VV-ja promovonte Shpendin e dy Dardanët, tash i quajnë SHIK-istë

  • 15 April 2019 - 07:39
VV-ja promovonte Shpendin e dy Dardanët, tash i quajnë SHIK-istë

Kelmendi: VV-ja, PSD-ja, PDK-ja dhe LDK-ja varen tërësisht nga SHIK-u, e vartësi të madhe ka edhe NISMA, madje edhe AAK-ja

“Anëtarë të kësaj organizate ishin dhe janë të shpërndarë pothuajse në të gjitha partitë politike të Kosovës, të cilët janë lehtë të identifikueshëm, sepse këto elemente janë në përkrahje të vazhdueshme të ideve të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, për ndarjen dhe zhbërjen e shtetësisë së Kosovës, sipas interesave e kërkesave zyrtare serbe.

Nuk janë vetëm anëtarë partish, por janë edhe OJQ, policë, spiunë në AKI, media e gazetarë që u shërbejnë interesave të pushtetit të SHIK-ut. Të gjitha ato media, liderë, gazetarë, OJQ... që përkrahin Thaçin e Veselin&Co, për ndryshim kufijsh, janë të pozicionuar në anën e grupimit të SHIK-pushtetit, e që përkon me interesat serbe e ruse”, thotë analisti Ramiz Bojaj për gazetën “Kosova Sot”

Molliqaj i PSD-së akuzoi Glauk Konjufcën e VV-së se ishte pjesë e SHIK-ut gjatë periudhës kohore 2000-2001, se ishte paguar 150 marka dhe se Fadil Lepaja ishte rekrutues i Konjufcës në SHIK. Për këtë çështje, Lepaja nuk është prononcuar për gazetën, por analistët thonë se edhe VV-ja duhet të turpërohet se çfarë njerëz të tipit të Molliqajt, Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut ka promovuar për vite të tëra në majat e LVV-së, e tash të njëjtit i quajnë kolegët e tyre pjesë të SHIK-ut.

Megjithatë, sipas analistëve shtrojnë pyetjet se pse asnjëherë nuk u nis një hetim për SHIK-un në Kosovë. Sipas tyre, të gjithë kanë frikë nga hetimi i SHIK-ut, ku me sa duket në SHIK ka të instaluar nga të gjitha partitë dhe në të gjitha institucionet e shtetit, por edhe në media të caktuara. Se a do të dihet ndonjëherë e vërteta se kush ka qenë në SHIK dhe a ka mbetur ndonjë parti e papërfshirë apo të gjitha partitë kanë pasur njerëzit e tyre në SHIK, apo SHIK-u është infiltruar në të gjitha partitë deri në majat e tyre, kjo mbetet të shihet ose ndoshta do të zbardhet e vërteta herë pas here nga deklaratat e politikanëve.

Për më tepër, sipas analistëve, mbetet të shihet nëse do ta trondiste skenën politike hetimi i këtij shërbimi, veprimtaria e të cilit ,sipas analistëve, ishte vetëm në shërbim e interes të PDK-së për të kapur institucionet e shtetit e për të zhvatur buxhetin e asetet e shtetit përmes mafio-oligarkëve të rekrutuar po nga SHIK-u. Analistët thonë se dikush po e pengon hetimin e SHIK-ut në Kosovë, pasi vetë SHIK-un e përbënin krerët e institucioneve kryesore të shtetit në Kosovë, të instaluar në majat e shtetit të kapur.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi: SHIK-u e ka pushtetin nën kontroll

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, tregon për lexuesit e gazetës “Kosova Sot” se pse ky subjekt, siç e ka quajtur tipik partiak dhe me interesa të theksuara ekonomike, duke shtuar se pushteti nga ana e SHIK-ut dhe PDK-së është ndihmuar, madje shumë ashpër nga LDK-ja. “PDK-ja dhe LDK-ja e kanë tërë pushtetin. Nuk ka vend ku nuk prijnë anëtarët e LDK-së. Kjo është nëpër ministri, polici, prokurori dhe në gjykata.

