Arrestohet Julian Assange, ballafaqohet me 12 muaj burg në Britani

  • 12 April 2019 - 15:47
Arrestohet Julian Assange, ballafaqohet me 12 muaj burg në Britani

E para që i doli në mbrojtje publikisht Assange-it ishte aktorja e njohur, Pamela Anderson

Ekuadori ia heq Assange-s të drejtën e azilit, për shkak të "shkeljeve të vazhdueshme të konventave ndërkombëtare dhe të protokolleve të jetës së përditshme"

J ulian Assange ballafaqohet me një dënim deri në 12 muaj burg në Britani, pasi që u shpall fajtor për ikje nga dorëzania, me qëllim të evitimit të ekstradimit në Suedi, në vitin 2012, ku duhej të ballafaqohej me akuzat për dhunim dhe sulm seksual.

Themeluesi i "Wikileaks"-it përfundimisht u paraqit në gjyq të enjten, pasi që në mënyrë sensacionale u përzu nga ambasada ekuadoriane në Londër, ku kishte gëzuar të drejtën e të përndjekurit politik gjatë shtatë viteve të fundit. Pas vendimit të Ekuadorit për t'ia heqë atij azilin diplomatik, policia britanike e mori atë me dhunë, të lidhur me pranga, me qëllim që ta ballafaqonte me akuzat në lidhje me kushtet e dorëzanisë, të cilat i kishte shkelur shtatë vjet më parë. Por, në një zhvillim sensacional të ngjarjeve, ai po ashtu ishte akuzuar nga qeveria amerikane për konspiracion me spiunin amerikan Chelsea Manning 'për ta thyer një fjalëkalim në një kompjuter të mbrojtur - sekret - qeveritar' në vitin 2010.

Ekstradimi i tij i mundshëm në SHBA Sipas dokumenteve të publikuara dje, akuza ka të bëjë me rolin e supozuar të Assange-it në 'njërin nga komprometimet më të mëdha të informatave sekrete në historinë e SHBA-së' për çka i kërcënohet një dënim me burg deri në 5 vjet. Derisa pret shqiptimin e dënimit për thyerjen e kushteve të dorëzanisë, Assange ballafaqohet edhe me një seancë gjyqësore më 2 maj, në lidhje me ekstradimin e tij të mundshëm në SHBA, në lidhje me akuzat e lartpërmendura. Të enjten në mëngjes, Assange (me mjekër dhe flokë jo të mirëmbajtura), u nxor jashtë nga ambasada nga një grup prej shtatë personave, derisa ai bërtiste "Britania duhet të rezistojë", ku ishin të pranishëm edhe disa mbështetës të tij.

Ekuadori ia hoqi atij të drejtën e azilit, duke e fajësuar atë për sjellje të pahijshme dhe agresive, si dhe për faktin se kishte vazhduar të punonte me "Wikileaks"-in edhe derisa gjendej i strehuar në ambasadë. Assange, 47 vjeç, gjithmonë i është frikësuar ekstradimit në SHBA, ku avokatët e tij kanë thënë se mund të ballafaqohet me dënim me vdekje, për shkak të publikimit në masë të dokumenteve top sekret, me anë të "Wikileaks"-it. Në një deklaratë të bërë të enjten, presidenti i Ekuadorit Lenin Moreno akuzoi Assange-in se ka thyer kushtet e azilit, 'duke u përzier në punët e brendshme të shteteve tjera' si dhe duke 'bllokuar kamerat e sigurisë' dhe duke gënjyer rojet. "Ekuadori ka vepruar ilegalisht dhe ka shkelur ligjin ndërkombëtar" Arrestimi erdhi vetëm 24 orë pasi që "Wikileaks" akuzoi Ekuadorin për një 'operacion të gjerë spiunimi', duke shtuar se informatat e siguruara nga spiunimi, i janë dorëzuar administratës së presidentit amerikan Donald Trump. Assange, i cili ka mbikëqyrur publikimin e mijëra kabllogrameve sekrete ushtarake dhe diplomatike nëpërmes "Wikileaks", u paraqit në Gjykatën e Uestminsterit pak orë pasi që u mor nga policia. Lajmin rreth arrestimit të tij e përshëndeti sekretari i punëve të brendshme i Britanisë, Sajid Javid, i cili tha se 'askush nuk është përmbi ligjin', derisa sekretari i jashtëm Jeremy Hunt shtoi se Assange nuk ishte hero dhe tha se ai 'me vite të tëra i ka ikur drejtësisë'. Assange nuk ishte larguar nga Ambasada e Ekuadorit që nga viti 2012, kur ky vend i kishte ofruar atij mbrojtje diplomatike nga akuzat për keqtrajtim seksual në Suedi.

Ky rast më pas ishte braktisur, pasi që hetuesit nuk kishin qenë në gjendje që ta njoftonin Assangen formalisht rreth akuzave, pa marrë parasysh se prokurorët suedezë të enjten bënë me dije se, pas arrestimit, rasti ka mundësi të shqyrtohet përsëri. Pak momente pas arrestimit të Assange-it, "Wikileaks" deklaroi se Ekuadori ka vepruar ilegalisht dhe ka shkelë ligjin ndërkombëtar.

Në deklaratën e presidentit të Ekuadorit thuhet se është kërkuar garanci nga Britania që Assange të mos ekstradohet në asnjë shtet ku mund të ballafaqohet me torturë, apo dënim me vdekje. Ndoshta e para që doli në mbrojtje publikisht Assange-it, ishte aktorja e njohur Pamela Anderson, e cila publikoi një foto të të arrestuarit, të shoqëruar me fjalët latine 'Veritas Valebit', që d.m.th. "e vërteta do të mbizotërojë'. Përndryshe, aktorja 51 vjeçe thotë se, në të kaluarën, ka qenë në lidhje me të arrestuarin. 

(Kosova Sot)