Pasuria neto e Bill Gates-it tejkalon shumën prej 100 miliardësh

  • 22 April 2019 - 16:09
Pasuria neto e Bill Gates-it tejkalon shumën prej 100 miliardësh

Pas rritjes së fundit të pasurisë së tij, Bill Gates gjendet menjëherë pas themeluesit të kompanisë "Amazon", Jeff Bezos, i cili është njeriu më i pasur në botë, me një pasuri që vlerësohet rreth 153.2 miliardë dollarë. Së shpejti pritet që Bezos ta japë një pjesë të kësaj pasurie. Ai dhe gruaja e tij, MacKenzie, janë në proces të shkurorëzimit, të cilin e paralajmëruan në fillim të prillit. Pritet që gruaja të marrë një të katërtën të pasurisë së burrit, që aktualisht vlen më shumë se 35 miliardë dollarë. 

Pasuria e Gates-it ka burime të ndryshme

Gates bëri pasurinë e tij përmes kompanisë së kompjuterëve "Microsoft", të cilën e themeloi bashkë me Paul Allenin në vitin 1975. (Allen vdiq në tetor të vitit 2018.) Por, tani pasuria e Gates-it ka burime të ndryshme. Më pak se 12.5% të pasurisë së tij neto vijnë nga aksionet e kompanisë "Microsoft". Pjesa më e madhe e aseteve të tij mbahen në kompaninë e investimeve, "Cascade", duke përfshirë edhe një hise në "Berkshire Hathaway", konglomeratin e formuar nga miku i Gatesit, Warren Buffett.

Iniciativa e re, "Giving Pledge"

Një rritje e çmimit të aksioneve të kompanisë "Microsoft" këtë javë, bashkë me një performancë solide nga investimet e tjera të Gates-it, mjaftuan që pasuria e tij më 16 prill ta tejkalonte vlerën prej 100 miliardë dollarësh. Në vitin 2010 Gates dhe Buffett bashkëthemeluan "Giving Pledge", një iniciativë e cila ka për qëllim të bindë personat tepër të pasur që ta japin, të paktën, gjysmën e pasurisë së tyre për qëllime bamirësie, qoftë për së gjalli, apo pas vdekjes së tyre. Deri më tani rreth 200 njerëz e kanë nënshkruar këtë iniciativë, me emra si Elon Musk dhe bashkëthemeluesi i kompanisë "Airbnb", Brian Chesky.

(Kosova Sot)