Pas këtij subjekti vijnë PDK-ja dhe SHIK-u. Se a kanë qenë personat e përfolur në SHIK apo jo unë nuk di! Nuk kam fakte të kësaj natyre. Por, fakti se VV-ja pati Dardan Molliqajt, Shpend Ahmeti, e Molliqajt e tjerë, tregon karakterin dhe qëllimin e VV-së dhe të PSD-së. Thjesht subjekte tipike të interesit financiar, pa asnjë vijë të qartë ideopolitike. Ato janë subjekte që gjoja kanë socialdemokraci, por në fakt përbërja dhe angazhimi i tyre është tipik profitabil. Angazhimi i tyre është thjesht i karakterit pasuror.

Edhe në grupin punues në dialogun me Serbinë janë thjesht qesharakë. Është qesharak dhe i paditur Fatmir Limaj, është qesharak dhe megaloman Shpend Ahmeti. Janë individë që fare nuk kanë njohuri dhe në këtë anë flet edhe përbërja e grupit punues me nipa e mbesa analfabetë. Të vjen turp se kush mendohet të përfaqësojë Kosovën. Njerëzit e pakualifikuar dhe shumë të dyshimtë në dijet e tyre”, theksoi Kelmendi. Ai tutje ka shtuar se këtë e bën më qesharake përbërja e grupit punues me njohuritë 'mëdha' të nipave e të mbesave të tyre.

“Nuk do mend se jemi shumë keq. Vendi po grabitet nga këta politikanë. Shteti po lëngon dhe shkatërrimi i tij po vjen e gradualisht. Edhe VV-ja, edhe PSD-ja, edhe PDK-ja, edhe LDK-ja varen tërësisht nga SHIK-u. Vartësi të madhe ka edhe NISMA, e madje edhe AAK-ja. Pra, pse nuk hetohet SHIK-u? Thjesht se SHIK-u e ka pushtetin nën kontroll. Këtu është fakti”, u shpreh Kelmendi.

Image
Ragip Guraziu

Guraziu: SHIK-u i infiltruar te të gjitha partitë

Analisti Ragip Guraziu u shpreh për gazetën “Kosova Sot” se nuk do të mbetet kush pa u koritur, e sipas tij shembulli më i mirë është tani Dardan Molliqaj, që akuzoi Glauk Konjufcën se ishte pjesë e SHIK-ut gjatë periudhës kohore 2000-2001, se ishte paguar 150 marka dhe se Fadil Lepaja ishte rekrutues i Konjufcës në SHIK.“Tani konflikti i dy bosëve të VV-së po e zbardh fytyrën e vërtetë të VV-së dhe duhet të turpërohet dhe të japë llogari VV-ja se çfarë njerëz të tipit të Dardan Molliqajt, Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut ka promovuar për vite të tëra në majat e VV-së, e tash të njëjtit i quajnë kolegët e tyre pjesë të SHIK-ut.

Po si qe e mundur që asnjëherë nuk u nis një hetim për SHIK-un (e dyshuar për kriminal) në Kosovë dhe pse të gjithë kanë frikë nga hetimi i SHIK-ut? Kjo po na lë të dyshojmë se me të vërtetë ka anëtarë të SHIK-ut të instaluar në të gjitha partitë dhe në të gjitha institucionet e shtetit, por edhe në media të caktuara. SHIK-u është infiltruar në të gjitha partitë, deri në majat e tyre. Ndoshta do të vijë dita kur do ta tronditë skenën politike hetimi i këtij shërbimi (kriminal), veprimtaria e të cilit ishte vetëm në shërbim e interes të PDK-së, por tashti po na del se për të kapur institucionet e shtetit e për të zhvatur buxhetin dhe asetet e shtetit përmes mafio-oligarkëve të rekrutuar po nga SHIK-u, jo vetëm PDK-ja, por gjitha subjektet politike dhe institucionet komplet.

