Brukseli i shqetësuar me pavarësinë e gjyqësorit në disa vende anëtare

  • 26 April 2019 - 19:07
Brukseli i shqetësuar me pavarësinë e gjyqësorit në disa vende anëtare

Shqipëria është duke ndërmarrë një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë për t’u integruar në BE, por Brukseli është i shqetësuar tani edhe për disa vende anëtare. Një sondazh i fundit tregon se qytetarët dhe kompanitë kryesisht në Europën Lindore, janë të shqetësuar se presioni dhe ndërhyrja politike po rriten mbi gjyqësorin.

Jo vetëm vendet kandidate për në Bashkimin Evropian, por edhe vendet anëtare kanë probleme të mëdha pavarësinë e gjyqësorit. Komisioni Evropian thotë se pavarësia e gjyqësorit është e kërcënuar në vendet si Bullgaria, Hungaria, Polonia dhe Rumania. Komisionarja për Drejtësinë, Vera Jourova, paralajmëroi se kjo prirje mund ta dëmtojë besimin midis të gjitha shteteve anëtare të BE’së

“Sfidat për sundimin e ligjit po rriten në disa vende, në një kohë kur reformat e nevojshme të gjyqësorit po helmohen me debate jashtëzakonisht të politizuara. Nëse sistemi i drejtësisë thyhet në një vend, ndikimi mund të ndjehet në gjithë BE-në, sepse ne mbështetemi te besimi i ndërsjellë,” tha Jourova në një konferencë për gazetarët në Bruksel.

Ajo shtoi se qytetarët dhe kompanitë kryesisht në Europën Lindore janë të shqetësuar se presioni dhe ndërhyrja politike po rriten. Të premten, BE’ja publikoi edhe rezultatet e një sondazhi, i cili nxori në pah se shumica e qytetarëve në Kroaci, Sllovaki, Bullgari dhe Spanjë e vlerësojnë pavarësinë e gjykatave dhe gjykatësve të tyre si të keqe ose shumë të keqe.

Në Poloni, ndaj së cilës BE-ja ka nisur procedurat për shkak të një reforme të diskutueshme të gjyqësorit, 50% e qytetarëve shfaqin mungesën e besimit në pavarësinë e gjyqtarëve.

(Kosova Sot)