KQZ-ja, instrument i partive, nuk garantohet vota e lirë

  • 10 April 2019 - 08:10
KQZ-ja, instrument i partive, nuk garantohet vota e lirë

 Burjani: KQZ-ja duhet të depolitizohet plotësisht

“Asgjë e rastësishme nuk po ndodh që partitë po luftojnë të marrin hise në KQZ, aty ku vota shitet e blihet me miratimin e anëtarëve të dirigjuar nga mafio-oligarkët e pushtetit. Po për sa kohë kjo KQZ do të vazhdojë të mbetet me këtë përbërje, vota e lirë nuk do të ketë kurrfarë kuptimi, sepse, pavarësisht si votohet, matematikat bëhen nën tavolinë dhe aty vendos mafia e nëntokës kriminale”, theksoi analisti Ragip Guraziu për gazetën “Kosova Sot”

Partitë ngarendin që të marrin hise në KQZ, aty ku vota shitet e blihet me miratimin e anëtarëve të dirigjuar nga oligarkët e pushtetit. Sipas analistëve, për sa kohë KQZ-ja do të vazhdojë të mbetet me këtë përbërje, vota e lirë nuk do të ketë kurrfarë kuptimi, sepse, pavarësisht si votohet, matematikat bëhen nën tavolinë dhe aty vendos mafia e nëntokës.

Sipas tyre, kjo klasë politike, në vend se të reformojë kodin elektoral dhe të garantojë një përfaqësim sa më të besueshëm dhe apolitik në KQZ, realisht po vazhdon që KQZ-në ta mbajë si instrument të partive politike tërësisht të inkriminuara? Ata thonë se në KQZ duhet të zgjidhen njerëzit apartiakë, me integritet, profesionistë, që nuk u japin llogari kryetarëve të partive, por punojnë me përgjegjësi, për të garantuar votën e lirë të qytetarëve.

Image
Ragip Guraziu

 Guraziu: Matematikat bëhen nën tavolinë

Analisti Ragip Guraziu theksoi për gazetën “Kosova Sot” se KQZ-ja jep mundësinë më të lakmueshme për t'i blerë votat e kjo është arsyeja pse të gjitha partitë bëjnë ''turr'' që të kenë përfaqësuesit e tyre. “Asgjë e rastësishme nuk po ndodh që partitë po luftojnë që të marrin hise në KQZ, aty ku vota shitet e blihet me miratimin e anëtarëve të dirigjuar nga mafio-oligarkët e pushtetit.

Po për sa kohë kjo KQZ do të vazhdojë të mbetet me këtë përbërje, vota e lirë nuk do të ketë kurrfarë kuptimi, sepse, pavarësisht si votohet, matematikat bëhen nën tavolinë dhe aty vendos mafia e nëntokës kriminale dhe opozita po lakmon, por tani vonë, siç ndodhi me VV-në kur u nda në dysh, e tani me sejmenët e tij që po tallen me VV-në e Albin Kurtit. Shpend Ahmeti veç është i mësuar me zanatin e korrupsionit, bile aq mirë e ka përvetësuar saqë po loz me qytetarët e Prishtinës si po do, duke lënë me dy këmbët Komunën dhe qytetarët e saj në baltë”, është shprehur Guraziu.

Sipas tij, kjo klasë politike, në vend se të reformojë kodin elektoral dhe të garantojë një përfaqësim sa më të besueshëm dhe apolitik në KQZ, realisht po vazhdon që KQZ-në ta mbajë si instrument të partive politike tërësisht të inkriminuara, pasi në KQZ duhet të zgjidhen njerëzit apartiakë, me integritet, profesionistë, që nuk u japin llogari kryetarëve të partive, por punojnë me përgjegjësi, për të garantuar votën e lirë të qytetarëve...

Image
Ali Hertica

KQZ-ja duhet të depolitizohet
Analisti Ali Hertica theksoi për “Kosova Sot” se Kosova është e kapur nga politikanët dhe udhëhiqet edhe nga nëntoka kriminale. Ai shton se vota e qytetarëve nëpërkëmbet me të madhe nga politikanët dhe dirigjohet nga mafio-oligarkët. “KQZ-së dhe shoqërisë kosovare u nevojitet mbështetja profesionale e OSBE-së, por ajo duhet të jetë më specifike. Fushat e mundshme të mbështetjes janë zhvillimi i akteve nënligjore të KQZ-së dhe i rekomandimeve të bazuara në punën e monitoruar, por edhe të shoqërisë civile për të garantuar votën e lirë të qytetarëve”, është shprehur ai.

Sipas analistit Blerim Burjani, KQZ-ja duhet të depolitizohet plotësisht dhe me këtë strukturë partiake ky institucion po e humb kuptimin.“Nominimi i anëtarëve të KQZ-së nga presidenti e pasqyron më së miri këtë, kërkesa elementare është që të depolitizohet ky institucion që me Kushtetutë është i pavarur e në funksionim është tërësisht partiak. Përfaqësimi politik në këtë organ kushtetues duhet të ndalet, duhet ndryshuar Kushtetutën dhe ligjin për zgjedhjet për të hequr ndikimin politik në këtë organ. Dëmi i madh i është bërë pa ndalë votës dhe qytetarëve, manipulimi, vjedhja partiake e votave s’kanë të ndalur. Ky institucion duhet të përbëhet në të ardhmen nga gjyqtarë dhe nga bota akademike. Sa më parë që të ndodhë reforma ligjore dhe kushtetuese, aq më mirë”, është shprehur Burjani. Ai shton se në zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme pritet një koalicion AAK- NISMA-PSD, e këto subjekte e kundërshtojnë formulën e nominimit të Thaçit.

Image
Shefik Shkodra

Shkodra: Po përdoren mundësi për ta eliminuar njëri-tjetrin

“Tash po shihet se ka mundësi të tjera për ta eliminuar njëri-tjetrin. KQZ -ja e tashme nuk shpreh garanci të plotë për të funksionuar drejt e pa ndonjë ndërhyrje artificiale. Ndryshe, KQZ-ja do të ishte sinonim e në veprim të së drejtës për numërimin real të votave për të gjitha subjektet e regjistruara dhe pjesëmarrjen e tyre në votime. Obstruksionet nuk janë kolegiale e as ligjore. Ndonëse kemi thënë se nuk ka ndonjë hair nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, e as nga ato të rregullta.

Po përfaqësuesit e partive, me marrëveshje, kanë të drejtë të shprehin pakënaqësi. Me përfaqësues të pranishëm të të gjitha partive, vota kushtimisht do të ishte më legjitime. KQZ-ja për këtë arsye do të duhej të ishte e plotë”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Shefik Shkodra.

(Kosova Sot)