E vërteta për SHIK-un i nxjerr lakuriq partitë politike

  • 15 April 2019 - 07:52
E vërteta për SHIK-un i nxjerr lakuriq partitë politike

Kosumi: Grupit të Shpendit nuk i intereson asgjë tjetër, përveç pozitës dhe ardhjes sa më të shpejtë në pushtet

”Pavarësisht akuzave që po ia bëjnë njëri- tjetrit, të gjitha partitë janë të njëjta, prandaj edhe nuk nisin diçka serioze për ta zbardhur të vërtetën për palën tjetër. Edhe këto akuzat, se kush ka qenë në SHIK e çfarë ka bërë janë duke i bërë për interesin e vet dhe duke luftuar për ta mundur njëri- tjetrin për karrige. Këta duke vepruar kështu kanë shkuar aq larg, saqë janë pasuruar secili duke ruajtur interesin e vet, pavarësisht akuzave që po i ndërrojnë ndaj njeri- tjetrit.

Prej kryetarit të shtetit, Hashim Thaçit e teposhtë, të gjithë këta në institucione dhe politikë as vetë nuk e dinë se sa pasuri kanë bërë, janë pasuruar për vete. Ne na ka humbur vullneti dhe më mirë as të mos e shikojmë televizorin, as lajmet të mos i dëgjojmë, se nuk ke se çfarë sheh e çfarë dëgjon. Unë mendoj që këta kurrë nuk mund të marrin iniciativë të shumicës për ta hetuar atë që dyshohet për SHIK-un, sepse realisht të gjithë janë të përlyer edhe në punë të pista”, thotë qytetari Adem Hoti për “Kosova Sot”

Përplasjet në mes të ish-deputetëve të VV-së, tani të larguar nga ky subjekt politik dhe të rreshtuar në PSD, ka kohë që nuk po ndalojnë, e kryesisht kësaj loje po i prin Dardan Molliqaj, i cili sërish e akuzoi Glauk Konjufcën se ishte pjesë e SHIK-ut gjatë periudhës kohore 2000-2001 , se ishte paguar 150 marka dhe se Fadil Lepaja ishte rekrutues i Konjufcës në SHIK.

Qytetarët e anketuar rreth këtyre kësaj fushate dhe këtyre akuzave mendojnë se për këtë teatër që partitë politike po e luajnë tani në Kuvend, duhet të turpërohen që të gjitha, e në veçanti duhet të turpërohet dhe të japë llogari VV-ja se çfarë njerëzish të tipit të Dardan Molliqajt e Shpend Ahmetit, e Dardan Sejdiut ka promovuar për vite të tëra në majat e LVV-së, e tash të njëjtët i quajnë kolegët e tyre SHIK-u kriminal, dhe nga ana tjetër askush nuk e merr guximin dhe të merret seriozisht me inicimin e një hetimi për SHIK-un, aq sa mund të lejojë ligji dhe të krijohen kushtet nga një komision hetues parlamentar apo institucione të tjera.

Qytetarët madje janë të sigurt që një proces i tillë nuk ndodh, pasi, sipas tyre, mund të dalë konstatimi se anëtarë të SHIK-ut do të zbulohen në të gjitha partitë dhe në të gjitha institucionet e shtetit,por edhe në medie. Kjo është një nga arsyet pse nuk hetohet e kaluara e SHIK-ut, prandaj edhe nuk do të dihet ndonjë herë e vërteta se kush ka qenë në SHIK dhe a ka mbetur ndonjë parti e papërfshirë apo të gjitha partitë kanë pasur njerëzit e tyre në SHIK, apo SHIK-u është infiltruar në të gjitha partitë. Qytetarët janë të sigurt se sikur të ndodhte një hetim i tillë, që në këtë situatë është i pamundur, pasi askush nuk e ka seriozisht, ai hetim do të mundë ta trondiste tërë skenën politike.

Image
Adem Hoti

Luftë për karrige

Qytetari Adem Hoti theksoi për “Kosova Sot” se mendon që, pavarësisht akuzave që po ia bëjnë njëri- tjetrit, të gjitha janë të njëjta, prandaj edhe nuk nisin diçka serioze për ta zbardhur të vërtetën për palën tjetër. “Ata më shumë janë duke u marrë me njëri- tjetrin se sa që po mendojnë diçka seriozisht për neve si qytetarë. Krejt ato të zezat e njëri- tjetrit janë duke i nxjerrë në sipërfaqe, sepse ne si popull nuk i kemi ditur ato.

