Shpërthejnë qytetarët: VV-ja do të ndëshkohet se kandidoi njeriun e Devollëve dhe të klanit “Pronto”

  • 10 April 2019 - 07:40
Shpërthejnë qytetarët: VV-ja do të ndëshkohet se kandidoi njeriun e Devollëve dhe të klanit “Pronto”

 Gjyshinca: VV-ja duhet të përgjigjet pse i dha edhe një mundësi tjetër që të jetë kryetar Shpend Ahmeti, duke ditur paraprakisht se çfarë synimesh e lidhjesh kishte ai me klanin ‘Pronto’

“Shpend Ahmeti u pa qysh në mandatin e parë se ka lidhje të ngushta me Devollët dhe klanin ‘Pronto’, kështu që ishte gabim i dyfishtë i VV-së kur e rikandidoi atë në mandatin e dytë dhe përsëri me votat e manipuluara të klanit ‘Pronto’ arriti t’ia sigurojë vazhdimin e një mandati tjetër Shpend Ahmetit.

E ky, si një mjeshtër i mirë, ia ktheu me tradhti VV-së dhe iku duke e lënë në opozitë në nivelin komunal, kurse në Parlament e ndau hisen e deputetëve të vet dhe po i bashkohet qeverisjes së klanit ‘Pronto’. Për këtë lloj gabimi jam i sigurt që VV-ja nuk do të shpëtojë pa u ndëshkuar në zgjedhjet e reja nga ajo pjesë besnike e elektoratit, e cila që në fillim ka pasur vërejtje te personaliteti i Shpend Ahmetit”, tha Selatin Fazliu- Ballisti për “Kosova Sot”

Qytetarët e anketuar nga gazeta, lidhur me gjykimin dhe vlerësimin e tyre për politikën që po e qeveris vendin tani dhe atë që e ka qeverisur në të kaluarën, shprehen tërësisht të zhgënjyer dhe të dëshpëruar thellë me të gjitha partitë politike pa dallim, si në pushtet ashtu edhe në opozitë.

Madje ata vazhdojnë të jenë shumë të zhgënjyer edhe me subjektin e ri politik VV-në, e cila po i bën tani dy mandate në Kuvendin e Kosovës dhe një mandat në qeverisjen e Prishtinës me ish-kandidatin e saj për kryetar, Shpend Ahmetin. Sipas qytetarëve, kur është rasti te Prishtina dhe kryetari që po e qeveris keq kryeqytetin, votuesit duhet kërkuar përgjegjësi edhe nga opozita, e në rastin konkret i bie që duhet kërkuar përgjegjësi nga VV-ja, e cila e solli në pushtet në kryeqytet njeriun e krimit të organizuar, Shpend Ahmetin –Jahtin, i cili nëse e ka mashtruar VV-në në mandatin e parë, nuk është dashur që të njëjtin mashtrim të arrijë ta bëjë edhe në mandatin e dytë.

Sipas qytetarëve të anketuar nga gazeta, VV-ja tani duhet të japë përgjegjësi që njeriun e krimit e zgjodhi dy herë kryetar të Prishtinës, edhe pse që nga starti shihej qartë se Shpend Ahmeti është njeri i klanit ‘Pronto’ dhe nëntokës kriminale, në jahtet e të cilëve edhe u zu mat. Për këtë shkak, qytetarët besojnë që në zgjedhjet e radhës, kurdo që mbahen ato, duhet ndëshkuar me votë gjithë këtë klasë politike të inkriminuar, si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin komunal, siç është rasti edhe për VV-në me Shpend Ahmetin.

Image
Nuhi Jashari

Besimi qytetar, në nivelin më të ulët

Qytetari Nuhi Jashari tha për “Kosova Sot” se ai personalisht vlerëson që as për së afërmi këto subjekte politike nuk kanë arritur të arsyetojnë besimin e dhënë nga qytetarët për të qeverisur, si në nivelin lokal edhe në atë qendror.”Madje nëse ne mundë ta bëjmë një matje, këto parti politike nuk e kanë arsyetuar as në masën 10% atë besim që ua kemi dhënë ne si qytetarë.

Qytetarët janë të zhgënjyer tanimë deri në masën e fundit, skajshmërisht. Ky zhgënjim fatkeqësisht po ndodh edhe me ‘Vetëvendosjen’, e cila erdhi si subjekt i ri politik, i pasprovuar në qeverisje dhe testin e parë e pati me Prishtinën. Mirëpo, u pa menjëherë që VV-ja u mashtrua nga Shpend Ahmeti në mandatin e parë dhe askush tani më nuk e kupton se si ndodhi që ai gabim të përsëritet edhe në një mandat tjetër, kur po ajo VV e ri kandidoi Shpend Ahmetin edhe në mandatin e dytë”, u shpreh ai. “Pra, ka gabuar rëndë VV-ja në rastin e Shpend Ahmetit, për çka edhe duhet të përgjigjet para votuesit, duhet të ndëshkohet dhe besoj që do të ndëshkohet.

