Mafio-oligarkët e pushtetit i kanë dekurajuar bizneset e ndershme

  • 11 April 2019 - 08:11
Mafio-oligarkët e pushtetit i kanë dekurajuar bizneset e ndershme

Badallaj: Këto banda banditësh mafio-oligarkësh, ekonominë shoqërore e shtrin përtokë

“Këta njerëz nuk e kanë përdorur politikën, autoritetin e tyre për t’ua përmirësuar jetën qytetarëve, të cilët u kërkojnë votën e tyre në fushata, por që të pasurohen sa më shumë, dhe të përfitojnë sa më shumë kapital.

Përveç kësaj, shumë politikanë kanë biznese të tyre, të cilat janë në emër të ndonjë anëtari tjetër të familjes, të ndonjë të afërmi dhe jo në emër të tij. Prandaj, unë besoj që në Kosovë ka biznesmenë të ndershëm, edhe pse janë të pakët në numër, mirëpo biznesmenët që kanë funksionuar dhe funksionojnë në Kosovë, kryesisht janë njerëz të pangopur, duke gllabëruar jetën e qytetarëve”, thotë për gazetën “Kosova Sot”, analisti Driton Gashi

Bizneset serioze në Kosovë i kanë dekurajuar mafio-oligarkët e politikës që kanë marrë kontrollin në bizneset kryesore, kanë gllabëruar përfaqësitë dhe tash i përvetësojnë të gjitha punët publike e private, duke i lënë me gishta në gojë sipërmarrësit që tërë jetën ia kanë kushtuar biznesit të ndershëm me mund e me djersë. Kështu së paku mendojnë analistët dhe ekspertët e ekonomisë.

Image
Dardan Grapci

Analisti Dardan Grapci është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se bizneset serioze në Kosovë janë të dekurajuara nga hapja e qendrave tregtare, ku këto qendra pronarë e kanë një politikan ose familjarë të politikanëve. “Arsyeja tjetër pse bizneset serioze në Kosovë janë të dekurajuara është edhe çmimi i ulët i produkteve.

Sipërmarrësit e bizneseve serioze në Kosovë nuk duhet të dorëzohen, por le të vazhdojnë me shitjen e produkteve të tyre me një çmim konkurrues ku qendrat tregtare do të detyrohen t’i ulin edhe ata çmimet. Këta sipërmarrës seriozë dhe të ndershëm kanë frikë se mos po vjen deri te ndonjë vrasje, kërcënim apo rrëmbim.

Prandaj, unë mendoj që sipërmarrësit seriozë të bizneseve të tyre duhet të kërkojnë drejtësi nga komuna e deri te Qeveria, për t’iu lënë hapësire që edhe ata të fitojnë nga mallrat e tyre që po i shesin”, është shprehur Grapci.

Image
Driton Gashi

Gashi: Shumë politikanë kanë biznese të tyre në emër të anëtarëve të familjes

Analisti Driton Gashi ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” se mafio-oligarkët, siç i ka quajtur ai, ka kohë që i kanë në duar bizneset kryesore në Kosovë, duke i përvetësuar të gjitha punët publike dhe private, dhe këtë e kanë arritur përmes politikanëve të korruptuar dhe pushtetit. “Këta njerëz nuk e kanë përdorur politikën, autoritetin e tyre për t’ia përmirësuar jetën qytetarëve, të cilët u kërkojnë votën e tyre në fushata , por që të pasurohen sa më shumë, dhe të përfitojnë sa më shumë kapital.

Përveç kësaj, shumë politikanë kanë biznese të tyre, të cilat janë në emër të ndonjë anëtari tjetër të familjes, të ndonjë të afërmi dhe jo në emër të tij. Prandaj, unë besoj që në Kosovë ka biznesmenë të ndershëm edhe pse janë të pakët në numër, mirëpo biznesmenët të cilët kanë funksionuar dhe funksionojnë në Kosovë, kryesisht janë njerëz të pangopur, duke gllabëruar jetën e qytetarëve”, është shprehur analisti Gashi.

Image
Reshat Badallaj-Zhuriani

Badallaj: Mafiozët kanë në dorë çdo gjë

Analisti Reshat Badallaj është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se i tërë shteti mjerisht është i blerë dhe i kapur nga bandat mafioze të kanaleve të nëntokës kriminale, që janë bosët e majave të shtetit që punojnë vetëm për interesa të tyre personale, se si të bëhen supermilionerë.

“Këto banda banditësh mafio-oligarkësh, ekonominë shoqërore e shtrin përtokë dhe ato biznese të vogla aty-këtu i lënë vetëm sa për kafshatën e gojës dhe sa t´ia vjedhin paratë për tatim, ndërkaq në bizneset e mëdha këta kryebanditë mafiozë e kanë në dorën e tyre ose nën syrin vëzhgues dhe e ndajnë pazarin bashkë.

Sipërmarrësit e ndershëm nuk kanë fare mundësi të jetojnë në këtë shtet, ku mafiozët e kanë në dorë çdo gjë, sepse këta mafio-oligarkë banditë rrinë mbi këta sipërmarrës si shpata e Demokleut në kokat e tyre dhe e kanë vijën e kuqe deri ku mund të shkojnë, ndërkaq, ajkën e vjedhin pikërisht këta mafio-oligarkë banditë. Këta kudo janë si në nivelin qendror, si në nivelin lokal dhe veprojnë lirshëm, sepse këta janë mbi shtetin, këta janë mbi ligjin, sepse ia zënë frymën me para dhe nuk guxojnë të hapin gojën”, theksoi analisti Badallaj.

Ai tutje ka shtuar: “I keni vënë re shpeshherë krerët e shtetit shkojnë e vizitojnë këto biznese të mafio-oligarkëve ku pazarin e ndajnë bashkë dhe nuk shkojnë te bizneset ose sipërmarrësit e vegjël që mezi mbajnë kalamajtë e tyre, sepse nuk u intereson halli i qytetarit”.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Bizneset e ndershme shpejt falimentojnë

“Në Kosovë është e pamundur të ushtrojë aktivitetin e tij një biznes i ndershëm. Këtë nuk e lejon mafio-politika. Ata ushtrojnë presione të papara ndaj këtyre bizneseve, në mënyrë që edhe ata t'i bashkohen karvanit të bizneseve që punojnë për ta.

Nëse nuk i bashkohen këtij karvani, atëherë e pësojnë keq në forma të ndryshme. Më shumë në forma indirekte, përmes Administratës Tatimore. Kjo është edhe arsyeja e falimentimit të qindra bizneseve, kryesisht biznese të ndershme ose biznese që dikur ishin pjesë e karvanit të tyre”, theksoi për gazetën “Kosova Sot”, analisti Faik Krasniqi.

(Kosova Sot)