët, por veç disa. Mundesh me hy në të gjitha lëndët që unë i jap, edhe nuk mundesh me gjetë asnjë notë. Por, disa profesorë vazhdojnë me e praktiku këtë formë”, thotë Dedaj.

Deklaron se deri tani, ata si Dekanat nuk kanë pasur asnjë ankesë prej studentëve për këtë çështje. Shton se nëse dikush do të ankohet, do ta zgjidhin këtë problem.

“Nuk kemi pas ndonjë ankesë prej studentëve. Por, në momentin që do të kemi, ky nuk është problem i madh. Veç i sugjerojmë profesorët edhe nuk i publikojnë më, por i vendosin direkt në SEMS”, ka thënë Dekani Dedaj.

Edhe Dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi e pranon se notat më herët janë publikuar gjithë notat, ashtu që të njoftohen gjithë studentët me rezultatet në kohë, pasi që notimi bëhej në INDEKS.. Publikimin e rezultateteve, ai e lidh edhe me transparencën në notim. 

“Publikim i notave ka qenë proces në kuadër të njoftimit të studentëve me rezultatin e notave në provim, pasi që notimi është bërë me INDEKS. Po ashtu është konsideruar edhe si transparencë e mënyrës së njoftimeve dhe notimit. Po ashtu me publikim të rezultateve  i është dhënë mundësia studentëve që ta kundërshtojnë notën gjatë konsultimeve, nëse janë të pakënaqur me notim”, shpjegon Gashi.

Por, pas instalimit të sistemit elektronik SEMS, Gashi thotë se kanë kërkuar nga mësimdhënësit që notimi të bëhet vetëm me SEMS dhe jo shpallje publike.

E kur është pyetur nëse me publikimin e notave edhe në Google po shkilet privatësia e studentëve, Gashi ka thënë se kjo më shumë lidhet me transparencën.

“Pasi e kemi instaluar sistemin elektronik SEMS dhe zhvendosur të gjitha shënimet me INDEKS, kemi kërkuar nga mësimdhënësit që notimin ta bëjnë vetëm me SEMS dhe jo shpallje publike në tabelën e shpalljeve ose ËEB. Megjithatë, prapë ka diskutime se publikimi i rezultateve të notimit a është transparencë apo privatësi. Konsideroj se google mund ti gjeneroj vetëm notat e shpalljes së rezultateve dhe jo edhe notat e vendosura në SEMS”, ka thënë Gashi.

Deri tani, ai thotë se nuk kanë pranuar ndonjë ankesë për këtë çështje, “sepse shpallja e rezultateve është konsideruar njoftim i domosdoshëm për studentë dhe transparencë e punës dhe mënyrës së vlerësimit të studentëve.”

Për dallim nga këto dy fakultete, në të tjera publikimi i rezultateteve është i rregulluar më ndryshe. Secili rezultat i dërgohet vetëm studentit në email, dhe i vendoset nota në SEMS, pa u publikuar askund. 

(Kosova Sot)