Strukja e pushtetarëve dhe drejtësisë, dy dekada asnjë padi kundër Serbisë

  • 13 April 2019 - 08:16
Strukja e pushtetarëve dhe drejtësisë, dy dekada asnjë padi kundër Serbisë

 Kelmendi: Çdo padi e dëmeve të luftës duhet të shqyrtohet në kuadër të gjykatave të Kosovës

 “Është e pabesueshme që deri tani, 20 vjet prej kur ka përfunduar lufta, Kosova nuk i ka kërkuar shtetit serb dëmshpërblimin e luftës.

Çfarë kanë pritur shteti dhe institucionet e Kosovës, të cilat duhet të shërbejnë si avokatë dhe si mbrojtës të shtetit dhe të qytetarëve të vet dhe a mos duhet pritur që të kalojnë edhe 20 apo 30 vjet të tjerë, kur të jenë zhdukur edhe gjurmët dhe faktet e rrënimeve të shtëpive, pronave dhe të bizneseve të shqiptarëve, e që me pastaj shteti serb të thotë se nuk kemi bërë as djegie, as shkatërrime dhe as rrënime të pasurive dhe të pronave të shqiptarëve.

Shikoni se çfarë bëjnë edhe Greqia edhe Serbia në Shqipëri, duke i kërkuar shtetit shqiptar edhe troje për varrezat e ushtarëve pushtues grekë e serbë. Shikoni se çfarë bën Serbia edhe për objektet fetare serbe në Kosovë, sa me fanatizëm ajo i mbron ato dhe liritë e pasuritë e serbëve në Kosovë”,thotë analisti Skënder Kapiti për “Kosova Sot”

Gjykatat e Kosovës kanë marrë përsipër lëndët e EULEX-it për krime lufte, por për 20 vite u refuzua të trajtohen krimet e luftës, përfshirë edhe dëmet e luftës që regjimi kriminel i Milosheviqit i bëri në Kosovë. Sipas analistëve, ky është dështimi i radhës nga gjykatat kosovare, të cilat i kanë hedhur poshtë si “të palejuara” gjykatat në Kosovë diku mbi 25 mijë padi të qytetarëve dhe bizneseve kundër shtetit të Serbisë për kompensimin e dëmeve të luftës.

Njohësit e fushës së drejtësisë thonë se Si mund të kërkojnë kompensimin e dëmeve të luftës qytetarët dhe bizneset po qe se nuk iu lejohet atyre të ngrenë padi në vendin e krimit, në Kosovë pra aty ku ka ndodhur krimi-dëmet e luftës. Analistët pyesin pse politika dhe gjyqësori kosovar po veprojnë kundër interesave të qytetarëve dhe vendit të vet dhe në mbrojtje e dobi të Serbisë armike dhe urdhëruesve të tyre, në kundërshtim me ligjet, Kushtetutën e vendit dhe faktet.

Analistët pyesin se pse gjyqësori dhe Ministria e Drejtësisë po tallen me qytetarët, duke ua “hedhur poshtë si të palejuara” diku mbi 25 000 padi të qytetarëve dhe bizneseve kundër shtetit të Serbisë për kompensimin e dëmeve të luftës. Sipas analistëve, është shkelje e të drejtave të njeriut fakti që qytetarëve e bizneseve gjykatat tona fare nuk ua shqyrtojnë drejt e me ligje paditë legjitime e të ligjshme.

Image
Riza Smaka

Rastet duhej të procedoheshin në Kosovë

Çdo dëm pa bazë legale, aq më parë kur është tendencioz e malicioz, duhet të rimbursohet, madje edhe të jepet përgjegjësi penale pos asaj juridike – civile, shprehet analisti juridik Riza Smaka. “Autoritetet arbitrare serbe tërësisht antishqiptare e për aq anti-civilizuese veçanërisht gjatë periudhës 1989 - 99 kundër shqiptarëve kosovarë civile të të gjitha moshave e gjinive vetëm për shkakun se ishin shqiptarë kanë qenë keqtrajtuar në të gjitha trajtat e intensitetet deri në akte mizore gjenocidiste.