Që në mënyrën se si ka qeverisur Shpend Ahmeti në mandatin e parë, është dashur ta dinë zyrtarët e VV-së se kah e ka ndërmend të shkojë Shpend Ahmeti, sepse realisht ai që në fillim u zbulua se ka qenë piun i të tjera partive politike, i klanit ‘Pronto’ që edhe zgjodh në mandatin e parë dhe u rizgjodh po ashtu edhe në mandatin e dytë. Prandaj, unë mendoj që VV-ja do të ketë pasoja dhe vështirësi në zgjedhjet e reja, sepse ai e mashtroi që në fillim VV-në, madje nuk dha pothuajse asgjë për Prishtinën në mandatin e parë, por nuk u ndëshkua nga VV-ja, e cila i dha mundësi të re dhe e rikandidoi përsëri në mandatin e dytë. Ai u mor vetëm me punë të tjera, por punën dhe obligimin e kryetarit nuk e ka kryer asnjëherë si duhet”, theksoi Nuhi Jashari për “Kosova Sot”.

Image
Islam Gjyshinca

Mashtrimi i Shpend Ahmetit

Po aq i zhgënjyer dhe i mashtruar ndihet edhe qytetari Islam Gjyshinca.“Kjo klasë politike na ka zhgënjyer dhe mashtruar tej mase për plot 20 vjet pas lufte.

Mendoj që tani duhet të ketë ndryshime dhe reformim të thellë të këtyre partive politike, që të pastrohen nga ata njerëz që janë bërë uzurpatorë të shtetit dhe të demokracisë dhe e pengojnë zhvillimin e vendit, sepse brezi i ri po mbetet pa punë dhe rinia me të madhe ka filluar të ikën, të largohet nga vendi. Këta njerëz që janë në pushtet nuk i zbatojnë as minimalisht ligjet dhe Kushtetutën, por punojnë vetëm për interesin e tyre, prandaj edhe ne të moshuarit dhe rinia, dita-ditës, po vazhdon t’i humbë shpresat në të ardhmen e vet më të mirë”, vlerëson ai.

“Edhe në Prishtinë para disa vjetësh provuam të bëjmë një ndryshim me ‘Vetëvendosjen’ dhe Shpend Ahmetin. Ata e propozuan dhe e bënë kryetar, por ja që nuk zgjati shumë dhe ai e bëri atë veprimin e vet, duke i tradhtuar, ua ktheu shpinën”, potencoi Gjyshinca. “Shpend Ahmeti u propozua nga VV-ja edhe në një mandat të dytë, pavarësisht se u pa që nuk është plotësisht në linjat e VV-së, prandaj me siguri që këtu do të ketë pasoja për VV-në dhe kjo parti politike duhet të përgjigjet pse i dha edhe një mundësi tjetër që të jetë kryetar Shpend Ahmeti, duke ditur paraprakisht se çfarë synimesh e lidhjesh kishte ai me klanin ‘Pronto’. Ai që në fillim është ditur se i ka takuar një tjetër partie politike, por erdhi në VV dhe tash ia ktheu shpinën VV-së dhe po punon kundër tyre”, tha Islam Gjyshinca për “Kosova Sot”.

Image
Shemsi Klinaku

VV-ja të mos fshihet pas PSD-së

“Për mendimin tim, që të gjithë janë njësoj dhe nuk dallojnë, as pozita as opozita, as në nivelin lokal dhe as në atë qendror. Unë po them që ishalla bëhet më mirë, ishalla del një nismë e re politike me njerëz të pakorruptuar dhe të pasprovuar sikur këta që janë zhytur në krim e në korrupsion, sepse vaj halli për ne qytetarët e klasës së ulët që nuk kemi asnjë lidhje me politikën. Njësoj është deri tash me të gjitha partitë politike pa dallim, pa e përjashtuar këtu edhe VV-në, e cila duhet të përgjigjet për keqqeverisjen e Prishtinës, sepse kandidatura e Shpend Ahmetit e ka vulën e VV-së dhe jo të PSD-së”, tha Shemsi Klinaku.

Image
Ragip Haxha

Kape njërin, bjeri tjetrit...

