Gjykatat po tallen me popullin e sunduar

  • 26 April 2019 - 07:54
Gjykatat po tallen me popullin e sunduar

Miftari: Problemi i mosllogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë është i njohur dhe zvarritjet e lëndëve gjyqësore nga 8 deri në 10 vjet tregojnë qartë ‘suksesin’ dhe misionin që e kanë gjykatat e kapura nga krimi i organizuar në Kosovë

“Hetojnë dhe gjykojnë fakirë dhe të pakrahë, hetojnë e gjykojnë vetëm ata që nuk kanë mbështetje serioze politike. Hetojnë dhe gjykojnë vetëm ata që nuk kanë fuqi fizike për t’u hakmarrë dhe nuk kanë lekë për të paguar trekëndëshin famëkeq, prokuror-gjyqtar-avokat. Të gjitha analizat po e dëshmojnë këtë. A e njeh kosovari ndonjë të dënuar, a e njeh kosovari ndonjë zyrtar të përjashtuar apo ndonjë zyrtar që i është konfiskuar pasuria?”, thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, për “Kosova Sot”

Në Kosovë gjykatat vazhdojnë të tallen me qytetarët dhe të drejtat e tyre, ku e njëjta lëndë rikthehet në rigjykim 4-5 herë, për shkak të mosrespektimit e shkeljes të ligjeve nga gjykatësit. Qytetarët presin deri në 10 vjet që të merret verdikti nga gjykatësit, edhe pse çdo gjë është e rregulluar me ligj, por gjykatësit nën influencën e ndikimin e politikës shkelin ligjet me të dyja këmbët deri edhe në një dekadë.

Sipas analistëve, drejtësia është shkelësja më e madhe e të drejtave të njeriut, kur lëndët nuk shohin dritën e kryerjes si pasojë e neglizhencës dhe qytetarëve nuk u jepet e ndahet drejtësia e merituar sipas ligjit, por sipas “Maliqit”. Analistët pyesin se a ka rënë kredibiliteti në pikën më të ulët në sistemin e drejtësisë dhe pse.

Ata fajësojnë KPK-në e KGJK-në se nuk po reagojnë ndaj gjendjes së rëndë në drejtësi dhe nuk marrin masa ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të dështuar ose të kapur nga nëntoka kriminale e politikës dhe mafio-oligarkëve. Sipas tyre, anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial janë më të kapurit dhe më të ndikuarit e politikës kriminale që po udhëheq e shkatërron ketë vend, duke e lënë pa drejtësi, e si rrjedhojë gati të gjithë duan të ikin!

Image
Naim Miftari

Miftari: KPK-ja e KGJK-ja, kukulla të mafisë politike

“Problemi i mosllogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë është i njohur dhe zhagitjet e lëndëve gjyqësore nga 8 deri në 10 vjet tregojnë qartë ‘suksesin’ dhe misionin që e kanë gjykatat e kapura nga krimi i organizuar në Kosovë. KPK-ja dhe KGJK-ja, të ashtuquajturat këshilla të drejtësisë në Kosovë, janë edhe vetë pjesë - kukulla të mafisë politike, ku korrupsioni është vlerë dhe serviliteti ndaj politikanëve të korruptuar është detyrë patriotike.

Po të bëhej sot një anketë reale te qytetarët tanë lidhur me drejtësinë, prokurorinë, gjyqësinë, policinë, mbi 90% të qytetarëve nuk i besojnë drejtësisë dhe neutralitetit të organeve juridike në Kosovë, vend ku nuk ju dënon ligji, por ju dënon Maliqi, nëse e kanë urdhëruar shefat dhe bosët e korruptuar politikë nga krimi i organizuar”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.

Image
Gent Gjini

Drejtësia e vonuar është padrejtësi

Avokati Gent Gjini theksoi se një postulat në drejtësi tregon se ”Çdo drejtësi e vonuar është padrejtësi” . Sipas tij, ky parim tregon shumëçka, e fatkeqësisht situatën e tanishme në vetë sistemin e drejtësisë të Kosovës, ku shumë qytetarë, palë të interesuar me vite e vite të tëra presin që lëndët e tyre t’u caktohen.

“Me vite e vite presin që ato lëndë përfundimisht të mund të vendosen nga gjykatat e larta, e veçmas duke ditur se ato në të njëjtën kohë për qytetarët tërheqin edhe barrën e financës, sepse qytetarët detyrohen ligjërisht të paguajnë taksa gjyqësore, të paguajnë ekspertë gjyqësorë, paguajnë tarifa e tarifa të ndryshme gjyqësore, vetëm e vetëm që drejtësia të jetë në vendin e vet në zgjidhjen e kontesteve të tyre”, ka thënë ai.

“Pra, janë këto situata të tilla më simptomatike që drejtpërsëdrejti prekin liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të qytetarëve, për një proces të zhvilluar brenda afatit të arsyeshëm kohor, dhe në anën tjetër kjo është edhe pasqyrë për vetë sistemin e drejtësisë se sa të zhvilluar dhe progresive e kemi këtë segment, që në fakt lë shumë për të dëshiruar”, u shpreh Gjini për “Kosova Sot”.

Gjini: Ligji i diskrecionit

Avokati Gent Gjini tregon se në Shqipëri ekziston një ligj i veçantë “Ligji i diskrecionit” për gjyqtarë, sipas të cilit ata gjyqtarë që brenda funksioneve të tyre me ligj nuk kanë kryer detyrat dhe obligimet për qytetaret dhe vetë drejtësinë, ndaj tyre mund të iniciohet vepër penale për mospërfillje, dhe kështu edhe të largohen nga puna e tyre. “Edhe shteti i Kosovës duhet ta ketë këtë ligj, sepse e bën vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin e vet gjyqtarëve, nëse ata hezitojnë t’i kryejnë detyrat nga puna e tyre, e me theks të veçantë nga moscaktimi i lëndëve për vite e vite me radhë nga gjyqtarët”, ka vlerësuar Gjini.

Image
Hasan Preteni

Preteni: Kosova shkretohet, drejtësia “krihet”

Analisti Hasan Preteni vlerëson se institucionet e sistemit të drejtësisë janë në kolaps total. “Hetojnë dhe gjykojnë fakirë dhe të paskrahë, hetojnë e gjykojnë vetëm ata që nuk kanë mbështetje serioze politike. Hetojnë dhe gjykojnë vetëm ata që nuk kanë fuqi fizike për t’u hakmarrë dhe nuk kanë lekë për të paguar trekëndëshin famëkeq prokuror-gjyqtar-avokat.

Të gjitha analizat po e dëshmojnë ketë. A e njeh kosovari ndonjë të dënuar, a e njeh kosovari ndonjë zyrtar të përjashtuar apo ndonjë zyrtar që iu është konfiskuar pasuria. A e njeh kosovari ndonjë prokuror që e ka hetuar apo fituar ndonjë rast në gjykatë. Në të gjitha këto pyetje përgjigjja është jooo”, ka theksuar Preteni për “Kosova Sot”.

“Në anën tjetër, pasurime të shpejta e të mëdha të shume zyrtareve, keqpërdorime të buxhetit në baza ditore, raportime të mekanizmave antikorrupsion në baza ditore. Ikje nga vendi, rritje zhgënjimi, rritje të rasteve të dhunës”, ka vijuar më tej Preteni. Sipas tij, ka pakënaqësi dhe zhgënjim në çdo hap. “Kosova shkretohet drejtësia ‘krihet’”, ka thënë Hasan Preteni.

(Kosova Sot)