Shpend Ahmeti e tradhtoi kryeqytetin për xhepin

  • 24 April 2019 - 07:48
Shpend Ahmeti e tradhtoi kryeqytetin për xhepin

 Grajçevci: Shpend Ahmeti po shpreson që të ngjitet lart duke pasur në dispozicion votën e PAN-it, por jo më votën e qytetarëve

 “Tash, kur po mbushen gati 6 vjet me Shpendin si kryetar komune, nuk ka përmbushur ama bash asgjë dhe unë si qytetar nuk e di se për çka dhe me çka mund të mbaj në mend atë se ka qenë kryetar komune dhe ka lënë diçka të mirë mbrapa si shenjë përkujtimi.

Ndoshta nuk e harrojmë dhe e mbajmë në mend vetëm si emër, si Shpend Ahmeti, por për që ka bërë diçka tjetër nuk mund ta mbajmë në mend. Pra, nuk mund ta mbajmë në mend si udhëheqës të komunës, por vetëm si një individ, për të cilin as ne nuk po e dimë si e mori ashtu këtë mandat. Pra, e mori qysh e mori, por me meritë nuk do ta kishte marrë kurrë, e për mandate të tjera le ta harrojë që do t’i jap më votë. Unë besoj që votën Shpend Ahmetit më nuk mund t’ia besojë askush në Prishtinë, por sa për ‘Kodrën e Trimave’ jam i sigurt që kjo punë veç është e përfunduar dhe le ta harrojë ‘Kodrën e Trimave’ si lagje, nga e cila mund të kërkojë votë edhe një herë tjetër. Këtë le ta mbajë mirë në mend dhe le ta ketë të qartë”, thotë qytetari Salih Bulliqi për gazetën “Kosova Sot”

Qytetarët e Prishtinës vazhdojnë ta kritikojnë kryetarin Shpend Ahmeti, i cili tani, duke i bërë bashkë dy mandate si kryetar i Prishtinës, po shkel në vitin e gjashtë të qeverisjes së kryeqytetit, por rezultatet e tij në punë janë zero, prandaj edhe qytetarët janë tepër të pakënaqur dhe të mashtruar.

Ata tani nuk shohin as edhe një shpresë të vetme që ky kryetar do të mund të përmirësojë dështimet e tij në dy vjet mandat të mbetur dhe nuk do t’u mbetet atyre në kujtesë për asgjë tjetër veçse për ato shëtitjet me jahte, për ripërtëritjen e kunjave, nuk do të mbahet në mend për asnjë punë në të mirën dhe interesin e qytetarëve të Prishtinës. Sipas gjykimit të qytetarëve, tanimë Shpend Ahmeti është shndërruar edhe në një nga protagonistët e klanit PRONTO, të cilëve edhe u jep tenderë, sikur ishte ai tenderi për qumështin, duke rritur vlerat e tenderit, por edhe duke u shndërruar në vegël të Hashim Thaçit dhe koalicionit PAN, të cilin po e mban në pushtet për të shkatërruar sa më shumë Prishtinën dhe Kosovën.

Veç këtyre njollave të zeza, sipas qytetarëve, Shpend Ahmeti do të mbahet në mend për të gjitha pazaret e tij dhe shkeljet ligjore që i ka bërë dhe si i tillë asnjë qytetar në Prishtinë e më gjerë nuk do të votojë në të ardhmen një pazarxhi bllokues e shkatërrues të tillë, i cili për përfitime personale dhe të klanit të tij kriminal po e keqpërdor detyrën zyrtare dhe po ua shkel të drejtat qytetarëve shumicë për 6 vjet rresht, të cilët nuk janë pjesë të klaneve të nëntokës kriminale të ndërtimit në Prishtinën e stërkequr dhe të degraduar skajshmërisht.

Image
Salih Bulluqi

Asgjë të hairit nuk pamë në Prishtinë në dy mandatet e fundit

Qytetari Salih Bulliqi është nga ‘Kodra e Trimave’ dhe thotë që as në mandatin e parë dhe as në të dytin, sa i takon ‘Kodrës së Trimave’ asnjë minimum përkujdesje dhe mbështetje nga komuna nuk është bërë, asgjë nuk është ndërtuar, vetëm sa është shkatërruar, prandaj nuk ka se si të vlerësohet ndryshe Shpend Ahmeti, vetëm si një nga kryetarët më të dështuar.

