Rrugëdalja e vetme, protestat kundër regjimit despotik

  • 27 April 2019 - 07:48
Rrugëdalja e vetme, protestat kundër regjimit despotik

Njerëzit janë lodhur me pushtetin e korruptuar që dy dekada

“Jemi vonuar shumë, prandaj besoj që rruga po mbetet opsioni i fundit, vetëm se qytetarët duan të kenë në krye të lëvizjes së protestës njerëz të besueshëm dhe që nuk i mashtrojnë, por marrin përgjegjësi që procesin ta çojnë deri në fund”, tha Fazli Haxholli për “Kosova Sot”

Ambasadori amerikan, Philip S. Kosnett, ka deklaruar të enjten se qytetarët duhet të ngrenë zërin ndaj zyrtarëve të pasuruar pajustifikueshëm. Ambasadori madje kërkoi nga qytetarët që të reagojnë edhe me anë të protestave aktive e paqësore.“Flas si mik i Kosovës, një oligarki mund të përfitojë vetëm kur njerëzit heqin dorë. Njerëzit në Kosovë kanë luftuar për një demokraci.

Andaj, qytetarët mos të heqin dorë, por të reagojnë me ngritje të zërit dhe demonstrata paqësore ndaj zyrtarëve të pasuruar”, tha Kosnett. Në një anketë që gazeta e ka zhvilluar me qytetarë të zakonshëm, ata e kanë mirëpritur këtë kurs, këtë qëndrim të ambasadorit amerikan, duke besuar që kjo mbështetje amerikane për demokraci të drejtpërdrejtë dhe kërkim të llogaridhënies nga qytetarët kundrejt zyrtarëve të shtetit do të vazhdojë ta gëzojë akoma më shumë mbështetjen edhe me veprime dhe deklarime të tjera.

Qytetarët janë deklaruar se janë të gatshëm t’i përgjigjen thirrjes së ambasadorit amerikan që të protestojnë kundër mafio-oligarkëve, pasi që tani më po shihet ashiqare se sa është acaruar situata në Kosovë, saqë edhe ambasadori amerikan bën thirrje për protesta, sepse realisht vetëm protesta e organizuar mirë dhe e qetë, por konsistencë për ndryshime demokratike, po mbetet zgjidhje e vetme në një shtet ku nuk sundon ligji. 

Image
Fazli Haxholli

Ka vetëm një zgjidhje

“Patjetër që edhe unë mendoj se nuk ka zgjidhje tjetër përveç fillimit të kërkimit të ndryshimeve në këtë shtet me anë të protestave paqësore e të dinjitetshme, me rrugë demokratike për të eliminuar të gjithë njerëzit e korruptuar dhe për të krijuar hapësirë dhe mundësi për kuadro dhe figura të reja të painkriminuara e të pakorruptuara. Pra, tani edhe ky kurs, të cilin e ka bërë publik një ditë më parë ambasadori amerikan, është një propozim që duhet ta mirëpresim ne si qytetarë, sepse për një shtet demokratik edhe zgjidhja e problemeve nëpërmes protestave masive e të qeta paqësore është krejtësisht legjitime dhe e drejtë, është gjithçka në rregull dhe është normale.

Po e them këtë qëndrim timin, sepse po shihet që me veprime të padrejta, me krim dhe korrupsion, është tepruar tej mase dhe qytetarët nuk do të mund të durojnë më gjatë dhe nuk mund të tolerohet. Tanimë këtë bindje e kanë krijuar edhe ndërkombëtarët, edhe ambasadori amerikan e ai britanik, që së fundi po deklarohen edhe për opsionin e protestave paqësore e demokratike, për ndryshime pozitive në shtetin tonë”, tha Fazli Haxholli për “Kosova Sot”.

