Kryetari i degës flet për përplasjen e djalit të Fatmir Sejdiut dhe Bajram Gecajt

  • 10 April 2019 - 22:15
Kryetari i degës flet për përplasjen e djalit të Fatmir Sejdiut dhe Bajram Gecajt

Kryetari i Degës së Dytë të LDK’së ka treguar se ka pasur debat që ka shtyrë të anulohet mbajtja e Kuvendit Zgjedhor të LDK’në në të ashtuquajturën degën e Fatmir Sejdiut.

Media, ka raportuar sot se në degën e dytë të LDK’së ka pasur tensione që kanë shtyrë mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor të një nëndege të Degës së Dytë, që njihet si dega e Presidentit Fatmir Sejdiu.

Burimet brenda këtij tubimi i kanë thënë se djali i Fatmir Sejdiut e ka akuzuar zyrtarin e LDK’së, Bajram Gecajt, se po mundohet të manipulojë procesin zgjedhor.

Mustafë Krasniqi, kryetar i degës në fjalë, ka thënë se ka pasur debat për shkak të numrit të lartë të njerëzve që erdhën të marrin pjesë në Kuvendin Zgjedhor.

“Kanë ardhur mbi 200 pjesëmarrës dhe ne si kryesi kemi diskutuar nëse ka kushte të mbahet Kuvendi. Ka pasur edhe debarte për shkak të këtij numri aq të lartë. Disa kanë thënë se disa prej tyre nuk kanë qenë të asaj pjese”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i degës, i pyetur për rolin e djalit të Fatmir Sejdiut në këtë degë, ka thënë se ai dhe secili prej kësaj dege kanë të drejtë të kandidojnë kur të mbahet Kuvendi Zgjedhor.

“Të gjitha janë anëtarë të degës. Nuk mund të flas për pretendimet e asnjëherit. Edhe djali i Fatmirit edhe të tjerët kanë të drejtë të kandidojnë për kryetar dege e nëndege kur të mbahet kuvendi”, ka thënë Mustafa.

Vetë Bajram Gecaj ka mohuar se ka pasur konflikt me Bardhyl Sejdiun duke thënë se kuvendi zgjedhor është shtyrë për shkak se nuk ka pasur kushte të mbahej.

“Jemi mbledhur kryesia e degës me kryesinë e nëndegës dhe kemi vendosur që të mos mbahet për shkak të numrit shumë të madh. Asnjë degë nuk i ka aq. Kanë qenë prezent mbi 200 persona”, ka thënë  Gecaj.

Ndërkaq Bardhyl Sejdiu, që nuk është anëtar i kryesisë, por vetëm delegat, ka qenë i paqasshëm. 

(Kosova Sot)