Gjini: “Peshqit e mëdhenj” amnistohen

  • 11 April 2019 - 19:36
Gjini: “Peshqit e mëdhenj” amnistohen

E dhe pse përgjimet e klanit PRONTO dëshmuan qartë dhe ishin edhe një dëshmi shtesë se në Kosovë nuk ka shans të fitohet asnjë tender në procedurë të rregullt, por kjo duhet bërë vetëm duke e ndarë "tallin" me nëntokën kriminale që po udhëheq çdo gjë në Kosovën e sunduar, sërish Prokuroria Speciale e as ato themelore nuk e sollën asnjë prej pushtetarëve të nivelit të lartë deri më sot në bankën e të akuzuarve, thonë njohësit e fushës së drejtësisë.

Analistët pyesin se pse organet e drejtësisë po vazhdojnë "të flenë" dhe nuk kemi asgjë nga aktakuzat ndaj personave të veshur me pushtet dhe bizneset oligarkike që punojnë për ta dhe ua 'lagin fytin' atyre, të cilët në mënyrë të paligjshme kanë zhvatur, zhvatin dhe do të vazhdojnë të zhvatin qindra miliona euro në kurriz të qytetarëve të Kosovës

"Organet e drejtësisë, për fat të keq, sot cakun kryesor të luftimit të kriminalitetit e zhvillojnë tek 'peshqit e vegjël', ndërsa 'peshqit e mëdhenj' lundrojnë dhe aq më tepër kur këta 'peshqit e mëdhenj' i 'hanë të vegjlit'. Këtë ndërlidhje e bëra se ajo kategori që hahet nga 'peshqit e mëdhenj' janë një spektër i gjerë personash: si gjyqtarë, prokurorë, persona zyrtarë, hetues etj.,etj., e mjafton vetëm t'i analizojmë aktakuzat dhe aktgjykimet, se si sot amnistohen 'peshqit e mëdhenj'. Si ilustrim i këtij konstatimi, mund t'i marrim rastet e institucioneve apo drejtorive, kur vetë eprori drejtpërdrejt është përfshirë në një aferë kundërligjore, si bartësi i këtij institucioni, drejtësia jonë në punën e hetimeve, përkatësisht aktakuzave, i përfshin vartësit, të tjerë punëtorë të shkretë, që nuk kanë pasur të bëjnë asgjë me atë kundërligjshmëri dhe ndaj tyre drejtësia funksionon me pasojë të dënimit me burg, dhe aq më tepër largimit të tyre nga marrëdhënia e punës, fatkeqësisht këto janë ngjarje të vërteta”.

“Po ashtu, pse drejtësia, në veçanti gjyqtarët duhet të monitorohen në punën e tyre, është edhe fakti tjetër se kemi kontradikta esenciale në aktgjykimet e gjyqtarëve për kryesit e njëjtë, përkatësisht për vepra të njëjta penale, me dënimet kontradiktore (tjetër dënim për të pasurin, tjetër dënim për të varfrin, e ngjarja e tyre është e njëjtë). Si rrjedhojë me këtë vihet në pikëpyetje edhe qëndrueshmëria juridike e vendimeve gjyqësore të sistemit juridik dhe siguria juridike e qytetarëve. Këto analiza janë të vërteta, sepse në punën time si avokat jam ndeshur me këso lloj padrejtësi, aq të thella dhe aq të dukshme për syrin e qytetarit të thjeshtë, e aq të dukshme edhe për syrin vëzhgues të faktorit evropian, organizatave evropiane, monitoruesve të tjerë që konstatojnë pothuajse çdo ditë këto ngjarje", u shpreh avokati Gent Gjini për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)