Ja çfarë pritet të ndodhë në takimin e Berlinit: Kështu do të veprojë Angela Merkel

  • 12 April 2019 - 15:19
Ja çfarë pritet të ndodhë në takimin e Berlinit: Kështu do të veprojë Angela Merkel

Në Gjermani me 29 prill do të takohen presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Ramush Haradinaj me homologët serbë, Aleksandër Vuçiqin dhe Ana Bernabiqin.

E për këtë takim, analisti politik, Gani Qarri thotë për “Kosova Sot” se në këtë takim do të insistohet për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e në të cilën nuk do të parashihet ndryshimi i kufijve.

Image
Gani Qarri

“Ftesa e kancelares Merkel, për takimin e liderëve të Ballkanit perëndimor në Berlin me 29 prill 2019, mendojë se ka për qëllim “përgatitjen e terrenit” për rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe "normalizimin" e raporteve të tendosura mes Beogradit dhe Prishtinës, pas vendosjes së taksës 100 % ndaj mallrave të Serbisë. Ndërsa prezenca e presidentit francez z. Makron, si dhe fakti se përveç Hashim Thacit e Ramush Haradinajt të cilët pritet të takohen me Aleksander Vuciqin dhe Ana Bernabiqin, të pranishëm në takimin e 29 prillit në Gjermani, do të jenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Deniz Zvizdiq; kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev; Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe kryeministrin slloven, Marjan Shareq,lë të kuptohet se në këtë takim kancelarja Merkel dhe z.Makron, do të insistojnë në arritjen edhe të një marrëveshje rajonale, me zotimin nga të gjithë pjesëmarrësit, për mos ndryshimin e kufijve aktual, ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor”, thotë Qarri për “Kosova Sot”.

Sipas ti, kancelarja Merkel ka përvojë të dorës së parë dhe di t’i udhëzojë, Kosovën dhe Serbinë për implementimin e marrëveshjes finale.

“Kështu që, realisht, ky takim duhet të jetë edhe një sinjal se ndryshim të kufijve nuk do të ketë, si dhe finalja e madhe mes Kosovës dhe Serbisë po afron, duke hedhur poshtë përfundimisht ndarjen e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve me Serbinë dhe ofruar të dy palëve si opsion shqyrtimi ish modelin e të dy gjermanive, me të cilin Kancelarja Merkel ka përvojë të dorës së parë dhe di ti udhëzojë, Kosovën dhe Serbinë sesi ta implementojnë atë, pa vënë në rrezik shtetësinë e Kosovës duke ruajtur kufijtë aktual ndërmjet të gjitha vendeve pjesëmarrëse, si kusht për paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor”, tha Qarri për “Kosova Sot”.

E kujtojmë se bashkë me katër liderët nga Kosova e Serbia, në takim do të marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Deniz Zvizdiq; kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev; Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe kryeministrin slloven, Marjan Shareq.

(Kosova Sot)