Image
Ibrahim Xhaka

Ambasadori ka të drejtë

Protestën si mjet zgjidhje dhe ndëshkimi të politikës dhe të drejtësisë së korruptuar, në një të ardhme të shpejtë, e sheh opsion të vetëm të mundshëm edhe qytetari Ibrahim Xhaka. “Ambasadori Kosnett është një njeri që tanimë e njeh mirë dhe e ka “inspektuar” mjaftueshëm gjendjen në Kosovë dhe ka konstatuar se cila është gjendja ekzistuese.

Për fat të keq, ai nuk ka mundur të shohë një gjendje më të mirë se kjo që e kemi, prandaj jo vetëm ambasadori Kosnett, por të gjithë ne jemi dëshmitarë se për pasojë të kësaj gjendje po na ikën jashtë vendit me të madhe pjesa më vitale e popullit shqiptar, pra rinia jonë punëtore, por e pashpresë në këtë vend nga krimi e korrupsioni. Vetëm nga fshati im, Oshlan i komunës së Vushtrrisë, 23 të rinj kanë shkuar jashtë vendit. Dhe krejt kjo është pasojë të mosfunksionimit të shtetit. Pra, shteti ekziston, por njerëzit që janë në pushtet nuk po punojnë dhe nuk po ia duan të mirën shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”, theksoi Xhaka për “Kosova Sot”.

Sipas tij, shkatërrimi i shtetit ka filluar me shitjen e objekteve të mëdha industriale, fabrikave, me ndërrimin e destinimit të tyre në objekte që nuk sigurojnë as prodhim dhe as punësim, por të kundërtën, që prodhojnë papunësi dhe krizë sociale. “Populli i Kosovës është popull i mrekullueshëm, por këta që janë në pushtet po punojnë vetëm për veten e tyre. Edhe pse ne jemi popull fisnik dhe bujar, besoj shumë që jemi duke pritur momentin e fundit si moment kritik, sepse ndoshta shumë shpejt do të mbushet kupa dhe do të ndodhë edhe ajo që e tha ambasadori amerikan, që ka për të ardhur dita kur do të ngritën i madh e i vogël për të kundërshtuar dhe për të protestuar dhe në momentin që vjen ajo kohë do të ngrihem edhe unë në protesta dhe nuk do të hezitoj fare, sepse mua që tani po më bren e po më dhemb shpirtërisht ikja e rinisë që është dhe duhet të jetë e ardhmja dhe perspektiva e këtij populli”, vijoi më tej Xhaka.

“Unë kam qenë edhe pjesëmarrës në luftë, luftëtar i lirisë dhe aso kohe kemi arritur që në ditë të vështira ta ruajmë rininë, që ta kemi afër veti, kemi bërë gjithçka që ta mbajmë afër e të mos lejojmë që të na ikë jashtë vendit, kurse tani pas 20 vjetësh në liri, edhe pse kemi shtet, edhe pse me ligj është bërë edhe ushtria e këtij shteti të ri, rinia nuk po sheh perspektivë, por me të madhe ka filluar të ikë nga shteti, sepse realisht është keqmenaxhimi i shtetit që po e ndjek këtë rini dhe po e detyron të kërkojë një të ardhme më të mirë jashtë vendit. E kjo nuk duhet të lejohet dhe as të tolerohet. Prandaj, për këtë arsye edhe ambasadori pati të drejtë kur e tha atë qëndrim të tij rreth problemeve që kemi”, tha Ibrahim Xhaka.

Shuplaka e Kosnett të merret seriozisht

Pozitivisht e sheh rreshtimin e ambasadorit amerikan kundër këtyre njerëzve të dështuar e të korruptuar në politikë e në drejtësi edhe qytetari Mehdi Havolli, i cli mendon se protestat e qeta dhe me kërkesë të drejta janë të nevojshme për një demokraci të drejtë dhe të shëndoshë.”Ai është mendim shumë i mirë, sepse ambasadori shumë mirë e ka hetuar dhe e ka thënë, sepse është duke u bërë një padrejtësi e madhe nga klasa jonë në politikë, por edhe në drejtësi, prandaj edhe kjo protesta që është thirrur dhe u mbajt sot, të premten është shumë e arsyeshme sepse kanë ngecur punët, asgjë nuk po shkon përpara, e kanë kapur shtetin, prandaj edhe ambasadori krejt atë çka e tha, e tha me të drejtë dhe është plotësisht e vërtetë dhe për të mirën e kosovarëve”, theksoi Havolli për “Kosova Sot”, duke besuar që shuplaka e ambasadorit do të merret seriozisht, do të fillojnë të ndryshojnë gjërat pozitivisht dhe nuk do të ketë nevojë që qytetarët të zgjohen në protesta, në të kundërtën edhe ato nuk mund të përjashtohen. 

