Kapiti: Drejtësia përdor si maskë dhe fasadë ligjin dhe drejtësinë

  • 23 April 2019 - 13:08
Kapiti: Drejtësia përdor si maskë dhe fasadë ligjin dhe drejtësinë

Analisti Skënder Kapiti theksoi se ligji, i cili pengon gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë për të ndëshkuar krimin e organizuar dhe korrupsionin janë korrupsioni, antiligji dhe morali i korruptuar i tyre dhe i politikës antipublike dhe antishtet, secilës ata i shërbejnë. “Politika dhe politikanët përdorin si maskë dhe si fasadë demokracinë, ndërsa drejtësia përdor si maskë dhe fasadë ligjin dhe drejtësinë. Nën këto maska dhe fasada fshihen dhe mbulohen demagogjia, mashtrimi, krimi dhe korrupsioni i tyre, fshihen hajnia dhe tradhtia shtetërore, publike dhe kombëtare e tyre. Kësaj fasade i ka rënë tashmë boja dhe kanë dalë në pah dhe në dritë shkarravinat dhe mashtrimet publike dhe ndërkombëtare të politikës dhe të drejtësisë kosovare”, u shpreh ai.

“Këto njolla dhe shkarravina mashtrimesh e gënjeshtrash nuk munden më që t'i mbulojnë keqbërësit dhe as"profesorët" politikë e juridikë të krimit, korrupsionit, të hajnisë dhe të tradhtisë. Se çfarë kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë politika dhe drejtësia si në Shqipëri dhe në Kosovë tashmë dihet si nga opinioni kombëtar shqiptar ashtu edhe nga ai ndërkombëtar dhe për pasojë edhe ndëshkimi i politikës dhe i drejtësisë së kriminalizuar e të korruptuar do t'i vijë fundi, sepse me kastë politike dhe me ketë drejtësi nuk pajtohen as SHBA-ja dhe as BE-ja”, potencoi Kapiti për “Kosova Sot”.

“VETTING-u pashmangshëm do të vijë dhe do të miratohet edhe në Kosovë, por aktualisht VETTING-un dhe domosdoshmërinë e tij i ka si vizion dhe si program kombëtar pothuajse vetëm gazeta "KOSOVA SOT". Prandaj, duhet të angazhohet shoqëria kosovare, duke e kërkuar atë, duhet shoqëria që të kërkojë edhe ndihmën nga SHBA-ja dhe BE-ja që ato të ndihmojnë ligjin, drejtësinë, demokracinë dhe integrimin e Kosovës. Dhe këto realizohen vetëm përmes VETTING-ut”, ka vlerësuar Kapiti.

(Kosova Sot)