Sami Lushtaku i ka dy fjalë, për rrahjen në degën e Pdk-së në Skenderaj

  • 14 April 2019 - 23:24
Sami Lushtaku i ka dy fjalë, për rrahjen në degën e Pdk-së në Skenderaj

Kandidati për postin e kryetarit të degës në Skenderaj të Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku, ka folur pas raportimeve për tensione e përleshje fizike sot, në një nëndegë të PDK’së, në fshatin Klinë e Epërme.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ai është munduar të sqarojë atë që ka ndodhur gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të brendshme në degën e PDK’së në Skenderaj.

“Kuvendi zgjedhor i nëndegës së Klinës së Epërme është anuluar, për shkak të disa pakënaqësive në mesin e të pranishmëve”, ka thënë Lushtaku.

“Në këtë rast, Komisioni Lokal Zgjedhor ka vendosur që t’i anulojë këto zgjedhje deri në një vendim të ri”, ka bërë të ditur ai.

Lushtaku ka shkruar se “sot janë mbajtur kuvendet zgjedhore në Kllodërnicë, Rakinicë dhe Krasmirofc”.

Në këto nëndegë, ka treguar ai, “janë zgjedhur kryetarët, delegatët për kuvendin e degës dhe kryesitë e nëndegëve.

Media ka raportuar më herët se tensionet në nëndegën e Klinës së Epërme janë shkaktuar nga përkrahësit e Bekim Jasharit, kryetar i Komunës së Skenderajt.

E, kryetari i të rinjve në degën e PDK’së në Skenderaj, Alban Berisha, ka folur  rreth përleshjes fizike që u raportua të ketë ndodhur sot.

Berisha ka mohuar se ka pasur përleshje fizike, duke thënë se janë shkëmbyer vetëm ofendime.

Pamjet lëvizëse, nga vendi i ngjarjes, shfaqin momentin e tensioneve gjatë zhvillimit të procesit të brendshëm zgjedhor atje.

(Kosova Sot)