“Asgjë të hairit, asnjë send të zotit nuk e ka bërë, nuk ka ndërtuar, vetëm çka ka prishur dhe ka dëmtuar akoma më shumë. Unë jetoj aty ka vite e dekada, por nuk mund të dijë as të veçoj ndonjë gjë të vetme dhe të them ja kjo është që e ka bërë gjatë këtyre dy mandateve qeveria e Shpend Ahmetit. Kjo shkolla që është në afërsi të Hekurudhës ka qenë e nisur dhe duke vazhduar ndërtimi i saj, edhe çerdhja për të cilën është bërë aq shumë zhurmë po ashtu ka qenë e nisur dhe akoma nuk është lëshuar në punë, e për të cilën krenohet dhe thotë kinse e ka bërë ai”, u shpreh ai.

“Unë jam qytetar i lirë dhe nuk jam as me VV-në as me LDK-në, e as me PDK-në, por thjesht jam vetëm qytetar i lirë, por po ju them që sa i takon lagjes ‘Kodra e Trimave’ Shpend Ahmeti me qeverisjen e tij të deritanishme nuk ka bërë asgjë. Tash, kur po mbushen gati 6 vjet me Shpendin si kryetar komune, sa u përket premtimeve për lagjen tonë, nuk ka përmbushur ama bash asgjë dhe unë si qytetar nuk e di se për çka dhe me çka mund të mbaj në mend atë se ka qenë kryetar komune dhe ka lënë diçka të mirë mbrapa si shenjë përkujtimi. Ndoshta nuk e harrojmë dhe e mbajmë në mend vetëm si emër, si Shpend Ahmeti, por për që ka bërë diçka tjetër nuk mund ta mbajmë në mend. Pra, nuk mund ta mbajmë në mend si udhëheqës të komunës, por vetëm si një individ, për të cilin as ne nuk po e dimë si e mori ashtu këtë mandat. Pra, e mori qysh e mori, por me meritë nuk do ta kishte marrë kurrë, e për mandate të tjera le ta harrojë që do t’i jap më votë”, vijoi më tej Buliqi. “Unë besoj që votën Shpend Ahmetit më nuk mund t’ia besojë askush në Prishtinë, por sa për ‘Kodrën e Trimave’ jam i sigurt që kjo punë veç është e përfunduar dhe le ta harrojë ‘Kodrën e Trimave’ si lagje nga e cila mund të kërkojë votë edhe një herë tjetër. Këtë le ta mbajë mirë në mend dhe le ta ketë të qartë”, tha Salih Bulliqi për “Kosova Sot”.

Image
Hidajet Grajçevci

E tradhtoi VV-në, tash synon pozita të reja

Sipas qytetarit Hidajet Grajçevci, derisa në mandatin e parë dështimet nuk dukeshin me të madhe, në mandatin e dytë gjithçka ka arritur kulmin.”Qytetarët në fillim e kanë pasur një shpresë që me siguri do të ketë ndryshime dhe ai filloi sikur që filloi, e dimë të gjithë, por tash ai e ka lëshuar punën dhe angazhimin për komunën me themel. Po flas për kryetarin e tashëm, Shpend Ahmeti, dhe unë po mendoj që tashmë edhe ai e di që e ka humbur tërësisht te qytetarët atë besim dhe atë mendim pozitiv që e kanë pasur në fillim të mandatit të parë. Prandaj, unë prapë po them që ishalla shkon më shpejt ky mandat i tij i dështuar dhe kthehen përsëri ata që kanë qenë më herët, e kam fjalën për LDK-në, sepse ato premtimet e Shpend Ahmetit kanë rënë në ujë krejtësisht dhe tanimë ato premtime nuk janë askund.

