Takimi i Berlinit “varros” idenë e Thaçit për korrigjim kufijsh

  • 19 April 2019 - 07:44
Takimi i Berlinit “varros” idenë e Thaçit për korrigjim kufijsh

Presidenti i vendit mbetet i vetmuar, e përkrahin vetëm Rama e VuçiqiT:

Burjani: BE-ja është lodhur nga Kosova dhe Serbia me konflikte permanente

“Përveç kancelares Merkel, as SHBA-të më nuk po e përmendin çështjen e korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve. Ishte e qartë se Thaçi ishte munduar t'i mashtrojë amerikanët se gjoja Kosova ishte e interesuar për shkëmbim territoresh, gjë që ishte plotësisht e pavërtetë. Qëllimi i vetëm i Thaçit ishte dhe mbetet realizimi i planit serbo-rus për copëtimin e Kosovës, në mënyrë që ai të shpëtojë nga burgu për krimet që ka bërë”, thotë për “Kosova Sot” ish-deputeti, Adem Salihaj.

Çfarë do të sjellë takimi i Berlinit dhe cili është skenari për Kosovën dhe Serbinë i përgatitur nga fuqitë e mëdha? Nuk është e lehtë përgjigja lidhur me këtë çështje, por si duket ky takim do ta 'varrosë' idenë për korrigjim kufijsh, ashtu siç ka shkruar gazeta austriake "Der Standard"? Analistët thonë se takimi i Berlinit do të jetë një shuplakë për Thaçin, i cili dëshiron që Serbisë në këmbim të shpëtimit të vetes nga Specialja t’i japë tokë. 

Andaj, sipas tyre, ky takim do ta vulosë dështimin e planit të Thaçit, Vuçiqit dhe Edi Ramës për ndarjen e Kosovës, por shtrohet pyetja se çfarë skenari do të bëjë Thaçi për t’i shpëtuar Speciales dhe a përfshihet në skenar edhe plasni për destabilizimin e Kosovës për t’u shfaqur, pastaj si shpëtimtari? Analistët thonë se ka rrezik që edhe Rusia të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç po kërkon Serbia.

Bie opsioni për ndarje

Image
Ali Hertica

Analisti Ali Hertica është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, me liderët rajonalë do ta shfuqizojnë taksën ndaj Serbisë dhe do të kërkojnë që të ulen tensionet për të gjetur një zgjidhje përfundimtare.

“Merkel do ta paralajmërojë Beogradin se në këtë rrugë duhet të zgjidhë problemin e raporteve me Kosovën. Negociatat e anëtarësimit mund të jenë të suksesshme nëse vazhdojnë reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe normalizohen marrëdhëniet me Kosovën. Me shtetin e Kosovës duhet të ketë marrëveshje kontraktuale si dy shtete të barabarta në arenën ndërkombëtare. Gjermania është një prej vendeve të cilat kanë kërkuar hapur që Serbia ta pranojë Pavarësinë e Kosovës dhe që në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel të nënshkruhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridike për normalizimin e raporteve me Kosovën. Marrëveshja për normalizimin e raporteve me Kosovën është paraqitur në Bruksel si një prej kushteve kryesore për anëtarësimin e Serbisë në BE. Por, tani është një platformë e çoroditur ruse, që me dinakëri mund të futet në këtë mes”, theksoi analisti Hertica. 

Salihaj: Thaçi po punon ditë e natë për copëtimin e Kosovës

Image
Adem Salihaj

Ish-deputeti Adem Salihaj theksoi për “Kosova Sot” se takimi i Berlinit do ta konfirmojë qëndrimin e kancelares Merkel dhe do t'ua bëjë me dije Thaçit, Vuçiqit dhe Ramës se ideja e tyre për korrigjim kufijsh apo shkëmbim territoresh nuk do të kalojë.

“Nuk duhet harruar se Thaçi po punon ditë e natë për copëtimin e Kosovës, pavarësisht faktit se tash më asnjë shtet, përveç Serbisë dhe Rusisë, nuk e përkrah këtë plan. Tashmë, përveç kancelares Merkel, as SHBA-të më nuk po e përmendin çështjen e korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve. Ishte e qartë se Thaçi ishte munduar t'i mashtrojë amerikanët se gjoja Kosova ishte e interesuar për shkëmbim territoresh, gjë që ishte plotësisht e pavërtetë. Qëllimi i vetëm i Thaçit ishte dhe mbetet realizimi i planit serbo-rus për copëtimin e Kosovës, në mënyrë që ai të shpëtojë nga burgu për krimet që ka bërë. Është tepër e habitshme injoranca e klasës politike të Kosovës, e cila e mban president një njeri të shitur, i cili punon ditë e natë për copëtimin e Kosovës”, theksoi ish-deputeti Adem Salihaj për gazetën “Kosova Sot”. 

Burjani: Ky takim i Berlinit pritet të zhbllokojë dialogun

Image
Blerim Burjani

Sipas analistit Blerim Burjani, dialogu Kosovë-Serbi po merr kahe kritike dhe nuk ka sinjale pozitive. “Bllokada aktuale nuk po gjen zgjidhje, vendosja e taksës si pengesë për dialog, mosinteresim për të zhbllokuar fare procesin, po i konvenon Serbisë, e cila nuk është për zgjidhje përfundimtare. Serbia e dëshiron konfliktin e ngrirë, përderisa kushtet serbe për zgjidhje janë të papranueshme për Kosovën. Takimi i Berlinit është vendimtar dhe mund të jetë përgjigje për debate të shumta të hapura nga Thaçi për korrigjim të kufijve që po rendon apo vështirëson dhe kundërshtojnë disa shtete evropiane”, është shprehur Burjani për gazetën “Kosova Sot”. Sipas tij, BE-ja është lodhur nga Kosova dhe Serbia që 20 vjet pas luftës, ndërsa relacionet konfliktuoze kanë mbetur të njëjta.

“Ky takim i Berlinit pritet të zhbllokojë dialogun, kështu shpresojnë Merkel dhe Makron. Tash mbetet të shihet. Pra, nga do të shpie ky takim, kah zhbllokimi i zgjidhjes apo ka zgjidhja transitore ose përfundimtare? Është temë që duhet të marrë fund disi”, është shprehur ai. 

Shkodra: Autonomia për serbët e Kosovës Veriore do të ishte një spicë shumë e keqe

Image
Shefik Shkodra

Analisti Shefik Shkodra theksoi për “Kosova Sot” se dy-tri opsione mund të jenë në tavolinë nga fuqitë botërore.

“Si duket opsioni për ndryshimin e kufijve do të bjerë. Ndarja apo lëkundja e kufijve do të ishte një problematikë edhe për vendet tjera, në anën tjetër Kosova pas aq kohe do të duhej të fillojë prej zero. Por, edhe autonomia për serbët e Kosovës Veriore do të ishte një spicë shumë e keqe. Serbia në këto dy opsione shpreson. Ajo që do të duhej për ne, Kosova të mbetej në kufijtë e tashëm. Duke mos përfillur planet e Vuçiqit, Thaçit e të tjerëve, do të qetësohej gjendja politike te ne. Në qoftë se rusët marrin pjesë në këtë takim, problemi sigurisht që do të jetë më i vështirë në marrëveshje”, theksoi analisti Shkodra.

(Kosova Sot)