Ai bën akuza për vete, ai tjetri për vete, e nga ana tjetër, kur është qëllimi i përfitimit personal, të gjithë janë në një vend dhe të bashkuar në një kafaz, sepse ata mendojnë vetëm për interesin e tyre të ngushtë. Edhe këto akuzat, se kush ka qenë në SHIK e çfarë ka bërë janë duke i bërë për interesin e vet dhe duke luftuar për ta mundur njëri- tjetrin për karrige. Këta duke vepruar kështu kanë shkuar aq larg, saqë janë pasuruar secili duke ruajtur interesin e vet, pavarësisht akuzave që po i ndërrojnë ndaj njeri- tjetrit.

Prej kryetarit të shtetit, Hashim Thaçit e teposhtë, të gjithë këta në institucione dhe politikë as vetë nuk e dinë se sa pasuri kanë bërë, janë pasuruar për vete”, u shpreh Hoti. Ai tutje ka shtuar: “Ne na ka humbur vullneti dhe më mirë as të mos e shikojmë televizorin, as lajmet të mos i dëgjojmë, se nuk ke se çfarë sheh e çfarë dëgjon. Unë mendoj që këta kurrë nuk mund të marrin iniciativë të shumicës për ta hetuar atë që dyshohet për SHIK-un, sepse realisht të gjithë janë të përlyer edhe në punë të pista”, theksoi Adem Hoti për “Kosova Sot”.

Image
Behxhet Kosumi

Kosumi: Shpend Ahmeti me grupin e tij nuk janë fare parimorë

Qytetari Behxhet Kosumi theksoi për “Kosova Sot” se këto akuza që drejtohen nga grupi i Shpend Ahmetit në Parlament kundër VV-së kanë për qëllim denigrimin e VV-së.” Është pikërisht Shpend Ahmeti me grupin e tij që nuk janë fare parimorë, derisa VV-ja asnjëherë nuk lëkundet nga parimet e veta, gjë që është dëshmuar fuqishëm deri tash. Nuk janë aspak parimorë, sepse për disa vjet kanë qenë së bashku edhe në momentin që u ndanë, filluan me ato akuzat se kush paska qenë pjesë e SHIK-ut.

E kjo po ndodh, pasi realisht parimet e VV-së dihet cilat kanë qenë dhe cilat mbeten akoma”, është shprehur ai. Sipas tij, edhe këta nga VV-ja nuk janë shumë të gatshëm për të ardhur në pushtet akoma, por vetëm po i kritikojnë të tjerët. “E këtij grupit të Shpendit nuk i intereson asgjë tjetër, përveç pozitës dhe ardhjes sa më të shpejtë në pushtet, prandaj bëjnë sulme të tilla dhe asgjë tjetër. Sidoqoftë, secili që mendon pak më thellë e pak më drejt, e di realitetin në Kosovë se çfarë është thënë prej as luftës e deri më sot edhe për SHIK-un. Ka apo nuk ka vend për thënie të ndryshme e për kritika e di secili”, theksoi qytetari Behxhet Kosumi.

Image
Din Ferziz

Na shkuan 20 vjet e nuk po shihet asgjë e mirë

Qytetari Din Ferizi këto lloj akuzash i sheh tepër joserioze, sepse bëhet fjalë për ish- kolegë të një partie politike, anëtarë të një “familje”. “Normal që kanë dalë nga një familje, por edhe në familje ka gjithçka, dhe kuptohet ajo, kështu që nuk është mirë që në kohën e sotme të ndodhin këso gjërash, në vend se të bëhemi bashkë, kur e dimë që armikun e kemi te dera, e që kërkohet të bashkohemi kundër tij e t’ia dalim për atë që kanë luftuar njerëzit, që kanë dhënë gjak e të gjitha këto që i kemi deri më sot, por akoma nuk e kemi krejt tërësinë e shtetit të bashkuar si Kosovë, e kemi të ndarë, prandaj është shumë e lehtë të flasësh kundër njëri- tjetrit aty në Parlament, por duhet të dalin atje nga Mitrovica, të shkojnë të gjithë, kush e di e kush nuk di, sepse për të folur prej këtu nga distanca është shumë e lehtë, sepse atje nuk po i sheh që po shkojnë askush.

