Sektori privat mban administratën parazite dhe qeverinë e luksit

  • 24 April 2019 - 08:05
Sektori privat mban administratën parazite dhe qeverinë e luksit

Hertica: Sektori privat është duke e mbushur arkën e shtetit

 “Kosova nuk ka nevojë të ketë më shumë se 20 mijë punëtorë në administrativë, përderisa janë 83 mijë shërbyes civilë që jetojnë nga sektori privat. Pa sigurim shëndetësor, me një anarki totale dhe pa kurrfarë disipline është kjo administratë. Qeverisja e kriminalizuar shpenzon paratë e qytetarëve nga rezervat që destinohen për diçka tjetër. Kjo është gjendja e mjerë që mbretëron në shtetin tonë”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Blerim Burjani

Sektori privat me taksat që po i paguan po e mban aparatin shtetëror parazit. Analistët thonë se sektori privat po e mban një aparat jofunksional dhe një administratë të mbushur me familjarë e militantë partiakë dhe kjo është zhgënjyese për sektorin privat dhe vetë qytetarët që paguajnë taksa, pasi me paratë e tyre rriten rrogat në sektorin publik si ua do qejfi pushtetarëve dhe i harxhojnë ato para pa kurrfarë kontrolli dhe pa llogaridhënie.

Image
Ali Hertica

Analisti Ali Hertica theksoi për gazetën “Kosova Sot” se mund të fitohet përshtypja që një kësi strukturimi i skenës politike nuk është i përshtatshëm për përparimin e demokracisë.“Krijimi i vendeve të reja do ta lehtësonte barrën që sot e ka sektori privat, por pagimi i taksave po e mban sektorin publik parazit. Dhe, Qeveria duhet të marrë masa dhe të mos e shohë sektorin privat vetëm si taksapagues, por t`i jepen të drejta punëtorëve në sektorin privat. Sektori privat është duke e mbushur arkën e shtetit, ndërsa qeveritarët rrisin pagat e sektorit publik me djersën e klasës punëtore”, është shprehur Hertica.

 

Image
Blerim Burjani

Burjani: Administratë joefikase dhe shpenzuese e madhe

Analisti Blerim Burjani është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se Qeveria e PAN-it është drejtuar kundër ekonomisë se tregut, është instaluar pushtet komunist i tipit kinez.“Sektori privat është mjaft i zhgënjyer me rritjet e pagave me paratë e tyre dhe qytetarët shumicë të Kosovës jetojnë me 170 deri 300 euro pagë mujore. Ky rrezikim i madh që po ndodh ka edhe një rrezik më të madh që të rriten çmimet nga sektori privat si rezultat që shteti për aparatin e tij shtetëror i ka bërë milionerë disa prej tyre, duke keqpërdorur taksat e qytetarëve”, është shprehur Burjani.

Sipas tij, një administratë joefikase është shpenzuese e madhe e buxhetit të taksapaguesve dhe kësisoj politikanët janë bërë milionerë për shkak se nuk kemi ligj që zbatohet. “Kosova nuk ka nevojë të ketë më shumë se 20 mijë punëtor administrativë, përderisa janë 83 mijë shërbyes civilë që jetojnë nga sektori privat. Pa sigurim shëndetësor me një anarki totale dhe pa kurrfarë disipline është kjo administratë. Qeverisja e kriminalizuar shpenzon paratë e qytetarëve nga rezervat që destinohen për diçka tjetër. Kjo është gjendja e mjerë që mbretëron në shtetin tonë. Pa ndryshim dhe qeverisje të re dhe ndëshkim të atyre që zhvatën qytetarin dhe sektorin privat të pasuruar pa bazë nuk ka shtet juridik”, është shprehur Burjani.

Image
Shefik Shokdra

Shkodra: Sektori privat e mban gjallë një aparat shtetëror me kosto të lartë

“Nuk e di mirë çka është bërë me sektorin privat. A kanë kontratë të punës, për të cilën mjaft është folur, në të cilën do të duhej të parashihej orari i punës, pushimi javor, vjetor; sigurimi shëndetësor, sigurimi social. Këtu do të mund të hynte edhe paga e tyre mujore, them për punëtorët në sektorin privat.

Ndryshe, e kemi një shfrytëzim shumë të egër të kësaj klase në rendin e sistemit demokrat te ne. Mirëpo, ajo që do të duhej të brengosë masën e gjerë të qytetarëve është se si ky sektor e mban gjallë një aparat shtetëror me kosto të lartë, duke filluar nga pagat e tyre mujore e benificionet tjera, të cilët vetë i ngritin pagat dhe shërbimet tjera, shkurt me shpenzime të mëdha, por pa ndonjë llogaridhënie para opinionit të gjerë. Duke mbushur administratën shtetërore me persona familjarë, të klanit dhe me militantë partiakë, që është një ngarkesë e madhe e buxhetit, madje shumë sish si të panevojshëm.

Dhe, krejt këtë barrë të madhe e mban mbi kurriz sektori privat, derisa ky aparat shtetëror duket jo aq funksional për t'ua kthyer në kundërshpërblim qytetarëve”, theksoi analisti Shefik Shkodra për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)