Madje ai ka harruar moti se si është për të udhëtuar me autobus, kurse tani e ka harruar edhe gjënë më të pakushtueshme e më të thjeshtë që është dashur të bëjë nuk po i vendos akoma tabelat e informimit nëpër stacionet e autobusëve”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.“Qytetarët ndalen dhe pyesin për secilin autobus se në cilën linjë shkon ai dhe nëpër cilat stacione qarkullon e ku duhet ta presin autobusin e caktuar për interesin e tyre”, ka thënë më tej Grajçevci.“Ai po shpreson që të ngjitet lart duke pasur në dispozicion votën e PAN-it, por jo më votën e qytetarëve, ndonëse unë po pres që të bëhet më mirë për vendin nëse bashkohen tani LDK dhe VV-ja, ndryshe nuk besoj që do të ketë ndryshime që të bëhet diçka më mirë”, tha Hidajet Grajçevci.

Image
Selim Berisha

 Mashtrimi perfid i qytetarëve

Qytetari Selim Berisha thotë se në fillim ka pasur një simpati shumë të madhe për Shpend Ahmetin, por rrjedha e ngjarjeve shkoi ashtu që edhe ai, si shumë qytetarë të tjerë, tanimë po ndihen të zhgënjyer e të mashtruar nga mospuna e tij dhe nga lidhjet që ka krijuar me PAN-in.

“ Njeriu që ka një punë me rëndësi nuk duhet të angazhohet edhe në punë të tjera, sepse boll e ka pasur dhe e ka angazhimin në detyrat dhe obligimet e Komunës. Unë ia shoh për të madhe që është angazhuar në bisedime, sepse ai kështu nuk do të mund ta kryejë as minimalisht detyrën e kryetarit të komunës. Komuna e Prishtinës dhe gjysma e Kosovës janë pra kryeqyteti dhe kjo komunë duhet ta ketë kryetarin në krye të detyrës pa ndërprerë 24 orë në ditë”, u shpreh ai.“Pra, kryetari do të duhej t’i ketë edhe komunën, por edhe njerëzit e krejt qeverisë komunale nën kontroll ditor të angazhimit, sepse nuk ka asnjë punë më të madhe që të merret sesa puna e kryetarit të komunës së Prishtinës.

Dihet që komuna e Prishtinës është komuna më e madhe në Kosovë dhe ka një mal problemesh të grumbulluara e ta pazgjidhura, prandaj ky është dashur të jetë pandërprerë në krye të detyrës që t’i zgjedhë të gjitha problemet. Nëse nuk pendohet, nuk tërhiqet nga ekipi i bisedimeve, Prishtina do të mbetet tangallë dhe nuk do të mund ta shfrytëzojë as buxhetin si duhet e sa duhet dhe do të ketë dështim në të gjitha fushat dhe nevojat e kryeqytetit”, theksoi Berisha. “Për t’u ballafaquar me problemet dhe për të qenë në krye të detyrës që e ka marrë, për ta kryer si kryetar, ky duhet të ketë “kumonën” varur vazhdimisht aty dhe ajo komunë - zile çdo ditë duhet të cingërojë nga ana e kryetarit, sepse ndryshe nuk mund as nuk pritet që punët të shkojnë mirë...unë për kryetarin e kam një pyetje dhe do të kisha pasur dëshirën që të ma japë një përgjigje, nëse dëshiron që të përcaktohet të shkojë në bisedime apo të mbetet kryetar, të dyja këto angazhime nuk i shkojnë dhe kjo është shumë e qartë për secilin nga ne qytetarët. Ai duhet ta zgjedhë cilën të dojë, por jo të dyja, sepse të dyjave nuk mund t’u dalë në skaj”, tha Selim Berisha për “Kosova Sot”.

Image
Asllan Juniku

Në zgjedhje PSD-në e pret ndëshkimi

Qytetari Asllan Juniku, qytetar i lagjes Tophane, problem të pazgjidhur akoma nga komuna e sheh çështjen e legalizimit të ndërtimeve, për të cilat kishte premtuar dhe ishte zotuar Shpend Ahmeti që në mandatin e parë sikur që nuk po bëhet as bartja e pronësisë së banesave të reja të porsandërtuara në lagje të ndryshme të kryeqytetit, e për të cilën pasojë banorët nuk kanë mundësi të ngrenë kredi për nevojat e tyre, pasi që u kërkohet hipoteka, e ata nuk janë pronarë të banesave për fajin e komunës.

