Pse Notre Dame u dogj aq lehtë

  • 17 April 2019 - 15:45
Pse Notre Dame u dogj aq lehtë

Një veçori arkitekturale, e cila e bënte katedralen e famshme të Parisit të njihej edhe si "Mali", tani është shndërruar në një faktor kyç të shkatërrimit të saj, pasi që u kaplua nga një zjarr i madh. Zjarri shpërtheu në këtë katedrale të shekullit XII në orën 6 pas dite GMT të hënën dhe shpejt përfshiu tërë enterierin e drunjtë. Me atë rast, zyrtarët deklaruan se korniza do të digjej në tërësi. E tërë korniza e ndërtesës 850 vjeçe ishte e bërë nga druri, ku për prodhimin e trarëve mendohet të jenë përdorë 1,300 drurë. Këta trarë përbënin tërë kornizën e brendshme dhe shërbenin si bazë për kulmin e lartë 35 metra. Zyrtarët tani thonë se asgjë nuk ka mbetur nga kulmi dhe presin që tërë korniza të shkatërrohet nga zjarri. 'Një përbërje e tillë e bën të logjikshme djegien e shpejtë të saj", thotë kontribuuesi i Notre Dame, Daniel Christian.

Kompletimi në vitin 1250

Bazat e drunjta, të vjetra, të Notre Dame-it kishte vite që ishin bërë objekt i shqetësimit. Në realizim e sipër ishte një projekt rinovimi, me vlerë 6.8 milionë dollarë, me qëllim të adresimit të disa prej problemeve kryesore në këtë ndërtesë historike. Statujat e katedrales ishin larguar javën e kaluar, para se të fillonin punimet në majën e famshme e cila qëndronte mbi 90 metra mbi tokë. Disa pjesë ishin të mbyllura tash e një vit. Ndërtimi i katedrales Notre Dame filloi rreth vitit 1160 dhe zgjati deri rreth vitit 1245, kur ishte kompletuar pjesa kryesore e saj. Më pas pati disa valë ndërtimesh të cilat përfundimisht formësuan katedralen, duke e bërë atë 'monument të rëndësisë të jashtëzakonshme historike dhe artistike', shkruan historiania Caroline Bruzelius në një punim të vitit 1987 . Dhe, ajo ridefinoi zhanrin e arkitekturës gotike. 'Më e lartë, më e gjatë dhe më e gjerë sesa çdo kishë gotike para saj, Notre Dame inkorporoi shumë përparësi teknike dhe strukturore', shprehet Bruzelius. 'Aty gjejmë shembujt më të hershëm të gjigantizmit që do të bëhej karakteristikë e arkitekturës gotike në gjeneratën e ardhshme të katedraleve. Ngritja katër katëshe me "ovuli" në katin e tretë ishte unike në kohën kur ishte bërë. Për më tepër, mbështetëset fluturuese të anijes të Notre Dame-s konsideroheshin të parat në arkitekturën gotike, rezultat i përdorimit të ndërtimit me mure të holla, të cilat kërkonin mbështetje shtesë të jashtme". Pasi që u vu gurthemeli në vitin 1163 nga Papa Alexander III, altari i lartë, kori, fasada perëndimore dhe anija, janë struktura që u shtuan më vonë. Ato u kompletuan deri në vitin 1250. Punët në katedrale vazhduan edhe gjatë 100 viteve të ardhshme, me strukturat shtesë. 

Gjatë Revolucionit francez, katedralja ishte shndërruar në magazinë ushqimore

Mbështetëset fluturuese nuk ishin në fillim pjesë e dizajnit. Ato u shtuan pasi që ndërtimi filloi të ofronte një mbështetje më të madhe për muret e holla. Përgjatë shekujve katedralja kishte përjetuar dëme të konsiderueshme, sidomos në shekullin XVI, kur 'sikur hugenotët, po ashtu edhe mbreti francez vandalizuan dhe ndryshuan shumë nga përmbajtja e katedrales, thuhet në ueb sajtin e katedrales. 'Shumë nga përbërjet e jashtme të katedrales ishin larguar, meqë konsideroheshin elemente të idhujtarisë, derisa varret dhe dritaret me qelq të errësuar ishin shkatërruar në emër të modernizimit. Gjatë Revolucionit francez, katedralja ishte shndërruar në magazinë ushqimore, si dhe ishin hequr shumë koka të statujave". Tentimet e para për restaurim filluan midis viteve 1845 dhe 1870, kur u riparuan shumica e dëmtimeve dhe u shtuan tipare të reja. Restauruesit modernë kanë punuar që nga fillimi i viteve 1990, me qëllim të rregullimit të fasadës dhe skulpturave. Bile, mendohet se zjarri është shkaktuar nga punët e renovimit. Por, kjo nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.

(Kosova Sot)