Policia flet në vendin e ngjarjes, tregon moshën e të vrarëve në Dardani

  • 22 April 2019 - 15:59
Policia flet në vendin e ngjarjes, tregon moshën e të vrarëve në Dardani

Një vrasje e trefishtë ka ndodhur sot në lagjen Dardania në Prishtinë. Një 61-vjeçar ka vrarë gruan e tij 60-vjeçare, nusen e djalit të tij 27-vjeçare e më pas edhe vetën.  Policia e Kosovës nga vendi i ngjarjes ka bërë të ditur se janë duke u mbledhur të gjitha provat dhe rrethanat të cilat kanë mundur të çojnë deri tek kjo vrasje e cila po cilësohet e dyshimtë

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka folur nga vendi i ngjarjes ku ka treguar edhe detajet të cilat policia ka mundur t’i sigurojë nga informacionet e para që ka marrë.

“Ekipet mjekësore, mjekësia ligjore, forenzika dhe të gjitha njësitë përkatëse janë në vendin e ngjarjes. Fillimisht nga informacionet që posedojmë deri më tani fjalë për një vrasje që është cilësuar vrasje e dyshimtë, një person të gjinisë mashkullore të vitit të lindjes 1958, një grua të vitit të lindjes 1959 dhe një grua tjetër të vitit të lindjes 1991. Vrasje”, ka thënë Kelani.

Kelani ka shtuar se nga informacionet e para bëhet e ditur se fillimisht i dyshuari e kishte vrarë gruan e tij, më pas nusen e djalit dhe në fund ka bërë vetëvrasje.

“Nga informacionet që i kemi kërkuar bëhet fjalë se fillimisht i dyshuari e ka vrarë gruan e tij e më pas rejën e tij dhe më pas ka bërë vetëvrasje. Mbetet të verifikohet pas mbledhjes së të gjitha informacioneve të para. Të gjitha detajet edhe nga rastet e tjera që mund të jenë përfshirë këta persona janë në proces të verifikimit nga Policia e Kosovës dhe do të bëhen të ditura”, ka theksuar Kelani.

Vrasja në Dardani ndodhi sot rreth orës 13:20, ndërkaq media ka raportuar nga vendi i ngjarjes, ku ka thënë se nga persona jozyrtarë bëhet e ditur se burri që kreu vrasjen e trefishtë ka pasur probleme psikike.

Bëhet e ditur se në momentin tragjik, në vendin e ngjarjes ndodhej edhe një vajzë 2-vjeçare.

(Kosova Sot)