“Një ndër problemet kryesore që unë e shoh si banor i Prishtinës ka të bëjë me pronat dhe me legalizimin e tyre, kur është fjala të ndërtimet, sepse ky legalizim ka rol shumë të madh, ka shumë rëndësi, sepse gati secili njeri sot ka dëshirë ta ketë pronën në emër të vetin, të cilën ose planifikon t’ia bartë si trashëgimi dikujt tjetër ose kur paraqitet nevoja për të shfrytëzuar ndonjë kredi, atëherë derisa nuk e ke pronën në emër tëndin nuk mund ta lësh atë garanci si hipotekë për ta gëzuar një të drejtë ligjore e legjitime. Realisht unë nuk jam sa duhet i informuar lidhur me këtë problem dhe me kompetencat që ka komuna këtu, por jam shumë i sigurt që po të funksiononte si duhet dhe të realizohej e drejta e bartjes së pronës në pronësi të qytetarëve që i shfrytëzojnë atë do të përfitonte edhe buxheti i komunës, sepse ka shumë objekte të ndërtuara që nuk janë legalizuar akoma dhe nuk është bartur, regjistruar prona në emër të blerësit apo të ndërtuesit, i cili duhet të jetë titullar i asaj prone. Sikur të zgjidhej ky problem, do të ishte edhe në interesin tonë si qytetarë, por edhe në favorin e komunës”, tha qytetari Asllan Juniku për “Kosova Sot”. Sipas tij, bllokimi i zhvillimit të Prishtinës në këtë mandat, por edhe bllokimi i qytetarëve për realizimin e të drejtave të tyre, në ndërtim dhe në legalizim të pronave, do të jetë një argument i madh për ta ndëshkuar Shpend Ahmetin dhe PSD-në në zgjedhjet e reja, qofshin ato lokale apo qendrore.

Image
Isuf Sallahu

Angazhim minimal për kryeqytetin

Qytetari Isuf Sallahu është nga fshati Shkabaj, por tërë ditën e kalon me punët që bën tash e sa vjet në Prishtinë, prandaj të vetmen gjë pozitive që ia mban në mend Shpend Ahmetit është ndërtimi i një kolektori të ujërave të zeza në këtë fshat dhe shtrimi i rrugës në kubëza, por ngecjet, mashtrimet dhe dështimet e Shpendit shihen gjithandej në kryeqytet, në Prishtinën e ngulfatur edhe nga mbipopullimi me banorë nga të gjitha fshatrat e Prishtinës dhe disa komunave të tjera në afërsi me Prishtinën.“Tjetër gjë ai nuk ka bërë, sepse ne në fshat shkollën dhe ambulancën i kemi pasur kaherë. Përndryshe unë jam këtu në Prishtinë çdo ditë me punën që kryej dhe shihet që fare pak ka punuar. Ka rrugë në kryeqytet që po i shohim çdo ditë të cilat rrugë janë në gjendje katastrofave.

Po ashtu, nëpër lagje të ndryshme po vërej që bashkëqytetarët e mi vazhdojnë të ankohen edhe për shkollat, edhe për parkingjet, sepse popullata në kryeqytet është shumë e përqendruar dhe kushtet as në mandatin e parë dhe as në këtë të dytin, sa i takon infrastrukturës së qytetit, nuk janë realizuar sikur që ishte premtuar. Unë sikur që po e shoh dështimin e deritanishëm në Prishtinë, edhe dy vjet do të shkojnë si era dhe nuk do të ketë mundësi të bëjë ndonjë gjë të mirë për përmirësimin e jetës së qytetarëve në Prishtinë, sepse sikur që po e shihni edhe vetë nuk ka akoma as parkingje të mjaftueshme, por as trotuare për të lëvizur qytetarët, gjithandej janë të zëna trotuaret me vetura. Unë nuk besoj që dy vjet mandat të mbetur do të mund t’i realizojë ato që i ka premtuar”, tha qytetari Isuf Sallahu.

(Kosova Sot)