“Të zhgënjyer tej mase e të pakënaqur në maksimum nga të gjithë këta që po na qeverisin. Këta po thirren që e kanë çliruar vendin dhe po harrojnë që lum e shyqyr që na ndihmuan Amerika, Gjermania dhe shtetet tjera për ta çliruar vendin, kurse këta tonët tani, në të gjitha nivelet vetëm po vjedhin e nuk po këqyrin për vete, asgjë për popull nuk po u bie ndërmend, prandaj ky popull po detyrohet të ikë nga shteti i vet, sepse këta njerëz që po e qeverisnin vendin, që po e vjedhin e plaçkitin, nuk kanë lënë vend për të jetuar këtu.

Edhe këta në Prishtinë, me këto ndryshimet e reja që kinse u bënë në qeverisje nuk ndryshuan asgjë. Si Shpend Ahmeti, si LDK-ja, si PDK-ja, si VV-ja, kape njërin e bjeri tjetrit, një hamam që të gjitha janë, sepse për popull asgjë të mirë prej tyre nuk do të ketë. Të gjithë këta duhet ndryshuar, duhet përjashtuar me votë nga skena politike, sepse që të gjithë njësoj, kush më shumë e kush më pak, vetëm po e zhvatin, po e plaçkitin vendin dhe po e vrasin të ardhmen e brezit të ri”, tha Ragip Haxha.

Image
Selatin Fazliu

Partitë punojnë për klientela

Qytetari Selatin Fazliu tha për “Kosova Sot” se është shumë e vërtetë që asnjë parti politike nuk po i mban premtimet që po i jep në zgjedhje, gjatë fushatës elektorale, prandaj po humbet besimi qytetar dhe po rritet numri i atyre që nuk po dalin në zgjedhje.“Nuk ka asnjë dyshim më të vogël që qytetarët vazhdimisht po shkojnë duke u dëshpëruar me të gjitha partitë politike, pasi që nuk mbeti deri më tash asnjë nga këto pa i provuar, pa u testuar se si do të sillet kur ta merr qeverisjen e vendit.

Këto partitë tradicionale, që janë bërë si pashallëqe sundimtare, LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja, tanimë dihet që janë shpërlarë krejtësisht dhe nëse nuk reformohen e rifreskohen me njerëz të rinj, të pakorruptuar, nuk do ta kthejnë besimin qytetar, por do të mbeten të izoluara vetëm në kuadër të klientelave të tyre të ngushta të interesit. Ishte me të vërtetë një mashtrim i madh për ne kur doli dhe hyri në Parlament Lëvizja ‘Vetëvendosje’, e cila aksidentalisht, me ndihmën e klanit ‘Pronto’ arriti ta marrë për herë të parë qeverisjen e Prishtinës nga LDK-ja”, theksoi ai.

Image
Enver Hajdini

Rikandidimi ishte fatal për kryeqytetin

Sipas qytetarit Enver Hajdini, llogaridhënia dhe ndëshkimi i VV-së për shkakun që nuk mblodhi mend me qeverisjen e keqe të Shpend Ahmetit në mandatin e parë, por i dha mundësi të kandidojë edhe në një mandat të dytë, është një fakt i pashmangshëm dhe do të ndodhë gjithsesi në zgjedhjet e radhës. “Ka për t’u ndëshkuar bile edhe shumë, sepse realisht Shpend Ahmeti nuk ka punuar asgjë për Prishtinën, asgjë nuk ka punuar, vetëm sa e ka bërë akoma më shumë llugë…më shumë rrëmujë sesa që në fakt ka qenë në të kaluarën, para tij, kryeqyteti - Prishtina.

Dorën në zemër, derisa ka qenë kryetar Isa Mustafa, Prishtina, edhe pse ka pasur disa probleme, ka qenë duke u zhvilluar shumë më mirë, janë bërë disa ndryshime dhe ndërtime të dukshme e të prekshme që i kanë dhënë pamje tjetër qytetit, por nga momenti kur ra nga pushteti Isa Mustafa dhe e mori komunën Shpend Ahmeti, Prishtina filloi të stagnojë, të mos zhvillohet, nuk u ndryshua asgjë pozitivisht, por realisht vetëm u shkatërrua dhe u ndëshkua dhe u bë diçka e pakëndshme dhe e padëshirueshme për qytetarët e Prishtinës”, u shpreh ai.

“Mendoj që VV-ja ka përgjegjësi pse e rikandidoi Shpend Ahmetin në mandatin e dytë, sepse në këtë mandat do ta degradojë Prishtinën akoma më shumë, sepse Prishtina ka qenë ngjashëm në këtë gjendje në vitin 2002 dhe diku në atë gjendje është edhe sot”, theksoi Enver Hajdini për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)