Daçiq: Ta heqim qafe taksën, për temat tjera flasim pas takimit të Berlinit

  • 17 April 2019 - 11:31
Daçiq: Ta heqim qafe taksën, për temat tjera flasim pas takimit të Berlinit

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se fillimisht Kosova duhet të heq taksën ndaj produkteve serbe, dhe më pas mund të shihet se për çfarë tema do të flitet. 

“Le të heqim qafe taksën, pastaj shohim. Le të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodh në Berlin me 29 prill”, ka thënë Dacic.

Këto deklarata ai i ka bërë pas një interviste të komisionerit Hahn, i cili nuk e përjashton idenë për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë e marrëveshjes finale në mes të dy shteteve.

“Unë shpresoj se një zgjidhje për çështjen e emrit të Maqedonisë të shërbejë si një shenjë paralajmëruese për zgjidhjen e konflikteve të tjera në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe bllokimin në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Hahn për “The Washington Post”. 

Në takimin e 29 prillit në Gjermani pritet që të dilet me një qëndrim për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe një gjë e tillë pritet të dihet nëse do të bëhet pa heqje të taksës, apo Kosova do të detyrohet që të pezullojë një vendim të tillë.

(Kosova Sot)