Hajn e profiter, mercenar e Boshko Buha – si u përplasën Thaçi e Quni

  • 26 April 2019 - 17:47
Hajn e profiter, mercenar e Boshko Buha – si u përplasën Thaçi e Quni

Në komisionin hetimor parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq, sot, më në fund është paraqitur Hashim Thaçi. Kur presidenti doli para deputetëve të këtij komisioni u tha gjithçka përveç dëshmisë së tij lidhur me çështjen e turqve- për çka edhe ishte thirrur.

Debati u shndërrua në qërim hesapesh mes Hashim Thaçit e Anton Qunit. Akuza e ofendime drejtuan të dy ndaj njëri-tjetrit. Por, kjo nuk është hera e parë që Quni kapet me Thaçin. 

Deputeti i LDK-së Anton Quni e shftytëzoi momentin e ndodhjes para presidentit Hashim Thaçi, sot kur pas më shumë se një viti u paraqit që të jap dëshminë lidhur me deportimin e gjashtë shtetasëve turq që ndodhi në mars të vitit të kaluar. Quni ia tha në sy Thaçit fjalët “hajn”, “profiter”, “frikacak” etj. E Thaçi i tha Qunit “mercenar”, “Boshko Buha” etj.

Por kjo nuk është hera e parë që Anton Quni i thotë Thaçit frikacak. Mbahet mend deklarata e Qunit kur në maj të vitit 2017 u rrëzua Qeveria “Mustafa” që me fjalën frikacak iu drejtua Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Ju njoh nga vija e frontit, jeni frikacakë, u tha atëkohë nga Quni.

Madje Quni shkoi edhe më larg duke thënë: “Ju më detyroni që të qëndroj në qeverisje derisa të ju shoh prapa grilave”. 

Që nga ajo kohë deputeti i LDK’së nuk u shpreh më shumë se sot sa i përket raportit të tij me Thaçin. E sot, ai e shfrytëzoi këtë takim për ta goditur përsëri presidentin.

Në një moment deputeti i LDK-së, Anton Quni, i tha Hashim Thaçit se është frikësuar në luftë.

“Ju jeni frikësu gjatë luftës, por pse po frikësoheni në paqe”, i tha Qunit Thaçit.

Më pas presidenti tha se dihet kush ka qenë frikacak në luftë, por nuk përmendi emra.

“Frikacak dihet kush ka qenë, bile jam duke u kursy të mos flas”, tha Thaçi.

Mirëpo, pas disa replikave radhazi Thaçi i tha deputetit të LDK-së, Qunit, se është mercenar.

“Një këmbë në Kosovë një në Shqipëri e ke mbajtë -shpinën sigurt, je hi në Kosovë masi u hy NATO”, tha Thaçi.

“Ti je Boshko Buha”, vazhdoi Thaçi me akuza ndaj deputetit Quni duke e krahasuar ish –ushtarin e UCK’së me një partizan serb nga Lufta e Dytë Botërore. 

Pasi Thaçi i tha Qunit se një këmbë e ka mbajtur në Kosovë e tjetrën në Shqipëri gjatë kohës së luftës. Quni i replikoi duke i thënë “Ti je hajn, profiter e kriminel”.

Ndryshe, replika janë zhvilluar ndërmjet gjithë anëtarëve të komisionit. Aty janë përmendur edhe fjalët “të dua” e “zvarranik”.

Pas krejt kësaj rrëmuje debati është mbyllur.

(Kosova Sot)