Duhet zbuluar njëherë e përgjithmonë se kush po e pengon hetimin e SHIK-ut në Kosovë? Dhe, a ishte dhe është vetë SHIK-u (siç thuhet kriminal), edhe sot përbejnë krerët e institucioneve kryesore të shtetit në Kosovë të instaluar në majat e shtetit të kapur”, theksoi analisti Ragip Guraziu për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Naim Miftari

Miftari: SHIK-u kurrë nuk do të hetohet as dënohet, përderisa SHIK-u dhe PDK-ja janë në qeveri

“Akuzat kundër Glaukut janë akuza politike të porositura, por shtrohet pyetja çka synohet të arrihet me këto akuza e kundërakuza, aq më pak nga ish-shokët e tyre, lëvizja VV, e cila ka gabuar që ka afruar misionarë të porositur nga marrja e këshilltarëve të Hashim Thaçit e bashkëpunëtorëve të Xhavit Halitit e Ilmi Reçicës.

Qëllimi i këtyre misionarëve ishte që Albin Kurti, Liburn Aliu, Rexhep Selimi... e disa tjerë të përvetësohen nga brendapërbrenda, që dalëngadalë t’i afrohen PDK-së, ose nëse nuk iu ndez plani nga brenda të bëhet shpartallimi i VV-së, duke e copëtuar në fragmente këtë parti, pasi rreziku më i madh për krimin e organizuar politik në krye me Hashim Thaçin vjen nëse Albin Kurti vjen në pushtet dhe si idealist i pakorruptuar dhe deri me sot Albini është makthi i krimit të organizuar me pronto-aktorët e shumë klaneve tjera kriminalo-politike. Krimi i organizuar i ‘Prontos’, PTK-së, ‘Trepçës’, Aeroportit, klanit të AKM- AKP-së, Devollëve, pastaj klani i Shpend Maxhunit ‘Coca Cola Zero’ dhe ‘Vitës’, KEK- KEC, ETC... kanë vetëm një kundërshtar të njëmendtë, e ai është Albin Kurti dhe shpëtimi i Kosovës vjen nga bashkëpunimi i sinqertë nëse ndodh bashkimi serioz mes VV-së dhe LDK-së...

Sa i përket SHIK-ut, ai kurrë nuk do të hetohet as dënohet përderisa SHIK-u dhe PDK-ja janë në qeveri dhe mbajnë pushtetin e kontrollojnë policinë, gjyqësinë, prokurorinë, AKI-në Doganat FSK-në, Parlamentin,Televizionin publik, shumicën e shtypit, universitetet. Dhe, rreziku i Kosovës është se partitë politike janë të kapura nga klanet kriminale të disa bosëve që kontrollojnë dhe caktojnë ardhmërinë politike dhe caktojnë pushtetet për t’i mbrojtur interesat e tyre që 20 vjet rresht, deri diku e vetmja pengesë e tyre ishte Ibrahim Rugova, gjersa vdiq në mënyrë të shpejtë dhe të dyshimtë, por tani dekadën e fundit pengesë dhe rrezik i këtyre klaneve dhe disa çarqeve antishqiptare është Albin Kurti, nëse nuk ndryshon në të ardhmen.

Sa i përket ShIK-ut, shumica e djemve dhe vajzave tona që kanë punuar aty kanë qenë njerëz të mirë dhe atdhetar. Deformimi, demonizimi dhe keqpërdorimi i SHIK-ut për të ardhur në pushtet me çdo kusht dhe për të fituar materialisht pasuri miliarda euro është bërë nga gjashtë ose shtatë udhëheqës që sot janë bërë multi-milionerë, ku vendin kryesor pa dyshim e mban bosi, Hashim Thaçi, me disa bashkëpunëtorë të tij. Ia ka tërhequr vërejtjen personalisht Xhelal Sfeçlës para 7 viteve se çka i pret në të ardhmen pikërisht nga këta njerëzit e 'vet’, që sot i kanë kundërshtarët më të zëshëm të tyre po bënte be në kokën e tij se janë si një familje”, theksoi analisti Naim Miftari për gazetën “Kosova Sot”, që edhe vetë e ka pranuar publikisht se ka qenë pjesë e SHIK-ut.

