Nëndetësja ogurzezë e Vladimir Putinit

  • 22 April 2019 - 15:56
Nëndetësja ogurzezë e Vladimir Putinit

E armatosur me armë bërthamore, si dhe e aftë që ta fundosë një aeroplanbartës, apo ta rrafshojë një qytet të tërë, kjo është arma më e re shkatërrimtare në arsenalin e presidentit rus Vladimir Putin, njëherazi edhe nëndetësja më e gjatë në botë. Nëndetësja "Belgorod", e cila pritet që të lansohet të hënën nga presidenti i Rusisë, ka një gjatësi prej 184 metrash dhe pritet që të armatoset deri me gjashtë silurë me armë bërthamore, secili i aftë që të bartë koka luftarake me një fuqi eksploduese prej dy megatonesh - ekuivalent me 2 miionë tonelata TNT, ose më shumë se 130 herë më e fuqishme sesa bomba që është hedhur në Hiroshima. 

Nëndetësja gjigante do të niset në një udhëtim nga Severodvinski

Ekspertët kanë frikë se silurët e gjatë rreth 25 metra, të quajtur Poseidon ose Kanyon - mund të detonohen nën ujë, duke shkaktuar një cunami radioaktiv dhe duke rrezikuar qytetet bregdetare me valë të larta deri në mbi 90 metra. Dhe, nga kjo armë mund të jenë të pambrojtura avionbartësit e ri britanikë "Queen Elizabeth" dhe "HMS Prince of Wales" - anijet më të gjata të luftës të bëra ndonjëherë nga Marina mbretërore. Silurët rusë kanë një shpejtësi maksimale prej 70 nyjash dhe një rreze veprimi me mijëra kilometra. Nëndetësja "Belgorod" të hënën do të niset në një udhëtim nga Severodvinski në brigjet detare arktike të Rusisë. Ajo përmban tetë notuese nën deti pa njerëz (UUV) të cilat mund të veprojnë me kilometra nën valë, me qëllim të përpilimit të hartave të fundit të oqeanit, duke përdorë një sistem të imazherisë me ultrazë, të quajtur si skanim anësor, por mund të përdoren edhe për të sabotuar kabllot e internetit. Nëndetësja gjigante po ashtu ka edhe një mini-nëndetëse, të vendosur në pjesën e poshtme të saj. Në këtë mini-nëndetëse mund të futen deri në 25 njerëz dhe ajo mund të përdoret për kërkime shkencore, për operacione të shpëtimit dhe për operacione speciale ushtarake. Sidomos i rrezikshëm është konsideruar fakti se komandantët e nëndetëses do t'i raportojnë direkt presidentit Putin, gjë që nëndetësen "Belgorod" e bën më shumë të jetë një agjenci të inteligjencës në thellësi të detit, sesa një nëndetëse konvencionale. 

Vlerë strategjike për Putinin

Dr. Sidharth Kaushal, nga Instituti "Royal United Services", deklaroi të dielën se beson që flota e UUV-ve mund të ketë vlerë strategjike për Putinin. Dr. Kaushal thotë: 'Nëndetësja 'Belgorod' është mjaft e gjatë, sa që të veprojë si 'anije-amë' për disa anije më të vogla, të cilat do të kenë aftësi të zhytjes në thellësi të mëdha, duke ngatërruar infrastrukturën nëndetare. Kjo d.m.th. se nëndetësja është mirë e pajisur për sabotim dhe operacione klandestine. Silurët e tij bërthamorë, "Poseidon", po ashtu mund të jenë armë shumë efikase për të sulmuar aeroplanbartësit në kushte lufte, ku aktualisht nuk ekziston asnjë mbrojtje kundër këtyre silurëve. Vetë nëndetësja 'Belgorod' nuk do të jetë pjesë e marinës ruse, gjë që d.m.th. se veprimet e saj agresive dhe sekrete do të mund të mohohen. Nëndetësja në fjalë duket e përshtatshme për Forcat speciale të paspecifikuara në kushte luftarake, duke iu dhënë llogari direkt liderëve të lartë politikë, duke anashkaluar strukturën komanduese detare ruse. Pritet që nëndetësja "Belgorod" të veprojë në Arktik dhe në Atlantikun verior, zona ku aktiviteti i nëndetëseve ruse është dhjetëfishuar gjatë viteve të fundit. Ka pasur po ashtu një rritje të madhe të qasjeve ruse ndaj ujërave territoriale të Britanisë. Në vitin 2010, Marina mbretërore qe e detyruar të përgjigjej vetëm ndaj një shkeljeje, por në vitin 2017, 33 incidente të veçanta kërkuan përgjigje nga anijet dhe nëndetëset britanike. Marina është duke zhvilluar flotën e vet të UUV-ve, por ato nuk pritet që të hyjnë në përdorim deri pas rreth tetë vitesh.

(Kosova Sot)