Fondi për Garantimin e Kredisë në shërbim të partive në pushtet

  • 14 prill 2019 - 07:51
Fondi për Garantimin e Kredisë në shërbim të partive në pushtet

Krasniqi: Është gënjeshtër që ky fond garanton kredinë e bizneseve të reja apo bizneseve startup

“Është e pamundur që nuk është plaçkitur ky fond nga bandat politike të financuara për përfitime personale dhe fushata elektorale. Kjo dëshmon se shpeshherë, kryebanditët e majave të shtetit jo rastësisht vizitojnë dhe bëhen mysafirë të këtyre bizneseve dhe ecin me fodullëk. Kam disa informacione dhe jo nga sot, por këta kryebanditë përmes tellallit të tyre propagandojnë se duhet të votojnë këto banda se do të ndihmojnë këtë biznes dhe e kanë punën e sigurt dhe nuk do të humbin vende pune”, thotë për gazetën “Kosova Sot”, analisti Reshat Badallaj

Kush është ndihmuar me Fondin për Garantimin e Kredive që është hapur për t’i ndihmuar të gjitha bizneset e reja, të cilat nuk kanë mundësi të ofrimit të një mbulese në banka apo institucione të tjera financiare, është vështirë të dihet, sepse Ministria e Financave nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e gazetës që i janë dërguar dje.

Sipas Ministrisë së Financave, Fondi ka garantuar shumë, janë 93,822,838 milionë euro kredi të lëshuara nga Institucionet Financiare të Regjistruara, të cilat janë të shpërndara në 2409 ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme. Por, analistët dyshojnë se nga ky fond kanë përfituar në mënyrë selektive biznese të lidhura me politikën dhe si në dikasteret e tjera edhe ky fond dyshohet se përdoret për qëllime elektorale.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Ky fond duhet mbyllur

Analisti Faik Krasniqi theksoi për gazetën ‘Kosova Sot” se ky fond i krijuar gjoja për Garantimin e Kredive, është një fond qesharak që nuk e ndihmon asnjë biznes nëse nuk është pjesë e ndonjë partie politike në pushtet. “Është gënjeshtër që ky fond garanton kredinë e bizneseve të reja apo bizneseve startup, por vetëm bizneset ekzistuese. Po flas nga përvoja. Kam kërkuar ndihmë nga ky fond për hapjen e një biznesi, por nuk jam përfillur, edhe pse ai projekt-biznes punëson mbi 50 njerëz.

Është kompleks hoteliero-turistik, dhe diçka të tillë nuk ka në Kosovë dhe rajon. Por, edhe nuk ka kosto shumë të madhe. Mua ndoshta më kanë injoruar për shkak se jam në listën e tyre të zezë, por unë tash e dy vjet nuk po mund ta realizoj këtë projekt që punëson shumë njerëz dhe është nxitës i zhvillimit ekonomik dhe turizmit në Kosovë”, është shprehur Krasniqi. Sipas tij, ky fond përdoret për interesa të ngushta dhe njerëzve të partisë. “Këtyre nuk u intereson zhvillimi ekonomik.

Po të kishin qenë të interesuar për ta zhvilluar ekonominë dhe uljen e papunësisë, populli nuk do ta braktiste vendin. Këtë fond duhet mbyllur, sepse pa qenë pjesë e partive politike në pushtet, nuk përfiton nga garantimi i kredisë. Sikurse në rastin e punësimeve familjare dhe partiake, veprojnë edhe me këtë fond”, është shprehur Krasniqi.

Image
Reshat Badallaj

Badallaj: Askush nuk i kontrollon këto banda mafioze

ëAnalisti Reshat Badallaj është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se derisa shteti është në duart e bandave, cubave dhe mafio-oligarkëve çdo gjë është e mundur, të keqpërdoret , si rasti i këtij fondi. “Është e pamundur që nuk është plaçkitur ky fond nga bandat politike të financuara për përfitime personale dhe fushata elektorale. Kjo dëshmon se shpeshherë, kryebanditët e majave të shtetit jo rastësisht vizitojnë dhe bëhen mysafirë të këtyre bizneseve dhe ecin me fodullëk.

Kam disa informacione dhe jo nga sot, por këta kryebanditë përmes tellallit të tyre, propagandojnë se duhet të votojnë këto banda se do të ndihmojnë këtë biznes dhe e kanë punën e sigurt dhe nuk do të humbin vende pune, nuk do të dalin në rrugë. Prandaj, nga ky fond ndihmohen të gjitha ato biznese që janë të lidhura ngushtë me kryebanditët e majave te shtetit dhe që pastaj ndajnë pazarin bashkë. Pra, ato ndërmarrje qofshin të mesme apo qofshin të vogla, që nuk janë të lidhura ngushtë me këta banda shtetërore mbesin me gishta në gojë dhe pastaj ankohu ku të duash”, është shprehur Badallaj.

Sipas tij, më e keqja është se askush nuk i kontrollon këto banda mafioze, sepse janë të pafuqishëm dhe janë mbi ligjin. “Po të mos ishin këto fonde dhe buxheti i shtetit bashkë me dikasteret tjerë gjigandë, që vjedhin këta faqezinj, këta nuk do të ekzistonin së vepruari,por nuk ka kush ta godasë ashpër këtë krim që udhëhiqet nga kryemafiozët dhe nga kryehajnat që mjerisht janë në dorën e shtetit dhe drejtojnë timonin në humnerë”, është shprehur analisti Reshat Badallaj.

Image
Dardan Grapci

Grapci: Përfitojnë bizneset e lidhura me politikën

Analisti Dardan Grapci është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se bizneset të cilat kanë aplikuar apo përzgjedhur nga Ministria e Financave mund të jenë keqpërdorur duke i lënë bizneset, të cilat janë në humnerë pa ndonjë fond adekuat, kurse ato biznese që janë të lidhur ngushtë me politikën kanë përfituar. Kuptohet që çdo fond përdoret për qëllime elektorale, sepse pa elektorat bizneset që janë pjesë e politikës, do të ishin distancuar dhe do e kishin votuar dikë tjetër”, është shprehur ai.

 

(Kosova Sot)