Image
Florim Zeqa

Zeqa: SHIK-u është shndërruar në sinonim frike e kërcënimi, shantazhi dhe likuidimi fizik

“Përderisa në të gjitha vendet demokratike të botës shërbimet informative janë sinonim i së mirës, i ruajtjes dhe mbrojtjes së qytetarëve dhe shtetit nga të këqijat e mundshme, tek ne, në Kosovë, shkaku i abuzimit të skajshëm me Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK) nga individë dhe subjekte të caktuara,...SHIK-u është shndërruar në sinonim frike e kërcënimi, shantazhi dhe likuidimi fizik për qytetarët!

Për shkak të përhapjes dhe përfshirjes së SHIK-ut në të gjitha partitë politike, vështirë se ndonjëherë do të dalë në shesh e vërteta e kësaj organizate! Implikimi i zyrtarëve partiakë në SHIK dhe anasjelltas, i infiltrimit të SHIK-ut në të gjitha partitë politike, e bën akoma më të dyshimtë veprimtarinë e disa prej liderëve partiakë. Prandaj, zbardhja e së vërtetës së veprimtarisë së SHIK-ut do ta trondiste skenën politike kosovare.

Mbase, kjo edhe është arsyeja pse asnjëherë deri më tani nuk u ngrit një komision parlamentar për ta hetuar punën dhe veprimtarinë e SHIK-ut.

Instalimi i pjesëtarëve të SHIK-ut në partitë politike fillimisht e ka mundësuar kontrollin, e më pastaj shantazhin ndaj liderëve të caktuar partiakë.

Kjo situatë ka pamundësuar çuarjen para të debatit për SHIK-un, gjegjësisht me shkuarjen deri në fund, me akuzat për pjesëmarrje në SHIK. Në këtë prizëm ishte edhe akuza qesharake e Dardan Molliqajt kundër Glauk Konjufcës, se ishte pjesë e SHIK-ut gjatë periudhës kohore 2000-2001, se ishte paguar 150 marka dhe se Fadil Lepaja ishte rekrutues i Konjufcës në SHIK. Mohimi i plotë i akuzës së Molliqajt nga ana e z. Fadil Lepaja flet për intrigat dhe format e shantazhit mes oponentëve politikë.

Akuza e Molliqajt duhet t'i shërbejë VV-së për ndërgjegjësim dhe reflektim njëkohësisht se kë e pranon në radhët e saj, për shkak se kuantiteti mund ta përcaktojë një sukses të përkohshëm, por jo të ardhmen afatgjate të një subjekti politik. Edhe pse zyrtarisht ka "përfunduar" veprimtaria e SHIK-ut, ai vazhdon të sillet si gogol trishtues në mendjet e njerëzve! Zbardhja sa më parë e veprimtarisë së SHIK-ut do të qetësonte shpirtrat dhe shëronte plagët shpirtërore të shumë qytetarëve kosovarë”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Florim Zeqa.

Image
Ramiz Bojaj

Bojaj: PSD-ja është bërë vegël e pushtetit të SHIK-ut

“Akuzat e Dardan Molliqajt ndaj Glauk Konjufcës, kinse ky i fundit ka qenë anëtar i organizatës famëkeqe të SHIK-ut në periudhën kohore 2000-2001 dhe se ishte paguar 150 marka si pagesë e anëtarësisë, është veprim sa skandaloz dhe vjen direkt nga çerdhja e SHIK-ut. Ta akuzosh dikë si anëtar i një organizate kriminale, në kohën kur vetë je bërë ortak (aleat) i asaj strukture pushtetare është sa e pamoralshme aq edhe neveritëse.