Image
Ilmi Krasniqi

Demokracia, pavarësia e liria, vetëm formale

Po aq i zhgënjyer me këtë gjendje në vend dhe i gatshëm që në ditët në vijim t’i kundërvihet me protestë kësaj kaste politikanësh të korruptuar është edhe qytetari Ilmi Krasniqi. Ai thotë se për një demokraci të qëndrueshme duhet angazhim dhe përpjekje akoma më e fuqishme nga ndërkombëtarët, edhe nga ambasadori amerikan Kosnetti, sepse sipas tij këta shumë po flasin e pak po veprojnë. “Kjo që tha ambasadori amerikan është e mirë për t’u dëgjuar, sikur të kishim vepruar, por ai po më duket që po flet vetëm për ta bërë një deklarim të vetin, sepse ai e thotë dhe e mban pastaj në atë tavolinën e vet.

Për t’u funksionalizuar dhe për t’u zbatuar kjo formulë e demokracisë perëndimore, unë mendoj që ne si Kosovë akoma jemi shumë larg. Po e them këtë sepse unë jam në Gjermani, ku jetoj që 35 vjet dhe e di fare mirë se çka është liria, çka është demokracia dhe çka janë shteti e pavarësia”, u shpreh ai. “Shikuar realisht unë akoma nuk jam i kënaqur edhe me nivelin e kësaj pavarësie që e kemi sot, sepse edhe kjo pavarësi është disi e brishtë, nuk ka demokraci të plotë, nuk ka sundim të fuqishëm të ligjit dhe duket një lloj pavarësie jo shumë funksionale, por me një lloj shtetësie shumë neutrale”, vlerësoi Ilmi Krasniqi.

Ai tha se nuk di se për çfarë shteti ligjor e kushtetues mund të flitet kur vetë kryetari i shtetit, Hashim Thaçi, zgjedh për të jetuar me familje në territor të një komune, në të cilin nuk përdoren simbolet e shtetit të Kosovës, por përdoren simbolet e shtetit të Serbisë dhe ai territor veç sa nuk e ka marrë akoma statusin e një zone neutrale.“Sot ne e kemi një kryetar i cili jeton në Llapma Sellë, dhe e njoh edhe atë pronarin prej të cilit e ka blerë truallin, e aty flamujt valojnë të Serbisë, por jo edhe të Kosovës, por ku dihet që e respekton dhe ndoshta edhe e “adhuron”.

Pra, edhe unë kam aty në afërsi tokën time dhe mund të jetoj aty sikurse në Gjermani, por pyetja shtrohet ku është dhe a respektohet edhe flamuri i shtetit tim. Pra, nuk ka demokraci funksionale kur ti i nënshtrohesh sovranitetit të një shteti të huaj në emër të kinse shtetit tënd, sikurse është rasti me presidentin Thaçi që i nënshtrohet aty flamurit të Serbisë dhe ai vazhdon aty atë jetën e vet. Unë mendoj që rrugë të drejtë të zhvillimit të shtetit të së drejtës me këtë udhëheqje që kemi tash për tash nuk mund të kemi”, ka thënë Ilmi Krasniqi për “Kosova Sot”. Sipas tij, duhet të gjejmë mënyra dhe të ndryshojmë rrënjësisht këtë kastë politike, këtë sistem të drejtësisë.  

(Kosova Sot)