BE-ja mblodhi 428 miliardë euro taksa nga automjetet

  • 25 prill 2019 - 11:25
BE-ja mblodhi 428 miliardë euro taksa nga automjetet

Pesëmbëdhjetë vende anëtare të Bashkimit Evropian kanë mbledhur 428 miliardë euro të ardhura vjetore nga taksimi i automjeteve motorike. Kështu thuhet në të dhënat e publikuara nga Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automjeteve.

Sipas të dhënave, përcjell Telegrafi, Gjermania, Franca, Britania, Italia, Spanja, Austria, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Greqia, Irlanda, Holanda, Suedia, Portugalia dhe Luksemburgu kanë siguruar një burim prej 428 miliardë eurove në vit të marra nga taksimet për automjetet motorike, të tilla si taksa TVSH, taksa e shitjeve, regjistrimeve, automjeteve të transportit dhe karburanteve.

Në mesin e këtyre vendeve, shuma më e madhe e taksave për automjetet është mbledhur në Gjermani, me të ardhura vjetore prej 92 miliardë eurosh, e pasuar nga Franca me 79 miliardë euro, Italia me 74.4 miliardë, Britania e Madhe me 56.3 miliardë euro, Spanja me 28.1 miliardë, Holanda me 20.3 miliardë dhe Belgjika me 19.6 miliardë euro.

Sektori i industrisë së automjeteve në vendet e Bashkimit Evropian ka siguruar punësim direkt dhe indirekt për gjithsej 13.3 milion njerëz, ndërsa vetëm prodhimi i automjeteve ka ofruar mundësi punësimi për 3.4 milionë njerëz

(Kosova Sot)