Bie për një të tretën numri i ekzekutimeve në nivel botëror

  • 10 April 2019 - 17:37
Bie për një të tretën numri i ekzekutimeve në nivel botëror

Numri i ekzekutimeve me gjykim në tërë botën ka rënë për një të tretën gjatë vitit 2018 në krahasim me vitin 2017. Ky është niveli më i ulët i ekzekutimeve në dekadën e fundit. Lajmi është bërë i ditur në raportin vjetor për dënimet me vdekje, të publikuar nga organizata “Amnesty International”.

Grupi për të drejtat e njeriut tha se Bjellorusia është në mesin e shteteve që nuk e ka zvogëluar numrin e ekzekutimeve. Vendi i vetëm evropian që e zbaton dënimin me vdekje i ka ekzekutuar katër persona gjatë vitit 2018, dyfish më shumë se në vitin 2017.

Organizata “Amnesty International” tha se Irani mbetet një vend ku dënimi me vdekje është i zakonshëm, por ndryshimi i ligjit për drogën ka ndikuar në zvogëlimin e numrit të ekzekutimeve për 50 për qind. Sidoqoftë, besohet se disa ekzekutime në këtë shtet janë kryer pas gjykimeve të padrejta.

Në këtë raport theksohet se numri i ekzekutimeve ka rënë edhe në Pakistan, Irak dhe Somali, duke ndikuar në rënien e shifrës së përgjithshme të ekzekutimeve në botë nga 993 në vitin 2017 në 690 në vitin 2018.

“Rënia e konsiderueshme e numrit të ekzekutimeve në nivel botëror është dëshmi se edhe vendet më të ashpra kanë filluar t’i ndryshojnë mënyrat e ndëshkimit dhe ta kuptojnë se dënimi me vdekje nuk është zgjidhje”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot)