Ky është personi që vrau gruan dhe nusen e djalit

  • 22 April 2019 - 16:30
Ky është personi që vrau gruan dhe nusen e djalit

Një person rreth të 60-tave ka vrarë gruan, nusen e djalit të tij dhe pastaj veten, sot pasdite në lagjen Dardania në Prishtinë.

Mësohet se personi që ka kryer vrasjen është Hasan Krasniqi dhe se i njëjti nuk kishte probleme mendore ashtu siç është dyshuar.

Në vendin e ngjarjes, pas rastit kanë dalë edhe njësitet policore të cilët kanë konfirmuar rastin mirëpo pa dhënë detaje.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës ka thënë në një konferencë për gazetarë se për rastin janë informuar në orën 13 e 30 minuta dhe se menjëherë ekipet përkatëse të policisë i janë përgjigjur rastit. 

“Policia iu ka përgjigjur rastit dhe ka ftuar mjekët, njësinë ligjore, forenzikën dhe njësitë tjera që kërkohet të dalin në vendin e krimit. Fillimisht nga informacionet bëhet fjalë për vdekje të dyshimtë, ndërsa më pas është kuptuar se një person i gjinisë mashkullore ka vrarë gruan, rejën dhe më pas veten”, ka thënë Kelani.

Ai tha se personi i gjinisë mashkullore që dyshohet se ka kryer krimin është i lindur në vitin 1958, gruaja e tij e lindur në vitin 1959 ndërsa reja e lindur në vitin 1991.

Jo zyrtarisht mësohet se dy gratë e vrara janë Hysnije Krasniqi dhe Remzie Karasniqi.

(Kosova Sot)