Tregon Krasniqi, ja pse po ikin kosovarët

  • 21 April 2019 - 20:17
Tregon Krasniqi, ja pse po ikin kosovarët

Shtetet e rajonit po ndërtojnë autostrada që lidhin me shtetet e tjera fqinje, por duke shfrytëzuar paratë e Evropës, përmes BERZHIT apo donacioneve të ndryshme, kurse Kosova me buxhetin e saj të varfër ndërton vetë, sepse më lehtë e ka të abuzojë me tenderët. Kështu mendojnë analistët, të cilët thonë se për ta lidhur Serbinë me Kosovën me autostradë, Serbia po merr para evropiane, njëjtë po vepron edhe Maqedonia, por jo edhe Kosova.

Analisti Faik Krasniqi theksoi për gazetën "Kosova Sot" se Kosova me një territor kaq të vogël, nuk ka pasur nevojë t'i ndërtojë gjithë këto autostrada mbi 4 miliardë euro me paratë e taksapaguesve kosovarë.

Image
Faik Krasniqi

"Arsyeja pse Kosova nuk merr donacione nga Bashkimi Evropian për ndërtimin e autostradave është fare e thjeshtë. Bashkimi Evropian jep para për ndërtimin e autostradës, por për çdo cent të shpenzuar të kërkon llogari. S'mund ta keqpërdorësh aq lehtë paranë e tyre. Prandaj nuk kërkojnë para prej tyre. Këta janë shumë të vetëdijshëm për këtë. Kurse me paratë e taksapaguesve të Kosovës bëjnë çfarë të duan. Vjedhin sa të duan. Çmimi i një km autostradë tregon sa vjedhin me ndërtimin e autostradave", është shprehur ai.

Sipas tij, në Kosovë një km kushton mbi 14 milionë euro, kurse në Gjermani një km rreth 4 milionë euro. 

“Kjo tregon pse po bëhet ndërtimi i autostradave, dhe jo ato para të shpenzohen në projekte ekonomike që hapin vende të reja pune dhe zhvillojnë ekonominë. Kosova nuk është e varfër, por ajo vidhet pamëshirshëm nga këta politikanë mafiozë. Ikja e qytetarëve, kryesisht e të rinjve, është si pasojë e këtyre mafiozëve që e shkatërruan të ardhmen e çdo qytetari të ndershëm të këtij vendi", është shprehur Krasniqi.

(Kosova Sot)