Pos dëmtimeve e viktimizimeve fizike autoritetet ushtarake - civile serbe, shqiptarëve kosovare u kanë plaçkitur, shkatërruar deri në themele 150 000 shtëpi banime e objekte ekonomike. Dëmet materiale ato autoritete hegjemonistë i kanë kryer në Kosovë ndaj edhe rastet gjyqësore të dëmtimeve morale e materiale medoemos do të duhej të procedoheshin pikërisht nga gjykatat kosovare, varësisht se në të cilin territor kanë qenë kryer ato e aso fare krimesh”, u shpreh ai.

“Pra, sipas parimit juridik edhe ndërkombëtarisht të mirënjohur, Ius Soli, gjykatat kosovare përkatëse janë kompetente për t'i proceduar dhe zgjidhur rastet e dëmtimeve morale e materiale në fjalë e kurrsesi që të njëjtat pa asnjëfarë baze juridike, por sipas diktateve të pushtetarëve arbitrarë që t'i refuzojnë e për të qenë edhe më keq për t'i flakur kinse nuk qenkan kompetente. Ndryshe në këtë kontekst do t'i theksoj në origjinal disa nga dokumentet juridike ndërkombëtare me të cilat është përcaktuar obligimi i rimbursimit moral e material nga dëmtuesi në favorin e të dëmtuarit ndër të tjera: ‘The EU Convention on Human Rights’, ‘INternational Covenant on Civil and Political Rights’, me të cilat ndër të tjera janë stimuluar, referuar autorizimeve, juridiksioneve, kompetencave të organeve gjyqësore të obliguara për zgjidhjen e rasteve të dëmtimeve morale e materiale në favorin e palëve të dëmtuara”, vijoi më tej Smaka për “Kosova Sot”.

Sipas tij, në këtë drejtim punë të mirë ka bërë "Ngritja e Zërit" nga Drenica, e cila ka përgatitur teknikisht e juridikisht me mijëra raste juridike penale - civile për rimbursime të dëmeve dhe të njëjtat iu ka adresuar gjykatave që janë kompetente, por për çudi të pajustifikuar me asgjë, ashtu që për ato raste shpallen jokompetente.

Image
Skender Kapiti

Kapiti: Shteti injoroi paditë e qytetarëve dhe bizneseve për dëmet e luftës

Analisti Skënder Kapiti thekson se nëse shteti injoron paditë e qytetarëve dhe të bizneseve kosovare, padi me anë të të cilave ata kërkojnë dëmshpërblimin nga shteti serb, pra direkt ose indirekt, duke i konsideruar si të palejuara dhe të paligjshme ato, kjo do të thotë që ndaj shtetit dhe politikës, ligjit dhe drejtësisë në Kosovë, opinionit i lind e drejta të pyesim se përse ndodh kjo nga ana e tyre, por edhe me çuditshëm akoma vjen natyrshëm edhe kjo si çudi deri aty sa të pyetet se: institucionet dhe politikanët e Kosovës dhe drejtësia kosovare a i njohin krimet dhe gjenocidin, shkatërrimet dhe rrënimet e pasurive, ekonomive, pronave dhe të bizneseve, dëme këto të shkaktuara nga okupatori, kolonizatori dhe pushtuesi barbar serb?!

“Në vend që shteti të kishte ngritur që më herët, menjëherë pas çlirimit komisione të posaçme për verifikimin dhe vlerësimin e dëmeve të luftës dhe që t'i kishte kërkuar shtetit serb dëmshpërblimin e luftës si për pasuritë e shtetasve ashtu edhe për ato kombëtare, nuk kuptohet se si ka mundësi të arrijë papërgjegjshmëria deri në atë shkallë sa që nuk i njohin as paditë e qytetarëve të vet, të cilët me anë të tyre kërkojnë kompensimin nga ana e shtetit serb. Politika dhe shteti i Kosovës nuk duhej madje që të bënte asnjë bisedim për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë pa i vënë asaj si kusht paraprak: kërkimfalje nga ana e Serbisë për krimet dhe gjenocidin, si dhe dëmshpërblimin për dëmet monetare, materiale, ekonomike e pasurore, që Serbia u ka shkaktuar Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Kapiti.

“Kjo është një indiferencë antinjerëzore në radhë të parë, por që përben një papërgjegjshmëri të jashtëzakonshme publike e kombëtare, a thua se regjimi serb nuk paska bërë gjenocid dhe as rrënime e shkatërrime, kur e gjithë bota madje është dëshmitare e politikës së pastrimit etnik genocidist dhe tokës së djegur që zbatoi makineria luftarake kriminale e barbare serbe”, ka vlerësuar Skënder Kapiti për “Kosova Sot”.

