Flet profesori ndërkombëtar: Ja pse Rugova i mbante larg Thaçin dhe Pacollin

  • 10 April 2019 - 18:49
Flet profesori ndërkombëtar: Ja pse Rugova i mbante larg Thaçin dhe Pacollin

“Një statistikë thoshte se 38 mijë janë pajisur me viza vitin e kaluar e kanë shkuar në Gjermani. Një numër kaq i madh nuk kishte emigruar kur Kosova kishte institucione paralele në vend, kur kishte një president si Rugova, pa ushtri, pa polici, pa siguri, pa buxhet e pa institucione funksionale, sepse vendi ishte i pushtuar nga Serbia e Milosheviçit”, kështu thotë për “Kosova Sot”, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi.

Ai ka treguar edhe arsyen se pse ish presidenti, Ibrahim Rugova i ka mbajtur larg Thaçin e Pacollin.

“Nuk ndodhi kjo situatë në kohën e Rugovës, sepse Behgjeti dhe soji i tij asokohe nuk guxonin të kthenin kokën nga Kosova për t’u marrë me punët e saj. Ibrahim Rugova e pati njohur shumë mirë për antivlerat që mbartnin edhe Pacollin, edhe Thaçin. Prandaj nuk i afroi, nuk ua dha mundësinë sa ishte gjallë që t’i afroheshin as institucioneve të shtetit! Të dy këta u bashkuan pas ikjes së Rugovës në amshim! U afruan për të shirë lamën e Kosovës, për ta vjedh atë, për ta denigruar personalitetin e saj, për të mos ndërtuar kurrë një demokraci të mirëfilltë, për të grabit përmes tenderave publikë, për t’u pasuruar me taksat e kosovarëve dhe më në fund për ta nxjerr në Pazar territorin e Kosovës! Në nëntor 2007, kur Pacolli dukej se do të hynte në parlament, gjendesha në Prishtinë dhe shkrova një koment me të cilin dhashë alarmin se si është e mundur t’i jepej akses Behgjet Pacollit të hynte në skenën politike të Kosovës! U faqos nga Bajrush Morina ai koment, por nuk u botua. U hoq në momentin e shkuarjes së gazetës në shtyp. Unë kam qenë dhe jam bashkëpunëtor i kësaj gazete! E respektoj linjën editoriale të saj! E kam mirëkuptuar edhe këtë sjellje të asaj kohe, sepse Pacolli dërgonte reklama në gazetë! Por jam mësuar që të keqes të mos i bëj temena, sa kohë që e njoh të keqen! E përenda këtë fakt për të provuar se për mua Behgjet Pacolli ka qenë që në fillimet e karrierës së tij politike ky politikani siç e përshkruan profesori Alen Ben Meir!”, ka përfunduar për gazetën “Kosova Sot”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

E kujtojmë se gjatë ditës së sotme, profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir ka hedhur akuza të rënda ndaj Behgjet Pacollit.

“Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli shkroi një op-ed se pse Kosova duhet të integrohet në BE dhe se si kosovarët janë të rinj dhe të shkathët. Është shumë e vërtetë që ju keni popullatën më të re në Evropë. Por unë kam një pyetje për ju Z. Pacolli, çfarë keni bërë ju për vendin tuaj gjatë dy dekadave të kaluara që keni qenë në pushtet? Ju keni ndërtuar hotele dhe keni fituar tendera publike, ndërsa sot 20 vjet pas luftës, qindra mijëra po largohen nga Kosova, sepse ju dhe udhëheqësit e tjerë dështuat, korruptuat deri në eshtra!”, ka shkruar Ben-Meir.

(Kosova Sot)