Kthimi i kosovarëve nga Siria alarm në Francë, kërkohet izolimi i Kosovës

  • 24 prill 2019 - 11:28
Kthimi i kosovarëve nga Siria alarm në Francë, kërkohet izolimi i Kosovës

Kthimi i mbi 100 qytetarëve kosovarë nga Siria në Kosovë, po shihet si një veprim jashtëzakonisht i rrezikshëm nga disa parti të cilat janë të përfaqësuara në Parlamentin e  Francës.

Në një reagim të lëshuar dje nga partia djathtiste ‘Debout Le France’ e  Nicolas Dupont-Aignan, thuhet se e dënojnë një veprim të tillë të ndërmarrë nga autoritetet kosovare, pasi që sipas tyre Kosova vazhdon të mbetet një vend me rrezikshmëri të lartë sa i përket terrorizimit.

Kjo parti kujton se në vitin 2018, autoritet në Prishtinë kishin njoftuar se kanë arrestuar katër shtetas, të cilat kishin planifikuar sulme në Francë dhe Belgjikë dhe kundër misioneve paqeruajtëse ndërkombëtar në Kosovë. 

“Franca e denoncon këtë vendim të një vendi në të cilin rreziku për terrorizëm mbetet i lartë. Në tetor 2018 Prishtina kishte njoftuar se ka arrestuar katër islamikë, të cilët planifikonin sulme në Francë, në Belgjikë, si dhe kundër misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Kosovë. Rreziku i sigurisë mbetet i lartë dhe mjaft i pranishëm në një vend nën tension. Ky vend është në negociata me Bashkimin Evropian, për heqjen e vizave, dhe ky është një sinjal i keq që u dërgohet evropianëve”, thuhet në reagim.

Sipas tyre vendimi për të kthyer nga Siria gjithë ata qytetarë dërgon edhe një sinjal të keq drejt Evropës, pasi që Kosova tashmë është duke pritur liberalizimin e vizave.

Kjo sipas tyre pasi që Kosova refuzon çfarëdo konsultimi me vendet e Bashkimit Evropian për çështjen e xhihadistëve  dhe sigurisë së kontinentit të vjetër. 

“Sot, Kosova refuzon çdo konsultim me Bashkimin Evropian për të ardhmen e xhihadistëve dhe sigurinë e kontinentit”, thuhet në reagimin e partisë djathtiste franceze.

‘Debout le France’, madje bën thirrje që Franca të kundërshtojë fuqishëm në Parlamentin Evropian dhe Bashkimin Evropian, çfarëdo veprimi në favor të pranimit të Kosovës.

“Qëndrimi i Francës është i vendosur të kundërshtojë fuqishëm Parlamentin Evropian dhe Bashkimin Evropian për çdo veprim në favor të pranimit të Kosovës në BE”, thuhet ndër të tjera.

Sipas tyre për gjithë këto vite ka dështuar politika e afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian, pasi që Kosova nuk ka treguar përmirësim në shumë fusha, përfshirë sundimin e ligjit dhe çështje të tjera.

Në fund ata bëjnë thirrje që t’i jepet fund procesit të integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, që në vitin 2011 ishte mbështetur nga Laruent Wauquiez, Sekretar i Shtetit për Çështje Evropiane në atë kohë dhe të mbështetur nga shumë deputetë. 

Kthimi i këtyre shtetasve nga Siria ka ardhur pas thirrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë shumë shtete të Bashkimit Evropian, përfshirë këtu edhe Francën janë duke refuzuar që ta bëjnë një gjë të tillë.

Image

(Kosova Sot)