“Kosova Sot”, denoncuese e vazhdueshme e krimit dhe korrupsionit

  • 18 April 2019 - 08:14
“Kosova Sot”, denoncuese e vazhdueshme e krimit dhe korrupsionit

Regjimi serb iu hakmor gazetës më të besuar dhe më të guximshme të kohës me djegien e shtypshkronjës

Qytetarë të Kosovës, lexues të devotshëm të gazetës ”Kosova Sot’ theksojnë se kjo gazetë nuk ka pushuar asnjëherë për të denoncuar fenomenin më të shëmtuar që dëmton ardhmërinë tonë, ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin e vendit- korrupsionin galopant dhe krimin e organizuar

Image
Bislim Ademi

Bislim Ademi, qytetar

Lirisht mund të themi që ishte një moment tepër i vështirë kur doli dhe filloi të bëhet pjesë e informimit publik, në kushte të luftës dhe të okupimit serb, gazeta " Kosova Sot'. Kjo gazetë pati një mision shumë të vështirë, sepse rrugëtoi në disa procese të vështira, bëri informim korrekt dhe besnik në kushte lufte që nuk ishte e lehtë të bëhet. Kam dëgjuar asokohe se si u dënua dhe u ndalua kjo gazetë dhe u dogj e u shkatërrua.

Pra, regjimi serb iu hakmor së vërtetës që po raportohej nga kjo gazetë, ajo e vërtetë që u rrit dhe mori dhenë, duke detyruar botën demokratike që të intervenojë dhe të mbështesë luftën e drejtë të popullit të Kosovës. Meritat e veta të mëdha i ka për këtë proces të vështirë nëpër të cilin kaloi Kosova deri në liri gazeta “Kosova Sot”. E them me bindje të plotë dhe krejt lirshëm se gazeta ”Kosova Sot”, edhe sot po e luan një rol shumë konstruktiv në informimin e drejtë të qytetarëve, në informimin e pavarur dhe shumë kritik karshi zhvillimeve që po e përcjellin Kosovën e pasluftës, sepse gazeta po përballet dhe po i zbardh në mënyrë objektive të gjitha problemet nëpër të cilat po kalon Kosova si një shtet i ri, si shoqëri e re me pluset dhe minuset që po i shohim të gjithë. Si lexues i rregullt dua të besoj se kjo gazetë edhe më tej do të jetë vetëm në shërbim të qytetarëve dhe të vërtetës, pa i anashkaluar asnjëherë në trajtim hallet dhe problemet e mëdha me të cilat po ballafaqohemi dita-ditës, e që duhet të denoncohen e përmirësohen “.

“Kosova Sot” i rri larg ndikimit të politikës

Image
Nazmi Qoku

Nazmi Qoku, qytetar

Për mua nuk është e panjohur, e kam përjetuar, por edhe kam dëgjuar për rolin e madh që e pati ky medium për informimin gjatë luftës. Nuk ishte punë e lehtë t’i vizitosh dhe pastaj të raportosh për masakrat me foto, emër e mbiemër, dhe çdo ditë të lëvizësh nëpër patrullat e ushtrisë dhe policisë serbe që kryenin atë gjenocid. Prandaj edhe ky regjim iu hakmor gazetës më të besuar dhe më të guximshme të kohës me djegien e shtypshkronjës. Pra, le të jemi shumë të sinqertë dhe ta vlerësojmë si duhet punën e gazetarëve në atë kohë, sepse kjo nuk ishte aspak e lehtë, ishte me shumë e rrezik dhe mund të kushtonte me jetë. Mua më vjen mirë që kjo gazetë në kushtet e sotme po rri shumë larg nga ndikimi i politikës, është vazhdimisht e pranishme në familjen tonë, sepse e zezojmë të gjithë, pasi po mbetet e vetmja gazeta ”Kosova Sot’, që nuk po pushon asnjëherë duke denoncuar fenomenin më të shëmtuar që dëmton ardhmërinë tonë, ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin e vendit, denoncon me shkrime të pandashme krimin dhe korrupsioni.

Image
Zijadin Krasniqi

Zijadin Krasniqi, qytetar

Nuk ka çmim me të cilin mund të mbulohet gjithë ai kontribut i madh në informimin e guximshëm në kushte lufte që ka bërë “Kosova Sot”. Mua për këtë nuk më habit aspak fakti pse edhe regjimi i Milosheviqit ndërmori atë veprim kriminal për ta shkatërruar me themel këtë gazetë, duke urdhëruar forcat serbe që ta djegin shtypshkronjën më 24 mars 1999. Pra, këtu qëllimi ishte i qartë, synohej që të mbyllet tërësisht kjo dritare e informimit shqip në Kosovë, që po e njoftonte Kosovën dhe botën me të bëmat e regjimit famëkeq të Milosheviqit, i cili i kryente krimet dhe i mohonte ato. Edhe pas lufte, roli i saj është gati i njëjtë, sepse “Kosova Sot” po mbetet në funksion të informimit të drejtë dhe pa censurë, sidomos në luftimin e të gjitha të këqijave që po shfaqën dita ditës në Kosovë.

Gjithnjë në shërbim të së vërtetës

 

Image
Mustafë Vitija

Mustafë Vitija, qytetar

E them lirshëm se, gazeta ”Kosova Sot” ishte mediumi që me guxim më të madhe se asnjë gazetë tjetër e kohës, duke e informuar opinionin mbi të gjitha bëmat e regjimit të Slobodan Milosheviqit, Kasapit të Ballkanit. Dihet që politika e Milosheviqit, përveç shtypjes ndaj qytetarëve, ajo i mbylli edhe mediet e sektorit shtetëror, pastaj filloi ndjekjet ndaj medieve të lira private, dhe pikërisht këtu e dënoi gazetën “Kosova Sot” me 300 mijë marka me akuzën banale se po i përkrah “terroristët shqiptarë” të UÇK-së. Hapi tjetër i regjimit serb ishte djegia e shtypshkronjës së gazetës.

Mirëpo, qëllimi nuk u arrit, sepse regjimi përfundoi ashtu si përfundoi shpejt, kurse gazeta ”Kosova Sot” u ringjall dhe tani po vazhdon duke mbetur po ashtu në funksion të informimit të drejtë dhe objektiv. Është shumë qasje pozitive në këtë proces kur shihet një medium që vazhdon të jetë në nivelin më të lartë të detyrës e larg ndikimeve të politikës, duke luftuar që opinionit publik t’ia thotë vetëm të vërtetën duke pasqyruar gjendjen reale me të cilën ballafaqohet shteti dhe populli.( Vijon)

(Kosova Sot)