Paratë e granteve dhe subvencioneve përfundojnë në xhepat e politikanëve dhe nëntokës

  • 23 April 2019 - 08:04
Paratë e granteve dhe subvencioneve përfundojnë në xhepat e politikanëve dhe nëntokës

Krasniqi: Kemi deputetë të shumtë në Kuvend, që përfitojnë për çdo vit grante dhe subvencione nga Ministria e Bujqësisë

“Paratë e granteve shkojnë në xhepat e zyrtarëve të Ministrisë dhe militantëve partiakë dhe nuk dedikohen fare për bujqësi, ose ndërtojnë stalla, ndërtojnë serra, marrin mekanizim bujqësor dhe krejt këto ua shesin 50-70% më lirë fermerëve që nuk kanë lidhje dhe nuk japin ryshfet për të qenë përfitues të granteve. Shumë fermerë mua më kanë thënë se nuk aplikojnë se nuk kanë para të japin ryshfet që u kanë lypur ( 15-20%), edhe të njohshëm s’ kanë”, thotë për gazetën “Kosova Sot” Tahir Tahiri, kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës

Mbi 45 milionë euro Qeveria e Kosovës i ndau për grante dhe subvencione në bujqësi dhe kjo sipas analistëve është edhe një derë për përfitime nga aferat e korrupsionit qeveritar. Ata theksojnë se paratë e granteve dhe subvencioneve po përfundojnë në adresa të panjohura, tek njerëzit apo kompanitë që nuk kanë lidhje me bujqësi, por që përmes lidhjeve politike apo atyre kriminale të nëntokës po zhvatin edhe këto 45 milionë euro të fermerëve.

Fermerët flasin për mënyrën se si funksionon marrja e granteve nga Ministria e Bujqësisë, duke zbardhur se si kanë marrë disa grante dhe për të gjitha kanë dhënë ryshfet, sepse pa dhënë ryshfet është e pamundur që të marrësh grante të mëdha. Të tilla ryshfete jepen edhe nëpër komuna. Sipas analistëve, askush nuk guxon të flasë publikisht për shkak se nuk ka shans që të marrë më ndonjë grant tjetër.

Image
Tahir Tahiri

Tahiri: Kërkohet 15-20% ryshfet për grante!

Tahir Tahiri, kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, theksoi për gazetën “Kosova Sot” se këto para janë bërë edhe një derë për përfitimet e hajnave të MBPZHR -së. “Paratë e granteve shkojnë në xhepat e zyrtarëve të Ministrisë dhe militantëve partiakë dhe nuk dedikohen fare për bujqësi ose ndërtojnë stalla, ndërtojnë serra, marrin mekanizim bujqësor dhe krejt këto ua shesin 50-70% më lirë fermerëve që nuk kanë lidhje dhe nuk japin ryshfet për të qenë përfitues të granteve.

Shumë fermerë mua më kanë thënë se nuk aplikojnë se nuk kanë para të japin ryshfet që u kanë lypur ( 15-20%), edhe të njohshëm s’ kanë. Nuk aplikojnë fermerët më të sinqertë. Edhe subvencionet keqpërdoren me të madhe, duke marrë ato ata që aplikojnë për qindra hektarë që nuk i mbjellin fare, por që japin ryshfet dhe ata janë komandantë dhe njerëz të tjerë të afërm me qeveritarët”, theksoi për gazetën “Kosova Sot”, Tahir Tahiri, kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Përfitojnë klanet mafioze të veshur me rroba të shtrenjta

Analisti Faik Krasniqi thekson për gazetën “ Kosova Sot” se në Kosovë çdo cent që jepet në emër të granteve dhe subvencioneve, bëhet në mënyrë të kujdesshme, që ato të shkojnë tek anëtarët dhe militantët e partive të tyre. Zhvatje e parasë publike dhe mbajtja e votës nga militantët e tyre. Kemi deputetë të shumtë në Kuvend, që përfitojnë për çdo vit grante dhe subvencione nga Ministria e Bujqësisë, po ashtu edhe në Qeverinë e Kosovës. Që do të thotë se grantet dhe subvencionet i marrin këta që na sundojnë, shkojnë tek anëtarët e militantët e tyre, si dhe tek kompanitë që janë pronë e tyre ose ata fshihen mbrapa atyre kompanive”, është shprehur analisti Krasniqi.

Sipas tij, prandaj nuk kemi zhvillim të bujqësisë, sepse ndarja e këtyre mjeteve për bujqësi është vetëm pretekst për ta vjedhur akoma më shumë buxhetin. “Edhe po të flasë dikush çfarë bëhet. Drejtësinë e kanë në dorë, dhe çdo institucion tjetër shtetëror. Klane mafioze, të veshur me rroba të shtrenjta, me kollare dhe të fshehur nën petkun e politikanit”, theksoi analisti Faik Krasniqi për gazetë “Kosova Sot”. Ministria e Bujqësisë, Prokuroria Speciale dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara nga gazeta.

Image
Dardan Grapci

Grapci: Grantet i marrin njerëzit që nuk kanë lidhje me bujqësi

“45 milionë eurot, që janë ndarë nga Qeveria e Kosovës, përsëri do të ndahen dhe do t’u jepen familjarëve të politikanëve dhe atyre që janë të lidhur ngushtë me politikën. Problemi kryesor është që nëse nuk je anëtar i ndonjë partie politike nuk mund të marrësh as edhe një leje e lëre më ndonjë grant. Paratë që janë ndarë nga Qeveria e Kosovës gjithashtu janë keqpërdorur edhe do të keqpërdoren përsëri duke mos u dhënë subvencionet fermerëve që me të vërtetë kanë nevojë, por u japin atyre që s’kanë lidhje fare me bujqësi.

Arsyeja pse askush nuk flet publikisht në lidhje për keqpërdorimin e granteve dhe subvencioneve nga radhët e fermerëve është frika. Kanë frikë se mos po i dënon politika e inkriminuar, duke i kërcënuar apo edhe duke ua djegur tokën me zjarre për t’ua shkatërruar çdo farë që e kanë mbjellë dhe prodhuar”, theksoi për gazetën “Kosova Sot”, analisti Dardan Grapci.

(Kosova Sot)