Llogaridhënia e institucioneve të drejtësisë është zero!

  • 21 April 2019 - 20:15
Llogaridhënia e institucioneve të drejtësisë është zero!

Drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë e sfiduar nga politika dhe dirigjimi i zbatimit të ligjit nën presionin e grupeve të interesit. Qytetarët mbesin të pambrojtur përballë padrejtësive të këtij sistemi, qartazi të inkriminuar. Gjyqtarët nuk japin vendime të drejta, profesionale dhe të paanshme, edhe pse ata i detyrohen ligjit, por punojnë dhe marrin aktgjykime në shumicën e rasteve sipas porosive të pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale që po e udhëheq shtetin.

Qytetarët që kanë probleme me gjykatat thonë se gjyqtarët vendosin në shumicën e rasteve në bazë të lidhjeve politike. Për çfarë drejtësie mund të flasim nëse gjyqtarët edhe 20 vjet pas luftës, e mbi 11 vjet shtet i pavarur, nuk sjellin një vendim profesional dhe të paanshëm, të bazuar në ligje dhe Kushtetutë? Analistët pyesin se deri kur gjyqtarët në Kosove do të vazhdojnë të jenë zbatues të urdhrave të politikës së inkriminuar

"Fatkeqësisht për 20 vjet pas luftës dhe 11 vjet shtet i pavarur në drejtësinë kosovare nuk mund të flitet për verdikte profesionale e të paanshme, qoftë edhe të pavarura e të bazuara në ligje e Kushtetutë dhe faktikisht gjyqësori nuk mund të ecë para derisa absolutisht mungon llogaridhënia e mirëfilltë brenda tij dhe e vetmja llogaridhënie ekziston ndaj mafisë politike, ekonomike dhe grupeve të caktuara të interesit, kriminale. Në të vërtetë në institucionet e drejtësisë kosovare nuk ka llogaridhënie në përputhje dhe në respekt të ligjit në gjyqësor etj., në mënyrë që të ndëshkohen dhe penalizohen, madje edhe të përjashtohen, të gjithë ata gjyqtarë që u japin llogari politikës dhe mafiooligarkëve, dhe jo ligjit e Kushtetutës së vendit, për të cilën janë të thirrur dhe e kanë detyrim ligjor. 

“Prandaj, duhet paraprakisht që edhe mekanizmat përkatës që i marrin në përgjegjësi gjykatësit për veprimet e tyre, të spastrohen nga ndikimet politike dhe të mafio-oligarkëve... Mbase është imperativ i kohës që të ndërmerren një sërë masash reformuese për pastrimin e policisë, prokurorisë dhe të gjyqësorit, pasi edhe nëse vetëm njëri institucion çalon apo dështon, do të kemi çalim apo dështim të tërë sistemit të drejtësisë dhe krejt kjo i shkakton dëm të madh funksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Kosovë", ka vlerësuar Naim Miftari për "Kosova Sot".