Po e them këtë duke u nisur nga kryetari i shtetit e të gjithë varg e vi pas tij që asnjë nuk ka guxuar të shkojë atje, kurse të fliten fjalë është shumë kollaj. Duhet ta dalin e të shkojnë atje, që t’i shohin njerëzit, sepse qytetarët e frikësuar kanë shitur shtëpi e pasuri për të ikur dhe për të dalë këndej, kurse serbët atje po ndërtojnë shtëpi për ta kolonizuar atë pjesë të Kosovës. E këta këtu vetëm një garazh po e ndërtove vijnë e ta rrëzojnë dhe nuk të lejojnë për të jetuar, kështu që asgjë prej asnjërit nuk po shoh diçka të mirë”, theksoi qytetari Din Ferizi për gazetën “Kosova Sot”.

Sipas tij, akuza se kush ka qenë me SHIK-un e kush nuk ka qenë nuk janë të kohës, sepse tanimë për secilin dihet çka dhe sa ka kontribuar, prandaj shumë shpejt do të dalë si e mira, si e keqja, çka ka kontribuar secili si individ, sepse historia do ta thotë të vërtetën. Na shkuan kot së koti 20 vjet dhe nuk po shihet asgjë e mirë. Unë mendoj që Kuvendi do të kishte mundur fare lehtë të merret me këtë çështje dhe të shohë si ka funksionuar dhe kush ka qenë krejtësisht në përbërjen e SHIK-ut, por nuk e bën, sepse njerëzit, të cilët duhet ta bëjnë këtë gjë, janë vetë ata që kanë qenë në atë kohë, në SHIK apo diku tjetër edhe kot është”, tha qytetari Din Ferizi për “Kosova Sot”.

Image
Gëzim Karaxhiu

Karaxhiu: Akuza të ulëta

“ Ky mentalitet i prishur politik në Kuvend është pasqyra e familjes që të njëjtët njerëz kanë në rrethin e tyre. Kjo puna e akuzave të ndërsjella është bërë dukuri e përditshme dhe në bazë të mentalitetit të tyre që po tregohet, kjo është edhe tregues i mentalitetit dhe bazës së familjeve të tyre, kështu që në mes tyre nuk ka kurrfarë dallimi. Mirëpo, tek Albin Kurti është një dallim, sepse për dallim nga krahu i Shpend Ahmetit, Albin Kurtin e vlerësojnë vetëm njerëzit të cilët janë me vlerë. Ndërsa sa u takon këtyre akuzave për përfshirjen e njerëzve të VV-së në SHIK, këto janë akuza shumë të thjeshta, të ulëta, dhe ata që po i përdorin këto, ata nuk e meritojnë të përfaqësojnë qytetarët”, ka theksuar qytetari Gëzim Karaxhiu për “Kosova Sot”.

Bullatovci: Partitë e mëdha e kanë përçarë VV-në

“Derisa ka qenë unike VV-ja e kam menduar si parti politike serioze, por tani kur janë përçarë dhe po akuzohen pa zgjedhur mjete mes PSD-së dhe VV-së, kjo po ndikon që zhgënjimi të rritet dhe të humbet shpresa tek të gjitha partitë politike, sepse të gjithë po na dalin të njëjtë, për interesat personale.

Në fillim kanë qenë shumë parti e fortë, kur kanë qenë së bashku, por me kalimin e kohës kanë qenë edhe shumë afër edhe për të qenë numër një në zgjedhjet e ardhshme, por po më duket që këtu ndikuan këto partitë e mëdha politike, dominuan, u përzien aty brenda dhe ndoshta edhe iu dhanë para të mëdha, por sidoqoftë arritën që t’i shpartallojnë, sepse me gjasë u frikësuan nga VV-ja që do t’ua marrë këtyre të tjerëve pushtetin.

Unë mendoj që tani këto akuzat rreth SHIK-ut nuk janë serioze, nuk e di pse po e akuzojnë këta njëri- tjetrin kur deri dje kanë qenë bashkë. Unë nuk e di dhe nuk kam informacione për të kaluarën e SHIK-ut për çka po akuzohen mes vete disa individë, por po më duket që janë futur në disa tema të rënda dhe të thella, saqë krejtësisht e kanë humbur kuptimin dhe logjikën”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” qytetari Arsim Bullatovci.

(Kosova Sot)