Privatizimi, me pasoja shkatërruese

  • 17 April 2019 - 17:59
Privatizimi, me pasoja shkatërruese

Analisti Nexhat Haziri i ka thënë gazetës se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë, përveçqë e ka shkatërruar ekonominë kosovare, është bërë në formë mafioze, ku kompani të caktuara, të afërta me PDK-në, kanë qenë ato që kanë përfituar më së shumti nga ky proces, duke bërë që ekonomia kosovare të pësojë goditjen fatale, edhe më të rëndë se nën okupimin e Serbisë. 

"Edhe në rastin që po i referoheni ju është përdorur metoda e njëjtë e shitjeve dhe stërshitjeve të ndërmarrjeve publike për interes të klaneve të caktuara të biznesit të lidhur me politikën, ku spikat kompania "Devolli", e cila ka lidhje të ngushta me familjen e presidentit Thaçi, në shumë biznese dhe funksionimi apo veprimtaria e kësaj kompanie i përngjanë oligarkëve rus që mbështetën fuqishëm nga Kremlini.

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa në rastin e LlAMKOS-it në Vushtrri, dikur një gjigant i ekonomisë kosovare, natyrisht se nëse ka rënë në duart e oligarkëve "Devolli", do ta ketë fatin si Fabrika e Amortizatorëve, e privatizuar në mënyrë të dyshimtë nga këta oligarkë, të cilës iu ndryshua destinimi përmes proceseve të inkriminuara të privatizimit", u shpreh ai.

"Nuk është asgjë e re kur në proceset e privatizimit të ndërmarrjeve publike, pas kompanisë gjoja ''fituese'' fshihet dikush tjetër, si në rastin e LLAMKOS-it, ashtu siç nuk është ndonjë sensacion për opinionin të thuhet se një pjesë ë madhe e ekonomisë kosovare është nën monopolin e oligarkëve "Devolli" dhe familjes së presidentit Thaçi, në veçanti vëllezërve të tij", tha Haziri për 'Kosova Sot'.