PTK-në qëllimisht po e falimentojnë për ta shitur për një grusht parash

  • 25 April 2019 - 08:06
PTK-në qëllimisht po e falimentojnë për ta shitur për një grusht parash

Haziri: Gjithçka është vonë për këtë kompani, ajo është e kapur nga mafia politike

“Kontrata me ‘Z-MOBILE’ është fakt që i ka sjellë shumë dëme dhe shkatërrime PTK-së. Deri më tash asnjë zyrtar i përfshirë në këtë kontratë skandaloze nga radhët e PTK-së, si dhe nga personat përgjegjës të ‘Z-MOBILE’, nuk janë arrestuar. Mendoj që Policia dhe Gjyqësori i Kosovës duhet të jenë të pavarur e jo të manipuluar nga politika, kështu që i bëj thirrje Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës që të ndërmarrin masa urgjente për parandalimin e shkatërrimit të PTK-së nga kompania ‘Z-MOBILE‘ dhe ata të cilët janë të involvuar në këtë skemë kriminale”, thotë për gazetën “Kosova Sot”, analisti Dardan Grapci

Ish-kryeshefi Shyqyri Haxha thotë se shkatërrimi i PTK-së ka qenë i planifikuar. Po ashtu disa vjet rresht Ismet Hamiti, ekspert i teknologjisë, ka përsëritur se kontrata e PTK-së me “Z-Mobile” është shembull shkollor i krimit të organizuar, që për nga përmasat e dëmit të shkaktuar dhe numrit të individëve të përfshirë është ndër më të mëdhenjtë në gjithë kohën e pasluftës dhe për këtë qëllim ai i drejtohej Prokurorisë Speciale për të marra masa. Sipas analistëve, kjo skemë kriminale po vazhdon të heshtet nga Prokuroria dhe PTK-ja, kurse po rrezikohet falimentimi dhe zhbërja e Telekomit?

Image
Armend Zemaj

Zemaj: Do të vihet para përgjegjësisë kushdo që ka gisht në shkatërrimin e PTK-së

Deputeti i opozitës nga LDK-ja, Armend Zemaj, anëtar i Komisionin hetimor për PTK-në, ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” se PTK-ja është një ndërmarrje, e cila për shkak të ndërhyrjeve politike është vënë buzë falimentimit. “Grupe të klientelës së partive në pushtetin aktual e kanë shfrytëzuar në mënyrë të egër duke e vënë në këtë gjendje para falimentimit total, qoftë me përfitim tenderësh, qoftë me punësime të paligjshme. Kuvendi ka formuar Komision hetimor për ta analizuar gjendjen dhe për ta vënë para përgjegjësisë këdo që ka qenë i involvuar në shkatërrimin e PTK-së”, është shprehur Zemaj.

Image
Dardan Grapci

Analisti Dardan Grapci thekson për “Kosova Sot” se kjo skemë kriminale po vazhdon të heshtë për shkak të politikës së korruptuar, dhe Prokurorisë, e cila në një anë më shume po punon për të drejtat e kriminelëve sesa njerëzve të drejtë. “

Kur them kriminelë e kam fjalën për politikanët dhe biznesmenët, të cilët e kane bëre Zot paranë, e jo Zotin e vërtetë. Prandaj, kontrata me ‘Z-MOBILE’ është fakt që i ka sjellë shumë dëme dhe shkatërrime PTK-së. Deri më tash asnjë zyrtar i përfshirë në këtë kontratë skandaloze nga radhët e PTK-së, si dhe nga personat përgjegjës të ‘Z-MOBILE’ nuk janë arrestuar. Mendoj që Policia dhe Gjyqësori i Kosovës duhet të jenë të pavarur e jo të manipuluar nga politika, kështu që i bëj thirrje Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës që të ndërmarrin masa urgjente për parandalimin e shkatërrimit të PTK-së nga kompania ‘Z-MOBILE’ dhe ata të cilët janë të involvuar në këtë skemë kriminale”, është shprehur për gazetën analisti Dardan Grapci.

Image
Nexhat Haziri

Haziri: Prokuroria e shantazhuar nga politika

Analisti Nexhat Haziri theksoi për “Kosova Sot” se heshtja e Prokurorisë ndaj skemës kriminale dhe e cila tashme ka një rrjet të zgjeruar dhe të mirëndërtuar jo vetëm në PTK, por edhe në kompanitë e tjera shtetërore, ka vetëm një shpjegim. “Kjo skemë kriminale ka mbështetjen e njerëzve më të fuqishëm të politikës në Kosovë, dhe nuk është se po e zbulojmë ‘ujin e nxehtë’ me këtë, pasi pa këtë mbështetje politike e institucionale nuk mund të ekzistonte kjo skemë kriminale, e cila po ashtu është shndërruar në të vetmin mjet mbijetese politike për presidentin Thaçi dhe eksponentë të tjerë të politikës, sidomos nga radhët e PDK-së.

Nuk mund të të habis heshtja e Prokurorisë së Shtetit, kur kjo Prokurori është e kapur dhe e shantazhuar nga politika, e kur dihet se vetë kryeprokurori Aleksandër Lumezi, është i ‘rekrutuar’ nga klani ‘PRONTO’“, është shprehur ai. Sipas Hazirit, gjithçka tani është vonë për këtë kompani, ngase sipas tij, ajo është kapur nga mafia politike. “Dhe, edhe sot kur po flasim për këtë kompani,pas falimentimit të saj të qëllimshëm, qëndron kompania ‘Devolli’ dhe familja e presidentit Thaçi, të cilët dëshirojnë privatizimin e kësaj kompanie në mënyrë mafioze, ashtu siç i kanë privatizuar edhe kompani të tjera”, theksoi Haziri.

Prokuroria Speciale nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e drejtuar nga gazeta.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Para një dekada vlera e PTK-së ka qenë mbi 1.4 miliard euro

“Padyshim që shkatërrimi i PTK-së ka qenë i planifikuar, sepse këta asgjë nuk bëjnë pa plan. Para një dekada vlera e PTK-së ka qenë mbi 1.4 miliard euro, dhe atëbotë shumë kompani të huaja ishin të interesuara për ta blerë. Por këta politikanë qëllimisht nuk e shiten, me qellim që një ditë të blihet nga ndonjë kompani e afërt me ta. E falimentuan ndër vite, dhe sot mund të shitet për një grusht parash. As Shyqyri Haxha, Ismet Hamiti dhe drejtorët e tjerë nuk janë pa faj.

Po të ishin kaq të ndershëm nuk do te vazhdonin punën me vite, por do të ishin larguar menjëherë. Edhe këta drejtorë janë pjesë e shkatërrimit të PTK-së. Edhe Prokuroria dhe gjykatat janë pjesë e kapjes së shtetit, prandaj heshtin të gjithë. Politika s'mund ta kapë shtetin pa e kapur drejtësinë. Kapja e shtetit shkon në mënyrë zinxhirore”, theksoi analisti Faik Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)