Rudaku: Merren vendime kinse për zbatim të ligjit diku, e diku tjetër mbyllen sytë

  • 12 April 2019 - 01:30
Rudaku: Merren vendime kinse për zbatim të ligjit diku, e diku tjetër mbyllen sytë

Në Kosovë për 20 vjet rresht, qofte në Qeverinë qendrore apo atë komunale, nëse krerët dhe përgjegjësit e institucioneve nuk gjejnë interesa personale, atëherë jo vetëm që nuk i përkrahin projektet zhvillimore e investive, por as edhe artistët e cilësdo fushë. Në mesin e shumë denoncimeve, aktori Enver Petrovci akuzoi ish-ministrin e Arsimit, Enver Hoxhaj, tani në pozitën e zv. kryeministrit se ishte ai që ia mbylli Akademinë e Arteve. Sipas analistëve dhe njerëzve të kulturës, ish-ministri Enver Hoxhaj i ka mbyllur shkollat në të cilat ai nuk ka pasur interesa personale apo përfitime personale, siç e akuzon aktori Enver Petrovci.

"Kur e dimë se Kosova ka lënë lloj-lloj kolegji e akademi pa cilësi dhe që nuk i ka paguar me rregull as stafin akademik, e ka mbyllur Akademinë e Arteve të Enver Petrovcit, është krejt e pritshme se sa vendime ishin të paarsyeshme në çdo qeveri që ka drejtuar MASHT-in. Vazhdon Kosova të jetë pa sundim të ligjit me të gjitha raportet vendore e ndërkombëtare të vlerësim. Mungesa e besimit në drejtësi ka bërë që njerëzit të humbin besimin në shumicën e institucioneve shtetërore. Edhe më e tmerrshme është bërë drejtësia selektive, vendimet selektive etj".

"Merren vendime kinse për zbatim të ligjit diku, e diku tjetër mbyllen sytë. Jo vetëm çështja e mbylljes së Akademisë së Arteve të Petrovcit, por shumë vendime të tjera, ose janë marrë me retorika elektorale, ose duke dhënë kinse dëshmi për sundim të rendit e ligjit, ose janë shikuar lidhjet e afërta të institucioneve arsimore me njerëz të pushtetshëm. Natyrisht se do të duhej të kishte monitorim të cilësisë qoftë Akademia e Enver Petrovcit, apo edhe sikur të ngjallej Aleksandër Moisiu, por dyshoj se e kanë pasur për mungesë cilësie, sa e kanë pasur edhe me këto motivet partiake, krijimin e përshtypjeve se ka rend e ligj etj.", theksoi për gazetën "Kosova Sot", analisti dhe studiuesi, Avni Rudaku.

(Kosova Sot)