Gazetari u ka dërguar pyetje lidhur me çështjen Gjykatës Themelore të Prishtinës, KGJK-së, Ministrisë së Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Gjykatës Kushtetuese, por askush nuk ka kthyer përgjigje.

Image
Naim Miftari

Miftari: Partitë kosovare janë përgjegjëse për këtë dështim

Ndërsa, Naim Miftari theksoi se Kosova është shtet eksperimental multietnik ku pakicat vendosin për shumicën.“Kosova duhet të marrë shembull shtetin kroat, e cila ka ngrit mbi 30.000 akuza kundër kriminelëve serbë për krime lufte, kurse te ne vetëm 3 serbë janë dënuar për krime lufte, edhe pse Kosova ka afër 15 mijë të vrarë”, u shpreh ai. Sipas tij, partitë kosovare janë përgjegjëse për këtë dështim.

Kelmendi: 22 miliardë euro dëme

“Nga organet e Kosovës është dhënë një shumë për dëme materiale prej 22 miliardë euro. Serbia është shteti që me veprimet e veta gjenocidale ka krijuar dëme me përmasa të gjëra, me qëllim që shqiptarëve t’ua pamundësojë jetën në Kosovë dhe të ikin nga atdheu. Veprimet janë bërë me vetëdije të plotë. Masat kanë qenë më tepër se fashiste dhe dëmet janë shumë të larta. Pra, përgjegjësia është e Beogradit, sepse është Serbia shkaktare e dëmit.

Është e domosdoshme të kryhen dy veprime: Çdo padi të shqyrtohet në kuadër të gjykatave të Kosovës dhe të merret vendimi adekuat, duke ngarkuar me përgjegjësi shtetin serb për dëmin e bërë dhe nga shteti ynë me ndihmën e Shqipërisë, të ngrihet padi për dëmin material dhe moral në gjykatat ndërkombëtare për të dënuar kryerjen e veprave të tilla të rënda. Jam i mendimit se në ketë anë do të korrim sukses si shtet dhe si popull, nëse do ta ngrenë këtë çështje pranë organeve kompetente ndërkombëtare dhe shteti serb për dëmin e bërë do të ndëshkohet”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

Image
Gent Gjini

Gjini: Dështimi 20-vjeçar

“Dëmet ndaj bizneseve, ekonomive dhe reparacionet e luftës që shteti serb i ka bërë tani më që 20 vitet e kaluara, mund të konstatojmë se asgjë konkrete në këtë drejtim s’ka lëvizur. Kjo si nga fakti i vet mungesës, vullnetit dhe politikave aktive qeveritare, për t’u vënë në rënd të ditës çështjet e tilla me relevancë të veçantë. Edhe pse fajin e tillë ekskluziv, nuk e ka vetëm politika jonë, por edhe organizatat joqeveritare, shoqëria civile, institucioni avokatit te popullit etj.

Tanimë gati që 8 vite u bënë nga bisedat me palën serbe, për normalizimin dhe rregullim e marrëdhënieve fqinjësore, asgjë ama asgjë nuk është ndërmarrë ndonjë veprim, apo folur për dëmet e luftës, ekonomitë të saj, trustet, pensionet etj., e aq më tepër kur edhe arkiva dosjes kadastrale, rreth historikut të pronave të shqiptarëve të gjitha ndodhen në shtetin serb. Fakti tjetër, që edhe për çudinë time është se përse gjykatat tona të mos gjykojnë apo të paktën të procedojnë personat ushtarakë, policorë serbë, ata kriminelë që kanë bërë krime në Kosove në organet e prokurorisë dhe gjykatave tona.

Mendoj se këtu asgjë nuk u ka munguar institucioneve të drejtësisë, për të venë këto gjëra përpara drejtësisë, për krimet e tyre kundër popullatës shqiptare, e duke marrë parasysh edhe faktin më pozitiv se tani me reformën e Kodit të Procedurës Penale, këto gjëra do të mund të procedohen (hetohen) gjykohen edhe pa prezencën e vetë (kriminelëve serbë), pra më kjo nuk do të jetë pengesë”, tha avokati Gent Gjini për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)