Si ra 'Vejusha e zezë' në kurth, pasi qëndronte prapa vrasjes së burrit?

  • 23 April 2019 - 15:47
Si ra 'Vejusha e zezë' në kurth, pasi qëndronte prapa vrasjes së burrit?

Që nga rinia ishte e qartë se Adam Anhang e kishte biznesin në gjak. I lindur në Uinipeg, Kanada, Adam kishte shkuar në çerdhe me një çantë dore, që të dukej sikur i ati i tij avokat, Abraham. Atij i ishte shkruar që ta bënte krenare tërë familjen e tij. Adam ishte ambicioz përgjatë tërë edukimit të tij. Ai ishte bërë redaktor i gazetës së studentëve, por edhe pjesëtar konkurrent i grupit të thurjes. Pasi kishte studiuar biznesin, ai kaloi te fusha e patundshmërive dhe formoi biznesin e vet të konsultimeve. Ai u përqendrua te ripërtëritja e lagjeve të shkatërruara dhe arriti që të investonte në ishullin karibean të Porto Rikos, duke u bërë pronar i pjesshëm i një pushimoreje. Adam ia doli që ta rriste pasurinë e tij në rreth 24 milionë dollarë. Paratë nuk e ndryshuan Adamin, përkundrazi, e bënë atë edhe më të xhymert. Në vend që të ishte një i pasur i pashpirt, Adam ishte njeri te i cili të tjerët shkonin për të marrë këshilla.  

Image

Martesa e tij nuk kishte një të ardhme

Adam, 32 vjeç, u takua me Aurean glamuroze pak pasi arriti në PortoRiko. Ajo ishte ish-Miss Puerto- Rico Petite. Ata filluan që të 'kalonin' dhe filluan që të jetonin bashkë në vitin 2004. Bëhet e ditur sesi Aurea i kishte thënë Adamit se kishte ngelë shtatzënë dhe, pasi ai vinte nga një familje e devotshme katolike, martesa ishte opsioni i vetëm. Ata u martuan në mars të vitit 2005 në një ceremoni të vogël. Ai nuk i kishte treguar thuajse askujt për këtë martesë, as edhe familjarëve të tij. Nuk vonoi pas martesës, e ai kuptoi se gruaja nuk ishte shtatzënë. Megjithatë, vendosi që t'i përkushtohej jetës bashkëshortore. Ai lejoi familjen e gruas që të shkonin të jetonin me ta dhe gruan, në ndërkohë, e vërshoi me dhurata luksoze, duke përfshirë edhe një veturë të re dhe një klub të natës, të quajtur "The Pink Skirt". Familja e Adam-it, pasi morën vesh për këtë martesë, ishin të bindur që Aurea ishte martuar me të vetëm për shkak të pasurisë. Dhe, nuk vonoi shumë dhe edhe vet Adam kuptoi se martesa e tij nuk kishte një të ardhme. Pas vetëm gjashtë muajsh nga martesa, ai i tha Aureas se donte shkurorëzim. Ai kishte shprehur shqetësimin rreth asaj se si do ta pranonte gruaja këtë kërkesë, pasi që ajo kishte lidhje me disa njerëz të llojit 'mos ta prefshin udhën'. Ai angazhoi një truprojë, por Aurea dukej se donte t'i mbante gjërat midis tyre në nivel shoqëror. Ajo e ftoi disa herë Adamin që të drekonin bashkë, në mënyrë që t'i përcaktonin kushtet përfundimtare të shkurorëzimit. Më 22 shtator të vitit 2005, Adam dhe Aurea darkuan në restorantin "Dragonfly" në distriktin historik të Old San Juan. Pasi dolën nga restoranti dhe, derisa ishin duke shkuar te vendi ku Adam kishte lënë veturën, iu doli përpara një njeri me thikë. Adam bëri gjithçka që ta mbronte gruan. Me atë rast Adamin e goditën në kokë me një gur kalldrëmi.

Mendohej se edhe Adam dhe Aurea ishin viktima të plaçkitjes

Adam u la i vrarë në tokë, derisa Aurea ishte e tronditur, por nuk kishte pësuar lëndime të mëdha. Asokohe, Porto Riko ishte prekur nga një valë e dhunës, prandaj mendohej se edhe Adam dhe Aurea ishin viktima të plaçkitjes. Por, familjarët e Adamit zbuluan se sulmuesi nuk kishte marrë para. Personi i vetëm që përfitoi nga vrasja e Adamit, ishte Aurea. Sipas marrëveshjes paramartesore, asaj i takonin 360,000 dollarë në rast shkurorëzimi, por nëse do të mbetej e ve, atëherë ajo trashëgonte thuajse tërë pasurinë e burrit. Kjo i bëri familjarët e Adamit që të besonin se Aurea kishte organizuar vrasjen e Adamit. Aureas i pengonin këto akuza, prandaj gjashtë muaj pasi që mbeti e ve, paditi prindërit e burrit, duke kërkuar edhe një pjesë të pasurisë së tyre, për shkak se, sipas saj, ishte mashtruar dhe nuk kishte marrë atë që i përkiste. Familjarët e Adamit bënë hetime të veta, me ç'rast dëshmitë i çuan te një enëlarës të quajtur Jonathan Román Rivera. Ai u arrestua, u akuzua dhe u dënua me 105 vjet burg, për vrasjen e Adamit. Por, ai ishte i pafajshëm, prandaj pas tetë muajsh burg, u la i lirë. Një informatë bëri që policia ta arrestonte njeriun e quajtur Alex Pabón Colón, i cili më pas pranoi se Aurea i kishte premtuar atij 3 milionë dollarë, nëse ia vret burrin. Alex e pranoi fajin për vrasje dhe u bë bashkëpunëtor i policisë, por në ndërkohë Aurea ishte arratisur. Ndjekja e saj zgjati me vite të tëra, gjatë së cilës kohë Aurea kaloi nëpër vende të ndryshme, duke ndryshuar pamjen dhe emrin. Në ndërkohë, ajo bëri dy vajza me një italian. Sipas ligjit italian, nënat e fëmijëve italianë nuk ekstradohen në vende të tjera. Por, FBI, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle, bënë një plan, duke e joshur Aurean që të shkonte në Madrid. Ajo e kafshoi karremin dhe, u arrestua. Më pas u mor vesh se, në komplotin për vrasjen e Adamit, kishin marrë pjesë edhe motra e Aureas, Marcia dhe ish i dashuri i saj, José Ferrer Sosa. Që të tre u dënuan me burg të përjetshëm. 

(Kosova Sot)