Zeqa: Turp kush po na udhëheq…Kosova në duart e Al Caponëve

  • 10 April 2019 - 12:11
Zeqa: Turp kush po na udhëheq…Kosova në duart e Al Caponëve

Analisti Florim Zeqa vlerëson se sikur të mos kishte ngjashmëri të madhe mes pozitës dhe opozitës, nuk do të kishte pajtueshmëri përballë heshtjes ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Pozita dallon nga opozita vetëm sa i përket kolltukut të pushtetit, por i bën bashkë tenderomania e korrupsioni, bizneset dhe korporatat fitimprurëse të oligarkëve ekonomikë.

Si rezultat i kësaj situate, për aq sa pozita, edhe opozita po i frikësohet një VETTING-u gjithëpërfshirës në Kosovë. Ndryshe, sikur ta kishim një opozitë të pastër e të fuqishme do ta kishim një pushtet më të përgjegjshëm dhe më të kujdesshëm në veprime”, theksoi ai. “Në rrethana normale, çdo opozitë do ta shndërronte VETTING-un në kauzën dhe aksionin më të madh politik të saj.

Është e kuptueshme pse Qeveria nuk e bën ligjin për VETTING-un, si për drejtësinë, ashtu edhe për politikën, por për arsye të sipërcekura edhe opozita nuk denjon të hapë këtë çështje në Kuvend dhe t'i bëjë presion Qeverisë për sjelljen e ligjit për VETTING-un në Kuvend. Kështu, pra, pozita dhe opozita po rrinë të strukura sikurse "patat e ngrira në thes" sa i përket VETTING-ut, për shkak se si politikanë të inkriminuar që janë, e ndjejnë veten më komodë pa VETTING-un, për të vazhduar lirshëm me zhvatjen dhe paligjshmëritë e tyre të pandalshme”, potencoi Zeqa për “Kosova Sot”.

“E, gjithashtu edhe gjyqtarët e prokurorët, kjo situatë shkon në favorin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që marrin superpagat kot së koti pa e dhënë asnjë rezultat në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Florim Zeqa.

Lexoni edhe:Sipas tij, me këta politikanë të inkriminuar, por edhe me këta prokurorë, policë hetues e gjyqtarë, jo vetëm që nuk ka shans të kemi sundim të ligjit, kriminelët do ta bëjnë gjumin rehat për shkak se nuk ka shans që të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, nuk ka shans që të arrestohet e lërë më të dënohet mafia politike kriminale në Kosovë, e cila është aq e fuqishme, saqë asnjë BOS i nivelit të lartë, qoftë nga politika e inkriminuar apo nga mafio-oligarkia e nëntokës kriminale, nuk ka shans të sillet në bankën e të akuzuarve, e lërë më të përfundojë në burg!

(Kosova Sot)