Thaçi: Ndëshkimi i gjenocidit serb është zero

  • 27 April 2019 - 12:55
Thaçi: Ndëshkimi i gjenocidit serb është zero

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në fjalën e tij në tubimin në 20-vjetorin e Masakrës së Mejës, deklaroi se Serbia ende nuk është ndëshkuar për gjenocidin në Kosovë.

“Sot shënojmë ditën e të pagjeturve, kaluan 20 vite dhe pasojat e luftës nga shteti i Serbisë janë të freskëta. Një gjë është e qartë, Serbia kreu spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë. Për fat të keq duhet të themi botërisht as nga drejtësia lokale as ndërkombëtare nuk u ndëshkua. Ndëshkimi i gjenocidit serb është zero. Qytetarët e duan drejtësinë. Fati i të pagjeturve duhet të zbardhet pavarësisht etnisë”, deklaroi Thaçi.

Kreu i shtetit tha se të gjithë kishin shpresuar që në dialogun e Brukselit çështja e të pagjeturve do të ishte pika e parë, por Serbia e ka kushtëzuar këtë proces.

“Kishin shpresuar qe në dialogun e Brukselit çështja e të pagjeturve do te ishte pika e parë, po Serbia e ka kushtëzuar këtë proces, e Kosova nuk do të pranojë kushtëzime as në takimin e Berlinit. Prezenca e ambasadorit amerikan lehtëson dhembjet për familjet e të pagjeturve”, tha ai.

Thaçi falënderoi SHBA-të për mbështetjen ndaj Kosovës duke shtuar se do të jemi çdo herë mirënjohëse.

Mijëra persona po marrin pjesë në tubimin në Mejë

Në kompleksin Memorial në Mejë ka nisur manifestimi për shënimin e 20 vjetorit të Masakrës së Mejës, dhe 27 prillit- Ditës së të Pagjeturve në Kosovë.

Në shënim po marrin pjesë presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ambasadori amerikan Philip Kosnett, organizata qe përfaqësojnë familjet e personave të vrarë e të zhdukur dhe zyrtarë të institucioneve qendrore e lokale.

Në mënyrë të organizuar në Mejë kanë ardhur edhe minatorë nga Trepça, dhe familjarë nga anë e mbanë Kosova.

Manifestimi ka nisur me një minutë heshtje, ndërkohë që njerëzit kanë ardhur që në orët e para të mëngjesit te kompleksi për homazhe.

(Kosova Sot)