Ambasada amerikane i gëzohet certifikimit të Listës Srpska në zgjedhjet e Veriut

  • 26 April 2019 - 17:27
Ambasada amerikane i gëzohet certifikimit të Listës Srpska në zgjedhjet e Veriut

Ambasada amerikane në Prishtinë i është gëzuar certifikimit të katër kandidatëve të Listës Srpska për zgjedhjet në Veri

Kjo ambasadë ka lëshuar deklaratë, në të cilën përgëzon Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për marrjen parasysh të ankesës së Listës Srpska, e cila nuk arriti të certifikohej nga KQZ për shkak të abstenimit të dy anëtarëve të Vetëvendosjes në KQZ.

“Ambasada e SHBA-ve përgëzon Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për vendimin për të certifikuar të gjithë kandidatët e kualifikuar për zgjedhjet e 19 majit për kryetarë komunash në katër komunat veriore, dhe lëvdon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për veprimin e shpejtë në konfirmimin e vendimit të PZAP-it dhe procedimin me aktivitete që lidhen me zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri”, thuhet në kumtesën e Ambasadës.

Tutje në deklaratë thuhet se është tejet e rëndësishme që KQZ-ja të jetë jopartiake dhe e kompletuar. Ambasada amerikane kërkon që fituesit e zgjedhjeve në Veri duhet të pranojnë punën në institucionet e Kosovës.

“Një KQZ jopartiake dhe e kompletuar me anëtarë është qenësore për rregullimin dhe monitorimin efektiv të zgjedhjeve të cilat janë element themeltar i demokracisë së Kosovës. Pas zgjedhjeve për kryetarë komunash, kandidatët fitues duhet të përmbushin mandatet e tyre duke punuar brenda institucioneve të Kosovës në emër të zgjedhësve të tyre”, thuhet në deklaratë.

(Kosova Sot)