PSD-ja është bërë vegël e pushtetit të SHIK-ut dhe duhet të jesh shumë i pamoralshëm të akuzosh (pa asnjë fakt) dikë se dikur paska qenë për një vit në një organizatë paramilitare të SHIK-ut, e cila atëherë e sot është konjuktura më e urryer, më misterioze, por edhe më fatkeqe për shtetin e Kosovës (e mbushur me shantazhe, eliminime, kërcënime, grabitje, kapje shteti....). Këtë e vërtetojnë dokumentet arkivore të NATO-s, por edhe ish- agjentë të shumë të kësaj organizate antishqiptare.

Funksionimi, struktura, si dhe veprimtaria e kësaj organizate ishte 'copy paste' e modelit serbo-rus, për krijimin e terrenit të strukturave të egra pushtetare, zhvatëse, grabitëse e kapëse, duke eliminuar konkurrentët potencialë. Model tipik komunist i ndërtimit të pushteteve absolute. Anëtarë të kësaj organizate ishin e janë të shpërndarë pothuajse në të gjitha partitë politike të Kosovës, të cilët janë lehtë të identifikueshëm, sepse këto elemente janë në përkrahje të vazhdueshme të ideve të Hashim Thaçit e Kadri Veselit për ndarjen dhe zhbërjen e shtetësisë së Kosovës, sipas interesave e kërkesave zyrtare serbe. Nuk janë vetëm anëtarë partish, por janë edhe OJQ, policë, spiunë në AKI, media e gazetarë që u shërbejnë interesave të pushtetit të SHIK-ut.

Të gjithë ato media, liderë, gazetarë, OJQ... që përkrahin Thaçin, Veselin&Co, për ndryshim kufijsh, janë të pozicionuar në anën e grupimit të SHIK-pushtetit, e që përkon me interesat serbe e ruse. Po ashtu, ato parti e ata deputetë që kanë zgjedhur krerët e SHIK-ut në pozicione të larta shtetërore janë rreshtuar përkrah SHIK-ut, pa pasur nevojë të kenë pasur 'librezë anëtarësie' të kësaj organizate. SHIK-u nuk është shpërbërë e as shuar, ajo është shkrirë duke kapur pothuajse të gjitha segmentet e shtetit të Kosovës. Rezultat i gjithë kësaj janë bandat e forta mbi shtetin e mbi ligjin. Andaj edhe kemi shtet të dobët, fragjil e të varfër, me shpresa të vrara e pa të ardhme, por kemi banda, ndër më të fortat në rajon.

Thjesht, njerëzit e kësaj bande janë kapësit e resorëve të shtetit, të rreshtuar edhe nga partitë të cilat e kanë bashkëqeverisur Kosovën tash e 20 vjet. Prandaj, nuk kemi asnjë hetim zyrtar e të duhur për veprimtarinë e SHIK-ut, por kemi kohë pas kohe akuza e kundërakuza për vrasje, shantazhe, kërcënime... brenda anëtarëve të kësaj organizate. Pengesë kryesore për hetimin e SHIK-ut janë vetë partitë politike, sepse politika e Kosovës është kriminalizuar skajshmërisht, pikërisht duke qenë në vartësi nga këto segmente. Duhet ta kuptojmë edhe këtë se eksodi i ikjes masive të qytetarëve të Kosovës ka ndodhur në çastin e koalicionit paraprak, LDK-PDK-SHIK, eksod i cili vazhdon edhe sot.

