U gjet i vdekur anë rrugës, i ati tregon të shkuarën e djalit: U inskenua si aksident

  • 24 April 2019 - 08:52
U gjet i vdekur anë rrugës, i ati tregon të shkuarën e djalit: U inskenua si aksident

U gjet i vdekur në rrugë, babai hedh dyshime për vrasje. Sokol Veliraj u gjet nga kalimtarë të rastit anë rrugës në aksin Elbasan-Peqin dhe u dërgua në spital pa shenja jete. 

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Pajovë, ku sipas Policisë, dyshohet se vdekja e 27-vjeçarit është shkaktuar nga një aksident, pasi mund të jetë goditur nga një motoçikletë dhe autori më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas Policisë, dyshohet se ngjarja ka ndodhur herët në mëngjes, kur 27-vjeçari ka qenë duke ecur buzë rrugës, por fatkeqësisht një mjet tip motoçikletë e ka goditur atë për vdekje dhe drejtuesi e ka lënë të shtrirë në vend dhe është larguar. Mjekët thonë se i riu ka mbërritur në spital i vdekur, pasi goditja që ka marrë ka qenë vdekjeprurëse. Ai është dërguar në spital nga kalimtarë të rastësishëm.

Në një kohë kur Policia dyshon për aksident dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes që solli vdekjen e 27- vjeçarit, babai i të riut nga Elbasani deklaron se bëhet fjalë për vrasje dhe se gjithçka është inskenuar si aksident.

“Sokoli jetonte në qytetin e Pogradecit bashkë me vajzën dhe bashkëshorten e tij, ndërsa punonte si çoban në Tepelenë. Ai ka qenë duke u kthyer në shtëpi kur ka gjetur vdekjen. Policia e ka parë që në vendin e ngjarjes nuk kishte pikë gjaku. Unë nuk i di problemet e djalit tim, por di që ka qenë një herë i dënuar për prostitucion”, është shprehur Rexhep Veliraj.

Ai shton se kur ka parë trupin e të birit pas aksidentit, ka vërejtur shenja të ngjashme me ato të shkaktuara nga çarjet me thikë poshtë mjekrës, por edhe në të gjithë fytyrën.

“Djali im nuk është aksidentuar, atë e kanë vrarë. I lutem Policisë të shohë kamerat, sepse kishte dëmtime gjithandej, i ishin thyer nofullat, gjymtyrët, kockat. Sokoli ishte i martuar dy herë dhe kishte dy vajza. Me gruan e parë nga Labinoti u nda, pasi u akuzua për prostitucion dhe me gruan e dytë jetonte në Pogradec”, ka përfunduar i ati i 27-vjeçarit.

Ndërkohë, duke marrë parasysh pretendimet e familjarëve, por edhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, Policia është duke hetuar në dy pista, atë të aksidentit automobilistik dhe të vrasjes.

(Kosova Sot)