Autori i masakrës së Selenicës braktiset dhe nga avokatët. Dëshmitari: S’kam lekë për rrugën, mos më thërrisni

  • 17 April 2019 - 10:30
Autori i masakrës së Selenicës braktiset dhe nga avokatët. Dëshmitari: S’kam lekë për rrugën, mos më thërrisni

Ritvan Zykaj, autori i masakrës së Selenicës, përveç familjes, është braktisur dhe nga avokatët që i cakton shteti.

24-vjeçari që vrau tetë persona në fshatin Resulaj, gjatë seancës së fundit gjyqësore, ishte pa praninë e avokatit. Kjo bëri që seanca të shtyhej dhe Gjykata të caktonte një tjetër avokat.

I veshur me një bluzë me vija, i riu është shfaqur i qetë, por disi i hutuar. E vetmja fjalë që i ka shkëputur trupi gjykues ka qenë vetëm një “Po”.

Pikërisht rreth pyetjes nëse pranonte të shtyhej seanca, edhe për pasojë të mungesës së avokatit mbrojtës të caktuar kryesisht. Klajdi Mece ka zënë vendin e avokatit Migjen Xhavara, i cili nuk ishte paraqitur, madje as në seancën e kaluar, seancë e cila u shty sërish për këtë fakt.

Pohimi i Zykajt ka qenë fjala e tij e vetme, ndërsa më pas ka vijuar të qëndrojë sërish në heshtje, ndërsa seanca ka vijuar vetëm me pyetjen e dëshmitarit të vetëm të paraqitur në sallë, Fiqiri Serjani.

Ky i fundit kërkoi nga trupa gjykuese të mos thërritet sërish, pasi nuk ka mundësi financiare për të paguar transportin. Lagjja ku ndodhi ngjarja e rëndë më 10 gusht 2018 është boshatisur. Përveç familjarëve të Ritvanit, janë larguar dhe të afërmit e viktimave që i shpëtuan masakrës.

“Shtëpitë janë të mbyllura plotësisht. Kanë ikur të gjithë. Aty nuk ka më njeri”, u shpreh Serjani, duke thënë se nuk do të paraqitet më si dëshmitar. Prokuroria pritet të kërkojë burgim të përjetshëm për 24- vjeçarin, i cili ka deklaruar se kreu një akt të tillë pas akuzave se ai u vidhte pulat.

(Kosova Sot)