Andaj, edhe sot kemi propagandë të SHIK-ut, se kush ka qenë e kush jo në këtë organizatë, duke ditur botërisht se udhëheqësit më të lartë të kësaj strukture janë në pushtet. Kjo është taktikë e SHIK-ut për zgjedhjen e temave të parëndësishme, duke iu shmangur problemeve reale në vendin tonë: ikja masive e qytetarëve dhe procesit për ndarjen e Kosovës (shkëmbimi i territoreve). Qytetarët duhet t'i zgjedhin vetë temat e debatit, duke rrëzuar pushtetin e kalbur e kriminal, i cili i ka zënë frymën lirisë së Kosovës, zhvillimit ekonomik, drejtësisë, sigurisë, integrimit... Spastrimi etnik i Kosovës ishte plan i UDB-së serbe (policisë, paramilitarëve e ushtarëve serbë). Fatkeqësisht, këtë po e zbaton sot në përpikëri pushteti i SHIK-ut, i cili me ‘kumonën’ e patriotizmit i solli të gjitha të zezat popullit shqiptar, duke rrezikuar të ardhmen e kombit e të atdheut tonë”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Ramiz Bojaj.

Image
Gani Qarri

Qarri: Me hetimin do të zbulohen anëtarët e SHIK-ut, të instaluar në të gjitha partitë

“Ka vite për të mos thënë ndoshta edhe rreth dy dekada që emri SHIK është bërë sinonim i frikës, dyshimit dhe veprimeve e konspiracioneve në vend, prandaj sa herë që është tentuar të damkoset apo demonizohet dikush, është akuzuar se është apo ishte pjesëtar i këtij shërbimi ilegal-privat të PDK-së.

Madje këto ditë edhe Dardan Molliqaj, deri para pak kohësh, edhe vetë eksponent i VV-së, akuzoi Glauk Konjufcën se ishte pjesë e SHIK-ut gjatë periudhës kohore 2000-2001, për të cilin tha se paguhej 150 marka dhe se Fadil Lepaja ishte rekrutues i Konjufcës në SHIK. Në këtë mënyrë, përditë e më tepër po dëshmohet sa shumë duhet të turpërohet dhe të japë llogari VV-ja se çfarë njerëz të tipit si Dardan Molliqajt, Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut për vite të tëra i ka promovuar me pompozitet në majat e VV-së, e tash të njëjtit i akuzojnë kolegët e tyre për pjesë të SHIK-ut !? Për aq më tepër, duke pasur parasysh faktin se pjesëtarë të SHIK-ut ka në të gjitha partitë, asnjëherë nuk u nis një hetim për SHIK-un, nga frika se me hetimin e SHIK-ut do të zbulohen anëtarët e SHIK-ut të instaluar në të gjitha partitë dhe në të gjitha institucionet e shtetit, madje deri edhe në media të caktuara publike.

Ndaj pa hapjen e dosjeve dhe një VETTING-u të vërtet në organet e brendshme të sigurimit shtetëror dhe ato të drejtësisë, është vështirë të dihet ndonjëherë e vërteta se kush ka qenë në SHIK dhe a ka mbetur ndonjë parti e papërfshirë apo të gjitha i kanë pasur njerëzit e tyre në SHIK, të infiltruar në të gjitha partitë, deri në majat e tyre.

Përndryshe, hetimi i njëmendtë i këtij shërbimi, të quajtur nga shumë njerëz të partive tjera edhe si kriminal, do ta trondiste gjithë skenën politike, për shkak se aty do zbuloheshin edhe pjesëtarë të segmenteve të tjera politike, ani pse veprimtaria e tij ishte në shërbim e interes të PDK-së, për të kapur institucionet e shtetit e për të zhvatur buxhetin e asetet e shtetit përmes mafio-oligarkëve të rekrutuar edhe nga partitë tjera nga SHIK-u. Kështu që hetimin e SHIK-ut ende e pengojnë të gjitha partitë e mëdha politike në vend, për faktin se gjenden edhe pjesëtarët e vet, në SHIK (siç thuhet kriminal), të cilin edhe sot e përbejnë krerët e institucioneve kryesore të instaluar në majat e pushtetit dhe shtetit të kapur të Kosovës”, theksoi Gani Qarri për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)